Situata nga përmbytjet që pushtuan vendin prej së hënës është në përmirësim. Në Durrës numërohen 1453 banesa të përmbytura e gati 3 mijë ha tokë bujqësore nën ujë, por vlerësimi vijon. Edhe Vjosa po tërhiqet nga fshatrat buzë lumit në Vlorë e Fier, por në fshatin Ferras shtëpitë janë pushuar nga balta. Banorët kalojnë natën jashtë për të ruajtur bagëtitë.
***
DURRËS
Situata është drejt përmirësimit në qarkun e Durrësit, ku ka pasur një rënie të nivelit të ujit në lumin Erzen dhe Ishëm. Prefektura raporton se janë evakuuar gjithsej 848 banorë, ndërkohë në Sukth dhe Katund të Ri janë përmbytur 2800 ha tokë bujqësore. Po vazhdon vleresimi i dëmeve, ku deri më tani numërohen 1453 banesa të përmbytura ne gjithe qarkun.
Aktualisht mjetet e ushtrisë janë të përqendruara në Perlat, Hamallaj dhe Jubë, pasi rruga që lidh këto fshatra është e pakalueshme. Koloneli Idriz Kuca tha për Report TV se Forcat e Armatosura janë të angazhuara me të gjitha kapacitetet.
VLORË-FIER
Sa më shumë Vjosa tërhiqet, aq më shumë dalin në pah pasojat e përmbytjeve në fshatrat pranë saj në Vlorë dhe në Fier. Në fshatin Ferras të Fierit, uji është larguar nga shumë banesa brenda dhe jashtë argjinaturës. Banorët sot i gjen duke nxjerrë baltën nga shtëpitë e duke u përpjekur të shpëtojnë ç’të munden.
Edhe punonjësit e bashkisë kanë punuar me pomba për të larguar ujin nga shtëpitë e përmbytura, ndërsa sipas banorëve, komisionet e vlerësimit ende nuk kanë dalë në terren për të verifikuar dëmet paraprake.
Në fshatin Bishan të Vlorës, në krahun tjetër të Vjosës, uji u rrethoi banesat. Fshati ka dalë nga izolimi, pasi pavarësisht prezencës së ujit, nënkalimi i Bishanit është i kalueshëm.
BERAT
Edhe në qarkun e Beratit niveli i lumit Osum është në kuota mesatare dhe uji është tërhequr nga banesat dhe tokat bujqësore. Por pasojat e përmbytjeve i kanë ende gjurmët prezente në fshatin Çiflik të Dimalit.
SHKODËR
Në Bashkinë e Shkodrës vijon të mbetet i përmbytur fshati Obot, në të cilin kalimi bëhet vetëm me mjete të larta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 50 cm. Emergjencat Civile raportojnë për 266 ha tokë bujqësore nën ujë. Bashkia Shkodër është në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe ka një tendencë tërheqje të ujit nga zonat me prani të tij.
Në qarkun Elbasan orët e paradites janë karakterizuar nga kohë me reshje shiu me intensitet të ulët e mesatar. Në lartësi mbi 700m kanë filluar reshjet e dëborës.
Burime për Report TV bëjnë të ditur se akset rrugore nacionale janë të hapura për qarkullimin e mjeteve.
Aksi rrugor nacional Elbasan-Q.Thanë në Qafë Thanë rezulton të ketë reshje dëbore dhe qarkullimi kryhet i menaxhuar nga shërbimet e policisë rrugore.
Ne aksin rrugor Gramsh-Moglicë ka pasur prezencë gurësh në disa pika të cilat janë pastruar nga firma kontraktuese.
Prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit te Zaranikës nuk paraqesin probleme deri në keto momente.
Nga HEC Moglica vijonë shkarkimet në sasinë 390 m3/sek, së bashku me prodhimin.
Këto prurje nuk kanë sjelle problematika në bashkine Cërrik, përveç daljes në disa pika të lumit Devoll, duke përmbytur disa sipërfaqe toke bujqësore.
Ne bashkinë Belsh, në fshatin Shelg të Njësisë Administrative Grekan, situata vijon të jete e njëjtë, pra si rrjedhojë e prurjeve të mëdha të lumit Devoll, kemi përmbytje të tokave djerr dhe tokave bujqësore.
Në furnizimin me energji elektrike situata paraqitet pa probleme serioze. Ka ndërprerje të energjisë në Njësinë Administrative Klos e Mollas, e ndikuar nga rënia e disa shtyllave si pasojë e prurjeve të lumit Devoll.
Ka nisur në fshatin Fitore përforcimi i argjinaturës, si një masë emergjente për të parandaluar hyrjen e ujërave të lumit në zonën e banuar, pasi situata paraqiste rrezik serioz për banorët dhe pronat e tyre.
Ndërhyrja po kryhet nga Bashkia, Bordi i Kullimit, në koordinim me Prefekturën, duke synuar stabilizimin e argjinaturës dhe shmangien e përmbytjeve të mundshme. Ekipet janë në terren dhe puna po vijon me intensitet, ndërsa situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.
Autoritetet bëjnë me dije se këto masa janë ndërmarrë në kohë, për të garantuar sigurinë e banorëve të fshatit Fitore dhe për të minimizuar çdo rrezik të mëtejshëm nga rritja e prurjeve të lumit.
Reshjet e dëborës me intensitet të lartë kanë rinisur në zonën e Qafë Thanës, në territorin e Pogradecit. Aktualisht, lëvizja e mjeteve kryhet pa përdorimin e zinxhirëve, ndërsa kontraktorët janë në terren duke kryer kriposjen dhe pastrimin e vazhdueshëm të aksit rrugor.
Pas bllokimit të aksit Qukës–Qafë Plloçë katër ditë më parë si pasojë e rrëshqitjeve të inerteve, Qafë Thana mbetet aktualisht i vetmi aks i hapur që lidh juglindjen e vendit me Shqipërinë e mesme, duke e bërë këtë segment jetik për qarkullimin.
Sipas parashikimeve, reshjet e dëborës pritet të vijojnë edhe në orët në vijim. Për garantimin e qarkullimit, në këtë aks janë vënë në shërbim disa mjete borepastruese, ndërsa temperaturat aktualisht shënojnë 0 gradë Celsius. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Për shkak të motit të keq, disa akse rrugore dhe ura në qarkun e Korçës dhe Kolonjës janë dëmtuar, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe rrezik për banorët.
Në Kolonjë, ura e Prodanit ka pësuar dëmtime, duke rrezikuar lidhjen mes fshatrave Gjonc dhe Prodan. Në Borovë, rruga nacionale ka dëmtime, dhe qarkullimi po kryhet me një korsi. Në Korçë, aksi Boboshticë – Dardhë ka dëmtime dhe qarkullimi po vijon me një korsi.
Në aksin Qafë Plloçë – Qukës, në vendin e quajtur Ura e Golikut, ka shkarje masive dherash, ndërsa po vijon puna e pastrimit.
Në rrugën Kakaç – Vërçun, ekipet vijojnë pastrimin e masivit të dherave nga shtrati i rrugës. Në aksin Barmash – Ersekë, në Udenisht Pogradec, përroi ka dalë nga shtrati, duke krijuar rrezik për qarkullimin.
Bashkia Kolonjë
Si pasojë e prishjes së urës së Prodanit, rritjes së nivelit të ujit dhe prezencës së inerteve, rrezikohet lidhja midis fshatrave Gjonc – Prodan, si dhe aksi nacional Ersekë–Leskovik, duke prekur zonat Tac dhe Ersekë. Po punohet për pastrimin e shtratit.
Në Borovë, rruga nacionale ka pësuar çedim në një pike te segmentit po punohet nga subjekti kontraktor për hapjen e një korsie shtesë. Qarkullimi kryhet me një korsi.
Rezervuari Kabashit rezervuarit Leskovik (Shelegur) dhe rezervuari Helmes janë hapur ujëlëshuesit fundorë, është ndërprerë furnizimi nga proi i Bezhanit. Situata është nën kontroll.
Bashkia Korçë
Në km 7 të aksit Korçë–Voskopojë kanë filluar reshje bore po kryhet pastrim dhe kriposje. Qarkullimi vijon normal.
Në aksin Boboshticë–Dardhë ka çedim të rrugës dhe po vijohet qarkullimi me nje korsi.
Aktualisht, në aksin Boboshticë–Dardhë ka reshje dëbore me intensitet mesatar, qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore.
Në Lagjen nr. 5, Shëtitorja “Fan Noli”, rreth orës 16:50, është rrëzuar një mur rrethues i një ndërtese të rrënuar dhe të pabanuar. Nuk ka dëme në njerëz apo mjete. Bashkia Korçë ka ndërhyrë menjëherë për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e normalitetit.
Bashkia Pogradec
Në aksin Qafë Plloçë – Qukës, në vendin e quajtur Ura e Golikut, ka shkarje masivi dherash/inertesh në shtratin e rrugës po vijon pastrimi nga subjekti ndertues.
Në dalje të fshatit Udenisht, drejt Pogradecit, ka prezencë uji në rrugën nacionale. Po merren masa për pastrimin dhe po vlerësohet ndërhyrja në tobinot në pjesën e sipërme.
Janë evakuuar 1 familje në fshatin Çërravë, 3 familje në fshatin Dardhas si pasoje e shkarjeve te dherit dhe 1 familje në fshatin Verdovë, si pasojë e gryerjes se bazamentit nga prurjet e lumit te Verdovës, familjet do trajtohen me bonus qeraje nga ana e bashkisë.
Në fshatin Çezmë, Njësia Administrative Trebinjë, ka shkarje dherash për momentin nuk rrezikohen banesa dhe situata po monitorohet.
Bashkia Maliq
Si pasojë e reshjeve dhe rritjes së prurjeve të Lumit të Mesmalit, është konstatuar gërryerje serioze e argjinaturës pranë trupit të rrugës, në afërsi të urës në vendin e quajtur “Miniera e Selcës”, Njësia Administrative Gorë.
gjithashtu prej rritjes së prurjeve të Lumit të Mesmalit, është konstatuar gërryerje e argjinaturës pranë rrugës në afërsi të Urës së Selcës Nj.Adm Gore.
Në rrugën Kakaç – Vërçun vijon puna për pastrimin e masivit të dherave nga shtrati i rrugës.
Bashkia Pustec
MZSH Pustec ka përfunduar ndërhyrjen për largimin e ujit nga një banesë në fshatin Pustec.
Bashkia Devoll
Situata paraqitet e qete nuk ka problematika te raportuar uji nga rruget ne fshatin Proger eshte terhequr, vijohet nga Dr e Ujitjes kullimit puna per mbylljen e carjes ne argjinatura e lumit Oshtice.
Nga inspektimi ne terren akset rrugore ne teritorin e bashkise Devoll rezultojne te hapura.
ARRSH Drejtoria Qëndër-Lindje raporton: Reshje dëbore në zonat Dardhë, Voskopojë dhe Zemblak, me ndikim në qarkullimin rrugor po punohet nga kontraktoret per pastrim dhe kriposje. Rrëshqitje rruge në aksin Barmash – Ersekë. Dalje e përroit nga shtrati në zonën Udenisht – Pogradec. Situata po ndiqet dhe po ndërhyhet nga subjektet e mirëmbajtjes, të cilat janë në terren për normalizimin e gjendjes dhe garantimin e qarkullimit.
Nga OSHEE vijohet puna ne teren me grupet operative per rregullimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike për te gjithe konsumatorët. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.
Në fshatin Malshovë Bashkia Këlcyre rrezikohet jeta e familjeve, pasi çarja e dheut fare pranë shtëpive të tyre, rrezikon fundosjen e masivit e bashkë me to dhe 4 banesa me pjesëtarët e familjeve.
Banorët informojnë se kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve por deri tani këto të fundit nuk janë përgjigjur.
Banorët e fshatit Çiflik të Beratit kanë protestuar ditën e sotme, pas situatës së rënduar të krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Për kamerën e Report TV, banorët e zonës shprehen se janë mbytur tre herë brenda muajit, për shkak se sipas tyre, Bashkia me ndihmën e Policisë bllokojnë kanalin, me qëllim që të mos mbyten fshatrat e tjerë. Kjo gjë sipas tyre bën që fshati Çiflik të mbajë gjithë peshën e përmbytjeve.
Po ashtu protestuesit kanë treguar se punonjësit e Bashkisë, sëbashku me ndihmën e Policisë, po hedhin zhavorr dhe inerte në kanal, me qëllim bllokimin e tij.
Nga ana tjetër, nga ana e Bashkisë nuk ka pasur asnjë reagim se përse po kryhen këto punime në kanal, pikërisht në këtë moment.
“Ajo nuk të respekton moj motër. E mora në telefon ma mbylli telefonin. Ku do vemi, ku do mbytemi? Do hidhnin akoma zhavorr ta bllokonin më keq, por i dola makinës para. 100 burra këtu dhe asnjë nuk doli, unë i dola makinës para dhe u thashë ‘do shtrihem këtu’”, tha një protestuese.
“Janë kriminela, të pocaqisur dhe të korruptuar. Të tërë të kapur nga korrupsioni. Në asnjë vend të botës nuk mbyllen kanalet, këtu i mbyllin. Unë po bëj 80-vjeç, këtu kurrë nuk ka ardhur lajmi. Ça të bëjmë tani? Të marrim armët? Pse s’e hap telefonin kryetarja e Bashkisë? Pse nuk vjen? Pse vjen për votat?”, tha një tjetër protestues.
“Ne do rrimë këtu, se po ikëm, ata do vijnë sërish ta bllokojnë. Ka qenë një portë këtu, që rrinte policia kur vinte lumi. Rrinte që të mos hapej porta. Kam insistuar dy herë për ta hapur, por nuk më kanë lënë. Është beton këtu, nuk ikën uji”, tha një tjetër banor i zonës.
“Dy herë, kjo është e treta herë. Ndihmon edhe Policia, për të bllokuar këtë urën këtu. Është bllokuar sepse Bashkia ka hall se mbyten andej nga kanë marrë paratë”, tha një tjetër banor.
“Kanali është bërë enkas për shkarkimin e ujërave të lumit. Kryetarja e Bashkisë ka dhënë urdhër dhe me ndihmën e Policisë ka prurë makinat e mëdha me inerte dhe i kanë hedhur këtu. E kanë bërë me qëllim që të mbytet i gjithë populli i Çifligut këtu, me qëllim për të shpëtuar serat andej”, tha një tjetër protestues.
“Jemi mbytur dy herë, kjo është hera e tretë. Herën e tretë kam vendosur të bëhem lapidar këtu”, tha një tjetër banor i zonës.
“Jemi mbytur dy herë. Kam qenë në Greqi 25 vite. U ktheva se dëgjova kryeministrin që tha ‘të kthehen emigrantët se do marrin 5 mijë euro’. Nuk i dua 5 mijë euro, vetëm të na lënë rehat të punojmë. Po na mbysin me duart e tyre”, tha një tjetër protestues.
Banorët e zonës së Spitallës, në rrugën “Aristoteli”, zhvilluan një protestë për të kundërshtuar situatën e papranueshme të krijuar në këtë segment rrugor, i cili ishte bllokuar nga kanalizimet dhe ishte ndërtuar pa trotuare.
Ata paralajmëruan se kjo rrugë në vijim mund të kthehet në një dramë të radhës në përmbytje.
Sipas banorëve, kjo situatë kishte rrezikuar seriozisht sigurinë e këmbësorëve dhe kishte vështirësuar jetën e përditshme të komunitetit, duke e kthyer rrugën në një problem të vazhdueshëm për banorët e zonës.
Prezent ishte dhe deputetu Igli Cara i PD, i cili tha se çdo herë që bie shi, kjo zonë përballet me përmbytje dhe dëme në banesa.
‘Kjo zonë sa herë ka shi do të ketë përmbytje dhe dëme. Këtu është bërë një rrugë që s’ka trotuare dhe këtu rrezikohet jeta e njerëzve çdo ditë. Prej kohësh ne kërkojmë komisione hetimore për të qenë më të saktë me dokumentacionin për projektet që janë bërë për Durrësin. Ne po kërkojmë dokumentacione dhe do të vijojmë me dërgimin në Prokurorinë e Posaçme. Këtu nuk bëhet fjalë PS dhe PS por që politika të garantojë jetën e njerëzve’, tha ai.
Teksa vendi është 'pushtuar' ditët e fundit nga moti i keq kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se shoferët duhet të kenë kujdes të shtuar në rrugë.
Rama thotë se ARRSH po punon për të mbajtur akset rrugore të hapura e për të garantuar sigurinë e çdo qytetari
Në këto kushte të vështira moti, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë në terren pa ndërprerje, duke punuar ditë e natë për të mbajtur akset rrugore të hapura dhe për të garantuar sigurinë e çdo qytetari në lëvizje.
Drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.
130 mjete borëpastruese
577 mjete të tjera
800 punonjës
5 300 ton kripë
1 800 ton granil
Situata e krijuar nga shkarjet e dherave dhe vërshimet e ujit ka detyruar evakuimin e 5 familjeve në rrethin e Pogradecit.
Sipas informacionit zyrtar të Prefekturës, 1 familje në fshatin Çeravë është evakuuar si pasojë e shkarjes së dheut, 3 familje në fshatin Dardhas janë larguar nga banesat e tyre për të njëjtën arsye, ndërsa 1 familje në fshatin Verdovë është evakuuar për shkak të gryerjes së tokës nga vërshimi i ujit të lumit Verdovë.
Bëhet me dije se të gjitha familjet e evakuuara janë sistemuar përkohësisht në banesa nga strukturat përgjegjëse dhe do të trajtohen me bonus qeraje nga Bashkia Pogradec.
Strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës në terren, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të zonave problematike të tregojnë kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse.
Niveli i ujit në lumin Vjosa është rritur sërish mesditën e kësaj të shtune.
Burime për Report TV bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme, por edhe në orët e para të ditës së sotme, niveli i Vjosës ka arritur kuotat 5.1–5.2 metra.
Ndërkohë, në pasditen e së shtunës, niveli i lumit ka shkuar në 6.0 metra. Sipas parashikimeve dhe informacioneve nga zonat e Përmetit dhe Gjirokastrës, prurjet e Vjosës janë në rritje të vazhdueshme.
Kjo situatë bën që në orët në vijim të priten prurje edhe më të mëdha dhe rritje të mëtejshme të nivelit të lumit, duke rrezikuar sërish daljen e tij nga shtrati.
Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje serioze në njësinë administrative Dushk në Lushnje, duke vënë në rrezik mbi 160 hektarë tokë bujqësore të mbjella me perime, foragjere, grurë dhe elb.
Burime për Report TV bëjnë me dije se kjo është përmbytja e dytë brenda pak muajsh dhe më e rënda, duke lënë fermerët pa asnjë burim të ardhurash.
Pa ndihmën e shtetit, ata e kanë të pamundur të vijojnë aktivitetin ekonomik, veçanërisht fermerët që punojnë toka me qira. Ndërkohë, për shkak të ujit, fermerët nuk mund të ndërhyjnë në parcela, të cilat janë pushtuar nga shpendët ujorë.
“Unë kam pothuajse rreth 20 hektar tokë me qera. Ndër këto kam rreth 6-7 dylymë. Kam perimore. Siç e shihni vetë. Ja gjendja duket s'ka çarë të thotë. Kam lakër kokë dhe presh. Këtu ka falimentuar çdo gjë”, tha Arjan Çela, banor i Dushkut.
Specialisti i Bujqësisë, Dritan Kolleshi, është shprehur se në atë zonë përmbytjet kanë filluar të shpeshtohen dhe të bëhen pothuajse të përvitshme.
Për Report TV ai tha se shkak kryesor i këtyre përmbytjeve janë kryesisht mos-pastrimi i kanaleve dhe baseneve
“Përmbytjet kanë filluar të shpeshtohen dhe të bëhen pothuajse çdo vit ose një herë në dy vjet për shumë arsye. Një nga arsyet kryesore është që baseni i Tërbufit, ish-këneta, është llogaritur që të punonte me një intensitet shiu deri në 200 mm shi. Po e njëjta situatë ndodh edhe me kanalin që është i kodrave të Grabianit deri në Biçukas. Pompat e Hidrovorit, megjithëse punojnë me intensitet të lartë, për këto 35 vite, pothuajse të gjitha qeveritë nuk kanë marrë masa që këto dy kanale të ujërave të larta që t'i rikthejnë në identitet”, tha Dritan Kolleshi, specialist bujqësie.
Bashkia Shkodër ka ndërmarrë ndihmë konkrete për banorët e fshatit Obot, të cilët vijojnë të jenë të izoluar për shkak të pranisë së ujit në rrugën e fshatit.
Në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit, janë shpërndarë pako ushqimore dhe është siguruar furnizim me ujë të pijshëm për familjet e zonës. Edhe pse nuk ka prezencë uji në banesa, mbështetja për banorët po vijon për të garantuar siguri dhe përballim sa më të lehtë të situatës.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, u shpreh se situata paraqitet e qëndrueshme, por Bashkia Shkoder do t’u qëndrojë pranë banorëve, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në terren.
Ndërsa deputeti i qarkut Shkoder, Onid Bejleri, theksoi se të gjitha strukturat shtetërore janë në gatishmëri dhe në mbështetje të banorëve të prekur, për t’iu përgjigjur çdo nevoje që mund të lindë nga situata e reshjeve.
Bashkia Shkodër vijon të jetë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e komuniteteve të prekura.
Si pasojë e reshjeve intensive të shiut të regjistruara gjatë orëve të fundit, në disa qarqe të vendit janë evidentuar problematika të lidhura me rritjen e prurjeve në disa lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash si dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Ministria e Mbrojtjes bënë me dije, se situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose situatë e qëndrueshme.
Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, duke evidentuar pikat me risk dhe duke marrë masa paraprake për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.
Në Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Vijon puna për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.
Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie përgjithësisht në tokat bujqësore. Forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve, ku është evidentuar mungesë energjie elektrike. Niveli i lumit Drin vijon të jetë në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.
Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore, ku janë shënuar rrëshqitje dherash, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte. Në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.
Në terren janë të angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente, sipas nevojave të autoriteteve vendore.
Kalimi nga “Kthesa e Ariut” drejt fshatit Perlat mbetet ende problematik. Niveli i ujit eshtë ulur, por rruga ende është e pakalueshme me automjete të thjeshta.
Për t’iu ardhur në ndihmë banoreve, janë vendosur forcat e ushtrisë, të cilet i transportojnë me mjetet e tyre. Koloneli Idriz Kuca tha për Report TV se Forcat e Armatosura janë të angazhuara me të gjitha kapacitetet.
“Forcat e Armatosura janë angazhuar me të gjitha kapacitetet njerëzore, me mjete dhe pajisje. Që prej fillimit të operacionit jemi angazhuar në të gjithë Bashkinë e Durrësit. U jemi përgjigjur në kohë për të kryer evakuime, shpërndarje ushqimesh, zhvendosjen e gjësë së gjallë. Niveli i ujit, dy ditë”, theksoi ai.
Shumë banesa në Gjirokastër janë përmbytur nga vërshimi i ujërave. Por më e dëmtuara është një shtëpi një katëshe në fshatin Arshi Lengo pjesë e Njësisë Administrative Antigone.
Nga kodra përbri banesës, u dyndën inerte ranore e shtufore, aq sa në një përllogaritje të specialistëve, besohet se në 100 metër katrorë hapësirë që ka kjo banesë, të jenë dyndur 50 metër kub rërë e baltë së bashku pa llogaritur ujin.
E zonja e shtëpisë, Burrbuqe Çela mundohet që të heqë ujin dhe baltën nga shtëpia e saj. Dëmet janë të pallogaritshme pasi të gjitha orenditë shtëpiake i kanë dalë jashtë funksionit.
“Ne jemi të larguar dhe thanë që ra shumë shi. Në mëngjes na lajmëruan, na thane që ra shumë shi. Erdhëm, hapëm derën e jashtme dhe shtëpia ishte mbushur me ujë, baltë dhe rërë. Kishin ardhur gutrët nga ana e malit dhe kishin thyer dritaret, kishin hyrë në shtëpi. I lutemi shumë kryeministrit Edi Rama, deputetëve, Bashkisë së Gjirokastrës, jetojmë në Arshi Lengo, këtë shtëpi e kemi bërë me gjak, edhe me djersë. Në shtëpi brenda nuk ka asgjëm janë shkatërruar të gjitha. Nuk po heqim dot baltën dhe rërën nga shtëpia. Nëse vazhdon të bjerë shi, guri në mal do bjerë në shtëpi. Shtëpia është e shkatërruar. Kemi 3 ditë, nuk hiqet balta, të na ndihmojë shteti. Nuk ka ngelur asgjë. Kemi punuar në Greqi dhe ndërtuam shtëpinë me djersë. Nuk ka ngelur asgjë, dëmi është shumë i madh.", tha ajo.
Vëllai i saj, Sokrat Kanushi deklaroi se nuk i ka ardhur askush në ndihmë.
“Shtëpia është jashtë përdorimit. Njerëzit i ka seleksionuar, në çdo shtëpi mund të kenë vajtur, këtu ka ardhur vetëm Ylli Muho. Ka vënë Duart në kokë, qau nga shpirti, ka qenë kryer i komunës. Tha që do na dërgojnë të na vijnë në ndihmë. As skrep nuk kanë dërguar, neglizhencë. Shtëpia rrezikohet nga gurët nga mali.”, u shpreh ai.
Deri më tani vlerësohen se janë 10 banesa që paraqesin probleme dhe që janë të braktisura nga bujtësit e tyre në territorin e Qarkut të Gjirokastrës për shkak të gjendjes fizike dhe rrezikshmërisë që paraqesin pasi ishin objekt i goditjes nga vërshimi i ujërave dhe baltës.
Katundi i Ri në Durrës ishte një nga zonat më të prekura nga përmbytjet, me shtëpitë që përfunduan nën ujë. Tashmë uji është tërhequr nga banesat dhe gjithçka ka mbetur në oborret e shtëpive është llumi.
Situata me reshjet në qarkun e Beratit po shkon drejt përmirësimit, për shkak të uljes së nivelit të lumit Osum që sot është në kuotat mesatare. Në bashkinë Berat ujërat janë tërhequr nga tokat bujqësore në fshatrat Veterrik e Starovë, problematike situata vijon të jetë në fshatin Çiflik dhe në lagjen "Dafinat", në bashkinë Dimal dhe Guri Bardh. Edhe pse ujërat kanë filluar të tërhiqen nga banesat në lagjen "Dafinat", mësimi në kopësht dhe në gjimnazin "Muhamerr Janina" është ndërprerë, për shkak të prezencës ende të ujit, baltës e llucës në të. Po kështu, oborret e shumë banesave në fshatin Çiflik në Dimal vijojnë të jenë nën pushtetin e ujit. Banorët shprehen se, dëmet që ju janë shkaktuar janë të mëdha dhe i bëjnë apel për ndihmë bashkisë Dimal.
Dëbora, që ka rënë gjatë natës në lartësitë mbi 600 metër, ka bllokuar akset rurale: Gjerbës–Çorovodë dhe Leshnjë-Dëvri, në Njësinë Administrative Leshnjë, ndërkohë që në segmentin Potom-Çorovodê qarkullohet vetëm me zinxhir. Në këto akse po vijon puna me fadroma dhe traktor për hapjen e rrugëve dhe hedhjen e kripës, për shmangien e akullit në rrugë.
Për shkak të erës së fortë shumë fshatra në qarkun e Beratit janë pa energji elektrike,pasi fiderat janë dëmtuar.
Në bashkinë Skrapar janë pa energji elektrike fshatrat: Potom,Çepan, Muzhenckë, Kakos, Kreshovë dhe Suropull,në Njësinë Administrative Potom dhe fshatrat: Zaloshnje, Kuc, Gjolenë, Zhabë dhe Rehovë në Njësinë Administrative Tomorricë.
Në bashkinë Dimal janë pa drita fshatrat: Osmënzezë,Velçan,Gajdë dhe Çinaret,në Njësinë Administrative Kutalli.
Edhe në qarkun e Vlorës situata nga moti i keq është drejt normalizimit. Lumi i Vjosës është në nivele normale dhe uji është tërhequr nga banesat në fshatin Bishan.
Banorët tregojnë për mikrofonin e Report Tv edhe dëmet që kanë pësuar nga përmbytjet.
“Dëme, hyri uji nja pëllëmbë në shtëpi, po r përballuam. Po lajmë ballkonet. Kemi prezencë uji në oborr dhe në toka bujqësore.
Dëme në bujqësi kemi pasur. Nëpër banesa jo nuk kemi pasur. Sot situata është më e qetë, dje ka qenë ujë.
Probleme brenda në banesë nuk kisha, rreth saj po. Situata më e qetë. Bagëtitë i hoqa”, rrëfejnë banorët.
Varrezat e fshatit kanë ende prezencë uji.
“Sot kemi të 40 se na ka vdekur një njeri dhe nuk shkojmë dot”, thotë një banor.
Ka ende prezencë të ujit në nënkalimin e Bishanit, por megjithatë rruga kalohet. Banoret theksojnë se tashmë janë në pritje të evidentimit të dëmeve në tokat bujqësore.
Një banesë në fshatin Çërravë të Pogradecit, rrezikohet nga rrëshqitja e një masivi të dheut pak metra më sipër saj.
Në objektin e rrezikuar jetojnë 2 familjet Kapa me disa anëtarë.
Fatmirësisht, vendi ka qenë i kultivuar më vreshtari dhe pemëtari, çka ka bërë që të parandalohet një fatalitet.
Ndërkohë, ekziston rreziku i vazhdimit të rrëshqitjes, por vetem pak minuta më parë, shërbimet e emergjencës të bashkisë dhe prefekturës kanë mbërritur në vendngjarje për të marrë masa mbi situatën.
Lumi Seman ka arritur në nivele kritike, ku rrezikon të dalë nga shtrati në Mbrostar të Fierit.
Zakonisht, dalja e lumit nga shtrati fillon nga kjo zonë, pasi shumë banesa janë ndërtuar brenda argjinaturës.
Banorët e fshatit Ferras vazhdojnë të përballen edhe sot me praninë e ujit në banesat e tyre, pavarësisht ndërhyrjes së djeshme nga punonjësit e bashkisë, të cilët punuan me pompa për të larguar ujin nga shtëpitë e përmbytura.
“Nuk më kishte ardhur ndonjëherë uji brenda. Erdha nga Vlora, thashë të shikoj, uji brenda 40 centimera. Unë banoj edhe në Vlorë, edhe në Fier. Argjinatura është andej, uji futet në kanal. Nuk ka punonjës të shohë nivelin e ujit, kanali bllokohet. Të gjitha janë dëmtuar. Deri tani nuk ka ardhur njeri, shpresojmë të vijnë. Turp i botës”, tha një banor.
“Çfarë do lëmë, të gjitha janë për t’u hedhur në kanal. Çfarë komisioni? Këto janë.”, shtoi një banore tjetër.
Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, një pjesë e konsiderueshme e banesave janë gjetur sërish nën ujë ndërsa dëmet e shkaktuara janë të mëdha.
Banorët raportojnë humbje të konsiderueshme jo vetëm në orendi dhe pajisje shtëpiake. Janë shënuar raste të ngordhjes së shpendëve, ndërsa tokat e kultivuara me elb, jonnxhë, ullinj, janë tërësisht nën ujë.
Sipas banorëve, kjo përmbytje konsiderohet më e rëndë se ato të viteve të kaluara. Ata kujtojnë se edhe në përmbytjet e mëparshme kanë përfituar dëmshpërblime nga shteti, disa më pak e disa më shumë, por gjithsesi kanë marrë kompensim për dëmet e shkaktuara.
“Lumi i parë që vjen, sikur edhe 50 centimetra të jetë lartësia, ne përmbytemi. Argjinaturën nuk e kuptoj pse e bënë. Zgjidhja do ishte kjo, të bëheshe atje mbrapa. Nuk u kërkua mendimi ynë. Kur erdhëm këtu, na kishin shqyer portën. Deri tani jo, nuk ka ardhur njeri. Herët e tjera kemi ardhur, kemi marrë dëmshpërblim për një pjesë. Dëmet janë më të mëdha. Nuk bëhet më fjalë për shtëpinë.”, u shpreh një banor i prekur nga përmbytjet.
“Nuk ka ardhur njeri. Dy netë ndenja te djemtë. Asnjë ndihmë. Te përmbytjet e mëparshme na dhanë pak dëmshpërblim.", theksoi një e moshuar.
Komisionet përkatëse sipas tyre ende kanë dalë në terren, për të verifikuar dëmet dhe për te bërë vlerësimet paraprake. Megjithatë, banorët shprehen se aktualisht ndodhen në pritje, pa një informacion të qartë se sa do të jetë masa e dëmshpërblimit që do të përfitojë çdo familje.
Ata kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë dhe mbështetje konkrete nga shteti, pasi situata mbetet e rëndë dhe jetesa e përditshme në këto kushte është bërë thuajse e pamundur.

848 banorë janë evakuar në qarkun e Durrësit, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shiut.
Përmes një njoftimi të Prefekturës, bëhet e ditur se janë verifikuar 4067 banesa, teksa 1453 banesa kanë pësuar dëme.
Në Sukth dhe Katund të Ri janë përmbytur 2800 hektarë. Ndërkaq, nuk raportohen probleme në akset rrugore dhe lumenj.
Në Bashkinë Krujë, në lumenjtë Gjole Dhe Zezë ka renie të dukshme të nivelit të ujit dhe situata po shkon drejt normalizimit.
Në Shijak është bërë i mundur pastrimi i 5 banesave dhe nxjerrja e ujit në 2 banesa.
Vendi është përfshirë nga moti keq në ditët e fundit.
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ndarë pamje nga aksioni i strukturave, të cilat gjenden në gatishmëri në terren, për përballimin e situatës.
“Mirëmëngjes dhe me punën që vijon për përballimin e situatës së krijuar nga moti shumë i keq i ditëve të fundit, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.
Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme edhe në Mirditë. Prurjet e shumta të Lumin Fan i Vogël kanë gërryer rreth 1 hektarë tokë bujqësore në fshatin Kodër Rrëshen, duke dëmtuar edhe linjën elektrike.
Bashkia Mirditë në Bashkëpunim me Operatorin e Energjisë Elektrike ka bërë të mundur spostimin e shtyllave dhe rivënien në funksion të linjës elektrike, por situata mbetet mjaft shqetësuese, pasi me këtë ritëm të erozionit të krijuar nga rrjedha e lumit, mund të shembet dhe rruga kryesore e fshatit.
Situatë e ngjashme paraqitet dhe në afersi të fshatit Tarazh, ku prurjet e Lumit Zmeja kanë sjellë gërryrje të shumta, duke nxjerrë në siperfaqe në një gjatësi të konsiderueshme tubacionin kryesor të ujësjellësit dhe rrezikuar rrugen nacionale Rrëshen-Burrel.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi thotë se projekti për mbrojtjen nga këta dy lumenj është gati prej kohësh, por ka munguar financimi nga strukturat qëndrore të emergjencave civile.
“Situata është shumë shqetësuese, një pjesë e tokës bujqësore është kthyer në lumë, në zall. Ka dy vite që kemi qenë në kontakt, qoftë me emergjencat civile, qoftë me prefektin e qarkut. Është dëm që po i shkaktohet tokës bujqësore. Kemi dy vite që kemi aplikuar, për mbrojtjen e lumenjve. Kemi aplikuar me projektin përkatës, kap një vlerë rreth 90 milionë lekë të reja. Kjo mbrojtje këtu dhe mbrojtja lumore e ujit të pijshëm të qytetit, edhe ai është problem. Tubi është në mes të lumit, i pambrojtur, në një moment të caktuar nga reshjet e shumta mund të dëmtohet dhe qyteti të mbetet pa ujë. Dje u ndërpre energjia elektrike, shtyllat ishin brenda pjesës së lumit. Kjo është alarmante”, u shpreh ai.
Përballë situatës së krijuar pritet të kryhet një ndërhyrje emergjente nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Bashkëpunim me Bashkinë Mirditë, për devijimin e shtratit të lumenjeve Fan i Vogël dhe Zmeja në pikat ku janë krijuar gërryrje.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytjen e 800 hektarëve tokë në qarkun e Shkodrës. Sipërfaqet e prekura janë kryesisht kultura foragjere, grurë, jonxhë, toka të pambjella dhe kullota.
130 hektarë janë nën ujë në fshatrat Obot dhe Muriqan, 35 hektarë kryesisht në Pentar dhe 101 hektarë në Velipojë.
Nivelet e ujit në lumenjtë Bunë dhe Drin mbeten të kontrolluara, megjithëse pësuan rritje, krahasuar me 24 orë më parë.
Akseset rrugore; Han i Hotit–Doganë–Vermosh; Bogë–Qafë Thore–Theth; Qafë Mali–Fierzë; K/Hadroj–Q/Bene janëtë kalueshme vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë.
Ndërkaq, nuk ka asnjë banesë të përmbytur dhe me prezencë uji.
Komente










Nese cdo familje merr 5000€ per deshmperblim kemi 10,000 familje totali eshte 50 mil euro demshperblime
Përgjigju