DURRËS- Duke i konsideruar mbetjet si një faktor kryesor që shkaktoi përmbytje javët e fundit në disa zona, kryeministri Rama kërkon ngritjen e një Task Force mes qeverisë dhe bashkive për të luftuar ndotjen e mjedisit, duke përfshirë dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.
"Kur gjendemi përpara kësaj situate agresioni të plastikës, të mbetjeve plastike, që është drejtpërdrejt ndikimi i njeriut mbi këtë situatë, duhet të vetëdijësohemi dhe duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët në nivelin qendror dhe në nivelin vendor dhe për të angazhuar sa të mundemi komunitetet, nga një anë, që të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij faktori dhe, nga ana tjetër, që të krijojmë kushte për ta vënë nën kontroll këtë faktor kaq të rrezikshëm dhe kaq të dëmshëm, jo vetëm për këto situata, por edhe për shumëçka tjetër, sepse ajo që ndodh me plastikën shkon pastaj derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit; ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona", tha Rama.
Në mbledhjen me kryebashkiakët në Golem, kreu i qeverisë njoftoi se do të përforcohet infrastruktura mbrojtëse, dhe nga ana tjetër, me një financim prej 20 mln eurosh nga Emiratet, do të blihet një flotë mjetesh për pastrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve kulluese.
"Me një fond të siguruar nga miqtë tanë të çmuar të Emirateve të Bashkuara prej 20 milionë eurosh në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që vendosen në shërbim të kullimit, në shërbim të pastrimit të të gjithë kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive", vijoi Rama.
Kryetarët e bashkive i kritikoi se varen nga buxheti i shtetit dhe nuk po krijojnë vetë të ardhura. Ai ju vendosi targete për paketën e maleve, nga kapja e të cilave do të varet rikandidimi i kryebashkiakëve.
"Ambicia jonë duhet të jetë 1000 investime nga kjo paketë, 1000, që po t'i ndash në territor në 60 bashki, sipas potencialeve nuk janë shumë, 1000 investime dhe i kam kërkuar ministrit që do të përcaktojë se sa investime duhet të jenë futur në proces kur secili prej jush dhe secila prej jush do të pretendojë të rikandidojë. Nuk do të ketë asnjë rikandidim të mundshëm nëse nuk do të jetë arritur targeti i këtij projekti. Dikush 10, dikush 5, dikush 7, dikush 15, sipas madhësisë, sipas potencialeve", tha Rama.
Rama ju rikthye edhe një herë sfidës së sigurisë ushqimore gjatë procesit integrues, ku askush nuk mund të shpëtojë nga standardet e BE.
Viti 2025 u mbyll me 12.4 milionë turistë të huaj, ku kanë dominuar më së shumti pushuesit nga rajoni. Ministri i Turizmit dhe Kulturës Blendi Gonxhja në takim me kryebashkiakët tha se për të mbajtur këtë bum turistik, duhen më shumë kapacitete akomoduese, punonjës më të kualifikuar dhe shërbim cilësor.
“Sipas të dhënave, numri i vizitorëve të huaj në vitin 2025 ka arritur në 12,466,038, duke reflektuar një rritje prej rreth 6.6%, ose +769,960 vizitorë të huaj më shumë se gjatë vitit 2024. Nga pikëpamja e tregjeve kryesore hyrëse, vlerësohet se Kosova, si tregu kryesor rajonal, ka kaluar në 4,662,571 vizitorë në vitin 2025, me një rritje prej +232,778 vizitorë (+5.3% krahasuar me vitin 2024), duke konfirmuar stabilitetin dhe volumin e qëndrueshëm të flukseve hyrëse.
Gjithashtu, edhe tregjet e tjera të rëndësishme kanë shënuar rritje:- Italia me +41,350 vizitorë (+3.3%)- Maqedonia e Veriut me +33,026 vizitorë (+3.7%) Mali i Zi me +19,129 vizitorë (+2.5%)- Greqia me +70,507 vizitorë (+9.6%)
Performancë shumë pozitive nga tregjet e Bashkimit Evropian edhe segmenti Trans-Atlantik ka pasur rritje pozitive. Nëse turizmi vazhdon të rritet me këto ritme, atëherë sfida jonë kryesore nuk është vetëm “të kemi më shumë vizitorë”, por të garantojmë qëndresa përvoja e tyre të jetë e denjë për pritshmëritë që po krijohen ndërkombëtarisht për vendin tone, edhe jetesa, kostot, e përditshmja e qytetarëve tanë të përmirësohet, jo të vuajë pasojat e intensitetit turistik, qerave jashtë mundësive, shtrenjtimit të banesave e mbi frekuentimit pa rregulla, stresit, shfrytëzimit, zhurmës 24 orë”, tha Gonxhja.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive të vendit, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat do të përballen bashkitë gjatë vitit, përgatitjet për sezonin turistik dhe nevoja për një betejë të përbashkët politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.
Krahas takimit, kreu i qeverisë pati dhe inspektime në disa projekte që po kryhen në qytetin bregdetar.
Fillimisht, Rama inspektoi punimet në kantierin e shëtitores “Taulantia” në Durrës me kryebashkiaken Emiriana Sako.
Projekti është programuar nga Bashkia e Durrësit dhe financuar nga Fondi Shqiptar të Zhvillimit, mbi projekt-idenë e propozuar nga studioja prestigjioze ndërkombëtare Bofill Taller de Arquitectura.
Rama u shpreh se ky investim do të krijojë një bulevard të ri dhe shumë cilësor, teksa shtoi se paralelisht duhet punuar dhe në kanalet ku pati mbetje plastike gjatë reshjeve.
“Vijnë shumë prurje të plastikës nga ujërat e fryra dhe ato krijojnë një situatë si ajo atje, që është e pamundur të përballohet nga asnjë lloj kanali. Kështu që duhet bërë paralelisht. Kur e ka afatin për t’u mbyllur, para sezonit? Kryevepër. Kjo deri në maj mbyllet. Kjo është super se krijon një bulevard të ri dhe shumë cilësor", tha Rama teksa inspektoi punimet.
Më pas, Rama, sërish me Sakon, pa punimet e përfunduara në godinën e parkimit të ri publik pranë Stacionit të Trenit.
Krahas 353 vendeve të parkimi për makinat dhe një stacioni biçikletash, janë krijuar hapësirat edhe për funksione të tjera në shërbim të komunitetit.
“Ka përfunduar puna për projektin e godinës së parkimit të ri publik pranë Stacionit të Trenit, një vepër e bukur publike, që furnizohet me energji diellore e do të funksionojë si një qendër multimodale, ku krahas 353 vendeve të parkimi për makinat dhe një stacioni biçikletash, janë krijuar hapësirat për funksione të tjera në shërbim të komunitetit, si hapësira për studentët apo sipërmarrësit e rinj në fushën e teknologjisë, si edhe aktivitete të tjera social-kulturore”, shkruan Rama.
Rama kreu inspektim edhe te shëtitorja bregdetare, ku theksoi se po ndërhyhet për të krijuar një zonë të re rekreative dhe gjelbërimi.
“Durrës – Në shëtitoren bregdetare, ku paralelisht me zgjerimin e brezit të ri ranor, po ndërhyhet për të krijuar një zonë të re rekreative dhe gjelbërimi, midis shëtitores dhe brezit të rërës, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore e sportive për qytetarët dhe pushuesit e qytetit bregdetar”, thotë Rama.
Kryeministri Edi Rama thotë se anëtarësimi i vendit në BE, kalon nëpër disa sfida komplekse dhe të rënda.
Rama, në takimin me kryebashkiakët në Golem deklaroi se BE ka një mekanizëm që u mundëson vendeve anëtare, periudha tranzitore, për t’iu nënshtruar të njëjtave rregulla.
Sipas kreut të qeverisë, vendi ka probleme të theksuara me mjedisin dhe sigurinë ushqimore dhe shtoi se bashkitë duhet të krijojnë sistem dhe grup pune të përbashkët me qeverinë.
“Angazhimi që nevojitet lidhur me negociatat e anëtarësimit dhe me Shqipërinë, anëtare të BE. Atë që kemi diskutuar në mbledhjen maratonë të qeverisë në fundt të vitit, edhe dje në mbledhjen e grupit parlamentar, dua ta prek këtu edhe me ju. Kam shqetësimin që jo të gjithë në nivelin udhëheqës, e kanë idenë e qartë se çfarë sfidash presin vendin, qyetarët dhe sipërmarrjet në këtë vend me hyrjen e vendit në BE. Disa nga sfidat janë jashtëzakonisht komplekse dhe të rënda, BE ka një mekanizëm që u mundëson vendeve anëtare, periudha tranzitore, për t’iu nënshtruar të njëjtave rregulla. Sfida më e rëndë që janë përballur edhe vendet e tjera para nesh, Kroacia ka marrë 10 vjet periudhë tranzitore, nuk ka pasur kaq probleme si ne me mjedisin. Nëse gjithçka do shkojë sipas planit të dakordësuar me komisionin, do duhen edhe dy vite për të bërë ratifikimin, në 2030 Shqipëria do ulet në tryezën e BE, do ketë edhe 10 vjet për mjedisin. Pra, 15 vjet nga sot. Duken shumë, por janë pak vite. Ne duam një fazë 5 vjeçare tranzitore për sigurinë ushqimore. Gjatë faze tranzitore do jesh në gjendje të mos eksportosh, por je i lejuar të konsumosh vetë. Pastaj, mbas fazës tranzitore, të mos jesh në gjendje të konsumosh vetë, nga ato që prodhon këtu dhe nuk janë të një standardi me BE. Do t’i nënshtrohesh atij tregu. Ne duhet të jetë të vetëdijshëm sot për këtë, që fermerët, sipërmarrjet tona në fshat të jenë të qartë, nëse nuk janë gati duhet të mbyllin qepenin. Kaq e thellë është nevoja për transformim dhe kaq e thellë duhet të jetë nevoja për informim. Nuk është nevoja të shkojmë në Spanjë, ja në Greqi. Çdo bashki ka ortakëri me privatët, në strukturat e agroturizmit, agropërpunimit. Është ortak bashkia dhe merr të ardhura. Do duhet të krijojmë sistem pune. Duhet grup pune i përbashkët për të trajtuar këto probleme. Në këtë grup të ishte ministri i Pushtetit Vendor, i Ekonomisë, i Turizmit, nga ana juaj të ishte kryetari i Bashkisë Lezhë, Maliq, Shkodër, Himarë, Durrës, Roskovec", theksoi ai.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që kryebashkiakët të japin kontributin e tyre për Samitin e Diasporës, që do të organizohet në pranverë.
Në takimin në Golem, Rama tha se bashkitë duhet t'i mbajnë të integruar dhe informuar komunitetet që jetojnë jashtë vendit.
“Do flasim pastaj edhe për një kompoment të rëndësishëm në këtë proces, diaspora. Diaspora, jo vetëm si potencial për investime, por si pjesë e pandashme e popullit, të komuniteteve tona. Do jetë shumë e rëndësishme të kemi angazhimin tuaj, qoftë për organizimin e samitit të diasporës në pranverë, ku do jetë shumë i vyer çdo rekomandim nga ana juaj, për njerëzit që ju mendonin se duhet të jenë të ftuar në këtë samit, por edhe mënyrat sesi do ta qasim dhe do ta mbajmë komunitetin e çdo bashkie jashtë vendit, pjesë gjithmonë e më të integruar të jetës së përditshme të komunitetit dhe pjesë të informuar për zhvillimet në komunitetit përkatës.“, theksoi Rama.
Kryeministri Edi Rama u ka vënë kusht kryebashkiakëve socialistë se një mundësi rikandidimi për të drejtuar sërish bashkitë në zgjedhjet vendore të 2027-ës do të varet nga targeti që do të vendosë qeveria për paketën e maleve. Rama tha se deri më fund të mandatit të tretë, duhet t’i hapet rruga 1 mijë investimeve në 61 bashki përmes paketës së maleve. Rama tha se secila bashki do të jetë një target sipas madhësisë e potencialeve, psh deri në 5, 10 apo 15 investime. Kryebashkiakët i kritikoi sërish përse ende nuk kanë përcaktuar hartat e zonave prioritare, duke u thënë se nuk po bëjnë shkencë.
“Jo të gjitha bashkitë e kanë kryer fazën e parë, është e papranueshme, cili duhet të jetë objektivi ynë. Nuk e di a e patë, por në momentin kur paketa e maleve u shpall ditën e parë kishte 700 e kusur interesime nga shqiptarë jashtë atdheut, është investim i sigurt për të tërhequr kursimet e shqiptarëve jashtë dhe shqiptarët jashtë që të kthehen. Si ka mundësi që s’ka mbaruar faza e parë. Ca është kjo shkencë e madhe për të përcaktuar hartën ku do bëhet ky zhvillim. Dikush mund të thotë kam gjithë bashkinë prioritare, hajde mirupafshim. Ca shkence bëni se nuk e kuptoj. Megjithatë i kam kërkuar drejtores së agjencisë kombëtare të planifikimit që të jetë në dispozicion të secilës bashki për hartat për çfarëdo qoftë në aspektin e asistencës teknike. Target për çdo bashki. Ambicia jonë duhet të jetë 1 mijë investime nga kjo paketë, dhe po t’i ndash në territor në 60 bashki nuk janë shumë, i kam kërkuar ministrit të përcaktojë se sa investime duhet të jenë futur në proces kur secili prej jush do të pretendojë të rikandidojë. S’do ketë rikandimin nëse s’do jetë arritur targeti i këtij projekti, dikush 10, dikush 5, sikush 7, dikush 15, sipas madhësisë e potencialeve, por 1 mijë investime nëse marrim një shifër më modesten të mundshme për secilin nga këto investime, më të ulëtën të mundshme, prej 50 mijë eurosh, po marrim që godina është aty dhe duhet vetëm një modifikim, llogariteni se çfarë i ndodhe ekonomisë me këtë injeksion në 3 vite. Sepse në vitin e fundit të mandatit duhet ë hapen dyert e 1 mijë investimeve, fokusoheni dhe mëreni shumë seriozisht”, tha Rama.
Kapacitetet lidhur me arsimin profesional duhet të rriten, sipas kryeministrit Edi Rama.
Rama, në takimin me kryebashkiakët në Golem deklaroi se duhen krijuar kushte të shkëlqyera si për arsimim, por edhe akomodim të studentëve.
Një tjetër komponent për të cilin unë dëshiroj që të kemi një qasje të re dhe një angazhim të madh të bashkive, është arsimi profesional. Ne na duhet të rrisim kapacitetet e arsimit profesional, por që të rrisim kapacitetet e arsimit profesional, e kemi diskutuar dhe ri diskutuar brenda nesh në qeveri, ne duhet të krijojmë në radhë të parë kushte të shkëlqyeshme, jo të mira. Kushte të shkëlyera. Duhet të kemi shkolla të arsimit profesional me laboratorë kuptimplotë , jo klasa si ato që gjetëm dikur në arsimin profesional ku elektriçistët e rinj, e mësonin zanatin nga një mësues që iu vizatonte poçin në dërrasën e zezë, por duhet të jenë laboratorë të cilësisë më të mirë dhe konviktet e shkollave profesionale, duhet të jenë hotele dinjitoze, me kushte shumë të mira për të gjithë nxënësit që vijnë në këtë rast, edhe nga zona të thella, nga zona rurale, nga familje të ardhura të ulëta në mënyrë që, që në momentin e parë, nga kushtet të kuptohet dhe të ndjehet rëndësia e gjësë dhe respekti shoqëror për formimin profesional.
Kemi bërë hapa përpara, por unë do ju ftoja të gjithëve që të mendoni dhe sa më parë, të na sillni propozime për nukle të formimit dhe arsimit profesional në të gjithë territorin që mund të shkojnë nga profesionet që lidhen me natyrën e ekonomisë së territorit ku ju drejtoni dhe deri tek formimi për teknologjinë. Duhet t’u japim mundësinë të gjithë fëmijëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, pavarësisht pozicionit gjeografik, që të kenë një akses në formimin profesional me teknologjinë. Kemi bërë laboratorë, do kemi të gjitha shkollat me laboratorë por ata që shkojnë një shkallë më lart, duhet të kemi kudo një klasë, duhet të kemi kudo një shkollë profesionale dhe një klasë e shkollës profesionale dhe sikur shkolla profesionale të jetë vetëm shkollë turizmi, një klasë të jetë për teknologjinë", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë kritika kryebashkiakëve, në takimin e zhvilluar në Golem.
Rama u shpreh se bashkitë duhet të kalojnë në një fazë tjetër dhe ta shohin territorin me një qasje sipërmarrëse.
Sipas kreut të qeverisë, bashkitë presin fonde nga buxheti i shtetit dhe kjo nuk mund të vazhdojë.
"Deri dje kemi dhënë shumë asete falas. Janë dhënë dhe janë lënë rrugëve në të shkuarën asete që nuk numërohen. Janë dhënë dhe janë lënë në duar të pasigurta plot prona shtetërore, të cilat nuk janë përkthyer në investime serioze dhe në të ardhura për ekonominë tonë dhe në rritje të punësimit, etj, etj. Janë dhënë një pafundësi tokash për zhvillim dhe kjo gjë ka ndaluar përfundimisht. Ne për shembull nuk i japim më asnjë metër katror tokë në rast se një ndërtues gjendet në kushtet kur ka 95 % të pronës, dhe 5 % ose 1 %, ose 0.5% s’ka rëndësi sa është, është pronë shtetërore dhe normalisht në të shkuarën menjëherë ndërtuesi paguante me çmim reference, merrte tokën. Nuk ka më, për çdo metër katror tokë, ku nuk ka pronarë dhe pronarë është shteti, ne kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronarë për të marrë mbrapsht njësoj si pronarët atë që i takon shtetit
I vetmi motiv për të dhënë tokë me një kontratë simbolike, që është kontrata 1 euro, i vetmi motiv është hoteleria. Pra, në rast se ka dikush një pronë shtet, pronë private dhe një pjesë është shtet, ose në raste se në një zhvillim të caktuar ka një resort turistik dhe aty ka një pjesë shtetërore, nuk bën vaki më që pjesa shtetërore të jepet për vila, e të jepet për pishina, e të jepet për këto historia, po vetëm për hoteleri, asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është merr pjesën që kërkon dhe paguaj, kokërr më kokërr, atë që ia paguan edhe privatit. Në këtë drejtim bashkitë mund të marrin një rol të rëndësishëm, në bashkëpunim me AIC-në mund të bëjnë projekte dhe mund të bëjnë zhvillime të jashtëzakonshme me përfitim. Përftim që shkon nga ndërtimi i aseteve publike, do të thotë zyra, që do të thotë shkolla, kopshtet, çerdhe e tjera e tjerë, deri tek përfitimi i të ardhurave të drejtpërdrejta, pa harruar dhe përfitimin për qëllim social të atyre familjeve që kanë nevojë për strehim.
Kështu që ne po bëjmë një reformë dhe do të kemi së shpejti një agjenci ku planifikimi, zhvillimi dhe strehimi do të jenë bashkë dhe kjo agjenci do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, së bashku me AIC-në dhe natyrisht nën lidershipin e Ministrisë së Ekonomisë ky proces do të jetë i hapur për të gjithë, por duhet një qasje kreative, proaktive, agresive, vullnet plotë e juaja, duhet iniciativë, duhet parë çdo pjesë e territorit me një qasje sipërmarrëse. Çfarë mund të nxjerr unë nga kjo pjesë e territorit për të ardhurat e bashkisë, me të cilat pastaj të bëjmë punë publike, të bëjmë më shumë shërbime publike. Nuk mundet dot të rrini dhe të prisni vetëm nga buxheti i shtetit dhe të prisni vetëm nga tarifat dhe nga qirat. Nuk mundet dot. Duhet të kaloni në një fazë tjetër, sidomos disa bashki që i kanë të gjitha mundësitë, kërkesat potencialet, por edhe bashkitë më të vogla mund dhe duhet ta bëjnë këtë gjë.", theksoi ai.
Kryeministri Edi Rama në takimin me kryebashkiakët lajmëroi ngritjen e një flote të dedikuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e infrastrukturës kulluese, ndërsa po komentonte situatën me përmbytjen. Rama tha se kjo flotë do të realizohet përmes një fondi prej 20 mln eurosh që vendit tonë i është vënë në dispozicion nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Rama tha se kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën.
“Një tjetër element që ndikon është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse, kanale, hidrovore. Është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon se ka pika ku rezistenca është më e dobët. Për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendos dhe institucioneve qendrore. Një nga gjërat që e ka propozuar ministri Demo dhe që ka gjet mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të Emirateve Arabe prej 20 mln euro në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive. Kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën dhe në ditët e punës normale do jetë flotë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar dhe mirëmbajtur, sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha në takimin me kryebashkiakët në Golem, se përmbytjet nuk erdhën vetëm nga faktorë natyrorë, por edhe nga dora e njeriut.
Sipas kreut të qeverisë, nga qytetarët ka hedhje të plastikës në rrugë, çka ka sjellë dhe bllokim të kanaleve.
Rama paralajmëroi se do të ngrihet një Task Forcë kundër mbetjeve plastike.
"Meqë është takimi i parë i vitit dhe shikohemi të gjithë sy më sy, ju uroj të gjithëve të keni një vit sa më të mbarë familjarisht dhe profesionalisht, patjetër politikisht të gjithë bashkë. Sot, jemi këtu në vijim të takimeve të organizuara për të çelur vitin, duke diskutuar për sfidat dhe patjetër për të vënë së bashku disa piketa të rrugës dhe për të përcaktuar çështjet kryesore me të cilat do të duhet të merremi bashkërisht, sepse pastaj për çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e vogël në çdo bashki, ato ju i dini vetë.
Dua ta filloj me faktin që viti nisi me një situatë tejet të vështirë atmosferike, që preku një pjesë jo të vogël të territorit, të komuniteteve dhe që na përballi me sfidën e emergjencës në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër, si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë dhe zjarre dhe kemi më shumë befasira në aspektin e atmosferës, ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit, të cilat sipas ekspertëve janë vorbulla që mund të trajtohen me gjuhën e përditshme si ngërçe në qarkullimin e flukseve të ajrit dhe krijojnë përqendrime dhe reshje shiu dhe dëbore të një intensiteti shumë, shumë të lartë, derisa pastaj përfundojnë për t’u rishfaqur diku tjetër apo një herë tjetër.
Në këto kushte, sigurisht që nuk ka shumë për të bërë në aspektin e përballimit të intensitetit të lartë të reshjeve, por patjetër që ka elementë të kësaj situate që lidhen me njeriun. Dhe pamë se si kjo situatë u ndërlikua, ndër të tjera, edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne, që si qytetar i kësaj republike apo si vizitor shqipfolës kryesisht, sepse nuk janë turistët e huaj që hedhin mbetje plastike në konsumin e tyre të përditshëm nëpër rrugë, e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet dhe hedh shishen e zbrazur të ujit apo të pijeve joalkoolike ose qesen plastike. Dhe e gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve, ku këtu hyjnë edhe mungesa e një menaxhimi, ashtu siç do të duhej të mbetjeve të konsumit familjar në territoret rurale, mblidhet dhe, falë erës si fillim dhe falë ujërave të ngritur nga këto situata reshjesh intensive, bie dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit, siç ndodhi në Shkozet, siç ndodhi në Gjirokastër, siç ndodhi në disa pika të tjera, për të mos i numëruar të gjitha, ku pavarësisht punës së bërë dhe për këtë ne kemi raportin e përditësuar të Ministrisë së Bujqësisë dhe detajet e këtij raporti lidhur me bashkëpunimin me çdo bashki, në nëntor ishin pastruar që të gjitha. Dhe përpara disa ditësh, kryetarja e Bashkisë së Durrësit më çoi një video se si po rimbushej prapë ajo pika kyçe atje në Shkozet, pasi u ripastrua edhe një herë në ato kushte bllokimi.
Tani, kur gjendemi përpara kësaj situate agresioni të plastikës, të mbetjeve plastike, që është drejtpërdrejt ndikimi i njeriut mbi këtë situatë, duhet të vetëdijësohemi dhe duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët në nivelin qendror dhe në nivelin vendor dhe për të angazhuar sa të mundemi komunitetet, nga një anë, që të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij faktori dhe, nga ana tjetër, që të krijojmë kushte për ta vënë nën kontroll këtë faktor kaq të rrezikshëm dhe kaq të dëmshëm, jo vetëm për këto situata, por edhe për shumëçka tjetër, sepse ajo që ndodh me plastikën shkon pastaj derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit; ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona, etj.
Kështu që, duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare të kujtdoqoftë ndër ne si popull që jeton në këtë vend dhe ndër ne si komb, që këtë vend e kemi destinacionin kryesor turistik. Kjo është punë shqiptare, ky është krim shqiptar. Nuk është një krim ku mund të vëmë gishtin për të gjetur bashkëfajtorë te turistët gjermanë, apo te turistët polakë, apo te turistët spanjollë, apo te turistët amerikanë, australianë apo japonezë. Dhe për këtë duhet të marrim masa të shpejta. Kjo është arsyeja pse i kam kërkuar Ministrit të Pushtetit Vendor që të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor, e përbërë nga disa përfaqësues kyç të qeverisë dhe disa përfaqësues nga ju, për të konceptuar një plan me tre faza, afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, të përbashkët, 360 gradë, që nga sensibilizimi te veprimi në shumë dimensione.", theksoi ai.
Komente












shishet tona plastike kane dale ne kroaci vite me pare....
PërgjigjuPrishi shtesat e gardhet apo muret e shtëpive të auto-ndërtuara pa leje...në të gjithë Territorin e Republikës...!..duhet një plan urbanistik kombëtar!
PërgjigjuRama:/Dua 1000 investime ne 61 bashki/ = Mao Ce Dung: /Le te lulezojne 100 lule,le te hapen 100 shkolla mendimi/!
PërgjigjuJa ku gjeten dhe kete 20 milion vidheni dhe kete mos u ngopshi
Përgjigju