TIRANË- Tre ditë pasi vendi është nën pushtetin e motit të keq dhe përmbytjeve në disa qarqe, Report Tv mëson se qeveria po harton paketën që do garantojë dëmshpërblimin për tokat bujqësore dhe banesat. Nesër në orën 08:30, kryeministri Edi Rama do të mbledhë në godinën qeveritare Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar problematikën e përmbytjeve në mbarë vendin.

Pjese e mbledhjes do jenë ministritë e linjës, përgjegjëse për të menaxhuar situatën: Ministria e Mbrojtjes, e Brendshme, e Financave, Energjia, Infrastruktura, Bujqësia si dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Në mbledhje do të diskutohet edhe paketën e dëmshpërblimeve, nga e cila do të përfitojnë të gjithë familjarët, bizneset dhe fermerët që u janë prekur tokat bujqësore.

Më herët Kryeministri Rama, përmes postimeve në rrjetet sociale gjatë gjithë ditës, i ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të komunikojnë për ccdo nevojë me institucionet, të cilat sipas tij janë në terren 24 orë në 24. Kryeministri një apel të veçantë e ka pasur për banorët e zonës së Novoselës, për të cilët është bërë një thirrje evakuimi për shkak të rrezikut që vjen nga lumi i Vjosës.

Ndërkohë, Partia Demokratike i është drejtuar zyrtarisht qeverisë përmes grupit parlamentar, me një kërkesë për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore për 7 qarqe të vendit: Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.

“Nga vlerësimi i përgjithshëm i situatës rezulton se gjendja është e rëndë dhe se strukturat e shtetit deri në këtë moment nuk po veprojnë në të gjithë territorin. Është e pakuptueshme arsyeja se përse Këshilli i Ministrave nuk e ka ndërmarrë ende një procedurë të tillë, duke krijuar pasiguri tek qytetarët për përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore.” thotë PD.

Qeverisë, grupi i PD i kërkon të bëjë edhe një vlerësim të plotë dhe objektiv si dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur nga përmbytjet ndërsa thotë se për çdo masë që do të merret duhet të  informohet zyrtarisht edhe Kuvendi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:06
'Gati të mbështesim popullin shqiptar', Delegacioni i BE-së reagon për përmbytjet në Shqipëri

Pamje nga videoja e publikuar nga Delegacioni i BE-së në lidhje me përmbytjet në Shqipëri

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë tha sot se po ndjek me shqetësim situatën e përmbytjeve në vendin tonë.

Në një postim në rrjetet sociale, Delegacioni njofton se” Drejtoria e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën Humanitare (DG ECHO) është në kontakt të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe po ndan informacionin dhe pamjet përkatëse nga sateliti Copernicus”.

“Së bashku me Shtetet Anëtare, Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë popullin shqiptar për përballimin e kushteve ekstreme atmosferike, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së”, thuhet në deklaratë

Postimi i Delegacionit të BE-së në Facebook
Ora 16:16
Përmbytjet në Shqipëri, Ambasada e SHBA-ve: Situatë e paqëndrueshme! Shtetasit amerikanë të tregojnë kujdes

Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë të ditur se po monitoron nga afër situatën e përmbytjeve në të gjithë Shqipërinë, duke paralajmëruar për përkeqësim të kushteve në disa zona të vendit.

 

Postimi i Ambasadës Amerikane në Facebook

Ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë në vendin tonë të tregojnë kujdes maksimal ndërsa situata e motit vazhdon të jetë e përkeqësuar. 

"Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë vazhdon të monitorojë përmbytjet në të gjithë vendin dhe u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, të cilat po përkeqësohen. Disa zona në të gjithë vendin janë nën urdhër evakuimi. Përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet e shiut mund të shkaktojnë mbylljen e rrugëve për shkak të përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut" thuhet në lajmërimin e Ambasadës. 

Ora 15:05
Përmbytjet masive në Shqipëri, presidenti Bajram Begaj: Ndiqni udhëzimet e strukturave për evakuim

Presidenca e Shqipërisë njofton se kreu i shtetit Bajram Begaj po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga reshjet intensive në vend.

Në njoftim thuhet se Begaj Republikës është në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve.

Kreu i Shtetit fton qytetarët të mirëkuptojnë dhe bashkëpunojnë me ta me qëllim që kjo situatë të kalojë me sa më pak pasoja. Presidenti i Republikës fton në mënyrë të veçantë banorët në zonat e përmbytura të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse për evakuim të shpejtë dhe të sigurt.

Ora 14:04
Përmbytjet, Grupi PD kërkesë qeverisë: Shpallni gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe kompensoni në vlerë të plotë financiare të gjitha dëmet ndaj banorëve të prekur

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë zyrtare qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, si dhe për të bërë vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur. Gjithashtu, grupi parlamentar i PD i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit që të marrë masat që Këshilli i Ministrave të informojë Kuvendin për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates.

Më poshtë letra e plotë të Kryetari të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, drejtuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

Prej disa ditës rajone të caktuara të vendit, kryesisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, janë duke vuajtur pasojat e rënda të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, të cilat për fat të keq kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, prona, dhe biznese të qytetarëve shqiptarë. Gjatë ditës së sotme, është raportuar gjithashtu që një qytetarë nga Durrësi ka humbur jetën për këtë shkak.

Nga vlerësimi i përgjithshëm i situatës rezulton se gjendja është e rëndë dhe se strukturat e shtetit deri në këtë moment nuk po veprojnë në të gjithë territorin e vendit, të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, me kapacitet të plotë dhe se nuk po i gjenden pranë banorëve të prekur.

Sipas nenit 4, të ligjit nr. 45/2019, “Çdo person ka të drejtën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. 2. Në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të fatkeqësive të tjera, mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve kanë prioritet mbi çdo aktivitet tjetër të mbrojtjes civile”. Po kështu, sipas nenit 41 të ligjit nr. 45/2019, shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie. Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit, dhe se masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në këtë kushte, ne deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë vlerësojmë se janë përmbushur kushtet dhe rrethanat sipas ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158, datë 17.03.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura dhe konkretisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. Është e pakuptueshme arsyet se përse Këshilli i Ministrave nuk e ka ndërmarrë ende një procedurë të tillë, duke krijuar pasiguri tek qytetarët për përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore. Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të pamundësonte dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur nga kjo situatë dhe do të ishte një akt i rëndë papërgjegjshmërie institucionale.

Për këtë arsye, në përputhje me shkronjën “b” të nenit 17 të ligjit nr. 45/2019, ku përcaktohet se “Kuvendi ushtron kontroll parlamentar për çështje që kanë lidhje me mbrojtjen civile”, si dhe shkronjës “ç” të nenit 18, nenit 39, pika 1 dhe 41 të ligjit nr. 45/2019, ku specifikohet se: “Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit”, kërkojmë:

1.      Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale, vetëm për qarqet e prekura nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, konkretisht qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.

2.      Gjendja e emergjencës dhe shpallja e fatkeqësisë natyrore të klasifikohet “për përmbytjet dhe vërshimet e ujit, që vijnë si rezultat i rritjes në nivele kritike të ujit, nga faktorë gjeologjikë, atmosferikë apo njerëzorë, në shtratin e lumenjve, në nivelin e liqeneve apo në batica bregdetare, që kanë mbuluar përkohësisht me ujë sipërfaqe toke në atë nivel që përbëjnë rrezik për njerëzit, banesat dhe infrastrukturën”.

3.      Vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur, sipas të drejtës që i njeh neni 41 i ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Masa e dëmshpërblimit të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pa vonesa dhe të mbulohet nga fondet e Buxhetit të Shtetit.

Përsa më lart, ne deputetët e opozitës kërkojmë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile dhe nga Këshilli i Ministrave, zbatimin e menjëhershëm të ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158/2021 të Këshillit të Ministrave. Mosveprimi në kohë nga ana juaj, do të ishte një papërgjegjshmëri kriminale, me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë.

Gjithashtu, në përputhje me shkronjën “d”, të nenit 18 të ligjit nr. 45/2019, kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë të marrë masat që Kuvendi i Shqipërisë të informohet menjëherë nga Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës, për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situatës.