Situatë e vështirë nga përmbytjet në qarkun e Vlorës. Në orët e vona të mbrëmjes së sotme raportohet se Vjosa ka dalë nga shtrati pranë Urës së Mifolit duke rrezikuar banesat.
 
Banorët e fshatit Fitore janë lajmëruar që të jenë në gatishmëri, pasi intensiteti i prurjeve mund të rritet në orët e ardhshme.
 
Në fshatin Fitore ndodhen 15 familje të rrezikuara, të cilat janë prekur edhe më parë nga përmbytjet.
 
Nga dalja e Vjosës nga shtrati është bllokuar rruga në Bishtin e Malit në Selenincë.
 
Ndërsa disa sipërfaqje toke janë nën ujë nga përmbytjet.
 
Institucionet e pushtetit lokal, por edhe atij qendror janë në gatishmëri për të ndërhyrë nëse do të rrezikohen banesat e familjeve.
 
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka dërguar udhëzimet për ngritjen në gatishmëri të gjitha kapaciteteve në njerëz dhe mjete, të cilat disponohen nga qarqet Vlorë, Gjirokastër dhe Fier, për shkak të intensitetit të prurjeve në lumin Vjosa.
 
Nisur nga niveli i ujërave u është kërkuar prefektëve që të përgatiten për evakuimin e komunitetit në zonat që mund të ketë përmbytje.

 


d.b/shqiptarja.com