Përmbytja që preku zonën e Kurbinit dhe Milotit shkatërroi shumë nga banesat dhe bizneset familjare të këtyre zonave.
 
Report TV ishte në dy nga familjet, banesat e të cilave u pushtuan nga uji. Edhe pse ka 4 ditë që kur ndodhi përmbytja, dy nga familjet ku ishim me kameran tonë vazhdojnë të kenë sërish prezencë uji në banesë.
 
Familja Lleshi prej tetë anëtarësh vazhdon të jetë e përmbytur. Kryefamiljari Gjok Lleshi, thotë se askush nuk është interesuar për gjendjen e familjes së tij edhe pse banesa vazhdon të jetë e përmbytur me rreth 50 centimetra ujë brenda.
 
Gjok Lleshi thotë se që atë natë kur banesa e tyre është përmbytur, familjarët e tij janë shpërndarë për të qëndruar tek komshinjtë.
 
"Cdo gjë ka marrë fund, jemi as në qiell dhe as në tokë" tha ai.
 
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe familja Tafa. Në banesë vijon të ketë prezencë uji dhe orienditë janë shkatërruar të gjitha. Kryefamiljari Alban Tafa thotë se është i pafuqishëm ekonomikisht për ta rikthyer ashtu siç ishte banesën e tij. Një thes miell që ka marrë deri tani, për familjen e tij nuk është asgjë.
 
"Nuk kemi ku të jetojmë, na kanë dhënë vetëm një thes me miell, cfarë të bëj unë. Niveli i ujit ka qenë 1.80 cm".
 
Të përmbyturit i bëjnë thirrje biznesit dhe qeverise që t’i ndihmojnë.
 



dy.b/shqiptarja.com