Banorët e fshatit Çiflik të Beratit kanë protestuar ditën e sotme, pas situatës së rënduar të krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Për kamerën e Report TV, banorët e zonës shprehen se janë mbytur tre herë brenda muajit, për shkak se sipas tyre, Bashkia me ndihmën e Policisë bllokojnë kanalin, me qëllim që të mos mbyten fshatrat e tjerë. Kjo gjë sipas tyre bën që fshati Çiflik të mbajë gjithë peshën e përmbytjeve.
Po ashtu protestuesit kanë treguar se punonjësit e Bashkisë, sëbashku me ndihmën e Policisë, po hedhin zhavorr dhe inerte në kanal, me qëllim bllokimin e tij.
Nga ana tjetër, nga ana e Bashkisë nuk ka pasur asnjë reagim se përse po kryhen këto punime në kanal, pikërisht në këtë moment.
“Ajo nuk të respekton moj motër. E mora në telefon ma mbylli telefonin. Ku do vemi, ku do mbytemi? Do hidhnin akoma zhavorr ta bllokonin më keq, por i dola makinës para. 100 burra këtu dhe asnjë nuk doli, unë i dola makinës para dhe u thashë ‘do shtrihem këtu’”, tha një protestuese.
“Janë kriminela, të pocaqisur dhe të korruptuar. Të tërë të kapur nga korrupsioni. Në asnjë vend të botës nuk mbyllen kanalet, këtu i mbyllin. Unë po bëj 80-vjeç, këtu kurrë nuk ka ardhur lajmi. Ça të bëjmë tani? Të marrim armët? Pse s’e hap telefonin kryetarja e Bashkisë? Pse nuk vjen? Pse vjen për votat?”, tha një tjetër protestues.
“Ne do rrimë këtu, se po ikëm, ata do vijnë sërish ta bllokojnë. Ka qenë një portë këtu, që rrinte policia kur vinte lumi. Rrinte që të mos hapej porta. Kam insistuar dy herë për ta hapur, por nuk më kanë lënë. Është beton këtu, nuk ikën uji”, tha një tjetër banor i zonës.
“Dy herë, kjo është e treta herë. Ndihmon edhe Policia, për të bllokuar këtë urën këtu. Është bllokuar sepse Bashkia ka hall se mbyten andej nga kanë marrë paratë”, tha një tjetër banor.
“Kanali është bërë enkas për shkarkimin e ujërave të lumit. Kryetarja e Bashkisë ka dhënë urdhër dhe me ndihmën e Policisë ka prurë makinat e mëdha me inerte dhe i kanë hedhur këtu. E kanë bërë me qëllim që të mbytet i gjithë populli i Çifligut këtu, me qëllim për të shpëtuar serat andej”, tha një tjetër protestues.
“Jemi mbytur dy herë, kjo është hera e tretë. Herën e tretë kam vendosur të bëhem lapidar këtu”, tha një tjetër banor i zonës.
“Jemi mbytur dy herë. Kam qenë në Greqi 25 vite. U ktheva se dëgjova kryeministrin që tha ‘të kthehen emigrantët se do marrin 5 mijë euro’. Nuk i dua 5 mijë euro, vetëm të na lënë rehat të punojmë. Po na mbysin me duart e tyre”, tha një tjetër protestues.
Lajmi kryesor:
Përmbytjet/ Tërhiqen lumenjtë, nisin vlerësimet në Durrës, 1453 shtëpi me dëme! Në fshatrat buzë Vjosës shtëpitë në baltë







