Tre familje janë evakuuar në fshatin Risili për shkak të prurjeve të mëdha të lumit Shushicë. Familjet që janë evakuuar rrezikoheshin që të prekeshin nga prurjet e lumit prandaj janë zhvendosur nga Emergjencat Civile. Në orët në vijim pritet që të evakuohen familje të tjera.

Reshjet e shiut që priten të bien në orët në vijim ka bërë që të merren masa nga prefektura e Vlorës si dhe bashkia. Në orët e pasdites punonjës së kanalizimeve kanë nisur pastrimin e kanaleve të cilat kanë sjellë përmbytje nga bllokimi i tyre. Punonjësit e kanalizimeve po vijojnë që prej mëngjesit të sotëm marrjen e masave që në qytet të mos ketë përmbytje.

Po ashtu në orët e mbrëmjes prefekti i qarkut të Vlorës, kreu i bashkisë kanë parë nga afër situatën e lumit Vjosë, e cila pritet që në orët në vijim të ketë dhe rritje të nivelit të saj.

Edhe një herë i është bërë thirrje banorëve të zonave të ulëta të cilët sa herë dele lumi Vjosë janë përmbytur, që të marrin masat për evakuim, po ashtu të largojnë dhe bagëtitë nga zonat fushore sepse rreziku i daljes së lumit Vjosë  do të sjellë dhe probleme në këta blegtorë.

Sipas tyre situata e reshjeve  nga zonat e Gjirokastrës  dhe Përmetit është duke u përkeqësuar, gjë që në orët në vijim dhe në Vlorë do të ketë fryrje të lumit Vjosë dhe dalje nga shtrati.


dy.b/shqiptarja.com