Kryeministri Edi Rama tha në takimin me kryebashkiakët në Golem, se përmbytjet nuk erdhën vetëm nga faktorë natyrorë, por edhe nga dora e njeriut.

Sipas kreut të qeverisë, nga qytetarët ka hedhje të plastikës në rrugë, çka ka sjellë dhe bllokim të kanaleve.

Rama paralajmëroi se do të ngrihet një Task Forcë kundër mbetjeve plastike.

"Meqë është takimi i parë i vitit dhe shikohemi të gjithë sy më sy, ju uroj të gjithëve të keni një vit sa më të mbarë familjarisht dhe profesionalisht, patjetër politikisht të gjithë bashkë. Sot, jemi këtu në vijim të takimeve të organizuara për të çelur vitin, duke diskutuar për sfidat dhe patjetër për të vënë së bashku disa piketa të rrugës dhe për të përcaktuar çështjet kryesore me të cilat do të duhet të merremi bashkërisht, sepse pastaj për çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e vogël në çdo bashki, ato ju i dini vetë.

Dua ta filloj me faktin që viti nisi me një situatë tejet të vështirë atmosferike, që preku një pjesë jo të vogël të territorit, të komuniteteve dhe që na përballi me sfidën e emergjencës në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër, si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë dhe zjarre dhe kemi më shumë befasira në aspektin e atmosferës, ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit, të cilat sipas ekspertëve janë vorbulla që mund të trajtohen me gjuhën e përditshme si ngërçe në qarkullimin e flukseve të ajrit dhe krijojnë përqendrime dhe reshje shiu dhe dëbore të një intensiteti shumë, shumë të lartë, derisa pastaj përfundojnë për t’u rishfaqur diku tjetër apo një herë tjetër.

Në këto kushte, sigurisht që nuk ka shumë për të bërë në aspektin e përballimit të intensitetit të lartë të reshjeve, por patjetër që ka elementë të kësaj situate që lidhen me njeriun. Dhe pamë se si kjo situatë u ndërlikua, ndër të tjera, edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne, që si qytetar i kësaj republike apo si vizitor shqipfolës kryesisht, sepse nuk janë turistët e huaj që hedhin mbetje plastike në konsumin e tyre të përditshëm nëpër rrugë, e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet dhe hedh shishen e zbrazur të ujit apo të pijeve joalkoolike ose qesen plastike. Dhe e gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve, ku këtu hyjnë edhe mungesa e një menaxhimi, ashtu siç do të duhej të mbetjeve të konsumit familjar në territoret rurale, mblidhet dhe, falë erës si fillim dhe falë ujërave të ngritur nga këto situata reshjesh intensive, bie dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit, siç ndodhi në Shkozet, siç ndodhi në Gjirokastër, siç ndodhi në disa pika të tjera, për të mos i numëruar të gjitha, ku pavarësisht punës së bërë dhe për këtë ne kemi raportin e përditësuar të Ministrisë së Bujqësisë dhe detajet e këtij raporti lidhur me bashkëpunimin me çdo bashki, në nëntor ishin pastruar që të gjitha. Dhe përpara disa ditësh, kryetarja e Bashkisë së Durrësit më çoi një video se si po rimbushej prapë ajo pika kyçe atje në Shkozet, pasi u ripastrua edhe një herë në ato kushte bllokimi.

Tani, kur gjendemi përpara kësaj situate agresioni të plastikës, të mbetjeve plastike, që është drejtpërdrejt ndikimi i njeriut mbi këtë situatë, duhet të vetëdijësohemi dhe duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët në nivelin qendror dhe në nivelin vendor dhe për të angazhuar sa të mundemi komunitetet, nga një anë, që të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij faktori dhe, nga ana tjetër, që të krijojmë kushte për ta vënë nën kontroll këtë faktor kaq të rrezikshëm dhe kaq të dëmshëm, jo vetëm për këto situata, por edhe për shumëçka tjetër, sepse ajo që ndodh me plastikën shkon pastaj derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit; ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona, etj.

Kështu që, duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare të kujtdoqoftë ndër ne si popull që jeton në këtë vend dhe ndër ne si komb, që këtë vend e kemi destinacionin kryesor turistik. Kjo është punë shqiptare, ky është krim shqiptar. Nuk është një krim ku mund të vëmë gishtin për të gjetur bashkëfajtorë te turistët gjermanë, apo te turistët polakë, apo te turistët spanjollë, apo te turistët amerikanë, australianë apo japonezë. Dhe për këtë duhet të marrim masa të shpejta. Kjo është arsyeja pse i kam kërkuar Ministrit të Pushtetit Vendor që të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor, e përbërë nga disa përfaqësues kyç të qeverisë dhe disa përfaqësues nga ju, për të konceptuar një plan me tre faza, afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, të përbashkët, 360 gradë, që nga sensibilizimi te veprimi në shumë dimensione.", theksoi ai.


Lajmi kryesor:

Përmbytjet, Rama me kryebashkiakët në Golem: Task Forcë kundër ndotjes plastike! Flotë e dedikuar për pastrimin e kanaleve kulluese, fondi 20 mln euro