Problematike mbetet situata në fshatrat Darëzezë, ku është shembur ura që lidh këtë fshat me Fierin, Ferras dhe Fitore ku dhjetëra banesa ndodhen nën ujë. Mëngjesin e kësaj të diele, në fshatin Povelç është evakuuar një familje për shkak se banesa e tyre ishte përmbytur. Ndërsa në Darëzezë, shembja e urës ka sjellë izolimin e 2 mijë banorëve të këtij fshati.
Emergjencat Civile bënë të ditur se janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1,552 qytetarë. Gjenden të përmbytura 10,217 ha tokë, kryesisht në Fier dhe Vlorë, si dhe 5,781 ha me prani uji. Banesa të përshkuara nga uji dhe të përmbytura janë 3,337 në mbarë vendin, por sërish Fieri dhe Vlora janë zonat të cilat janë prekur në masë nga reshjet intenvisve dhe përmbytjet masive.
Rrugët janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve dytësore e rurale, ku po vijon puna për normalizimin e trafikut. Gjithsesi, përmbytjet kanë shkaktuar dëme permanente në infrastrukturë, si prishjen apo dëmtimin e 28 urave dhe shumë pjesë aksesh rrugore. Drejtoria e përgjithshme e Emergjencave Civile njoftoi se nuk ka më kalime uji mbi argjinaturën e Vjosës, ndërsa vijon puna për rehabilitimin e zonave të prekura. Ekipet operacionale ndodhen në dispozicion të shtabeve të emergjencës, sipas kërkesave të fshatrave me probleme. Në Novoselë kanë mbërritur edhe forca të FSK-së nga Kosova në ndihmë të popullatës vendase.
Shembet ura, izolohet fshati Darëzezë
Rreth 2 mijë banorë të fshatit Darëzezë kanë mbetur të izoluar mëngjesin e sotëm pas shembjes së urës që i lidhte ata me qytetin e Fierit. Fshati Darëzezë, sikurse mund ta shihni edhe në foton e mëposhtëme, është i rrethuar nga lumi dhe deti dhe kjo ishte e vetmja rrugë për të shkuar në Fier. Ndërsa në këtë urë ka mbi 30 vite që nuk ndërhyhet. Prefekti i Fierit, Balki Bala tha për Report Tv se po punohet për riparimin sa më shpejt të urës, ndërsa shtoi se situata në përgjithësi në qytetin e Fierit po qetësohet dhe se do ti shkohet në ndihmë çdo banori.
“Situata në përgjithësi është duke u përmirësuar. Po merren masat në koordinim edhe me pushtetin vendorë. Do i vijmë në ndihmë çdo individi. Ka mjaft trupa të vendosur që nuk do të lejojnë të vendoset asnjë person në pozitë të vështirë. Do marrim masat që kjo urë të rregullohet sa më shpejt”, tha Bala.
Ndërsa Ministria e Mbrojtje u shpreh se batalioni xhenio i Forcave të Armatosura do të nisë ndërtimin e një ure provizore për t'u ardhur në ndihmë 2 mijë banorëve të izoluar. Deri në ndërtimin e urës provizore, banorët do transportohen me barkat e FA në të dy anët e fshatit.
[gallery]25015[/gallery]
(Ura e shembur në Darëzezë)
(Harta e fshatit Darëzezë)
Vlorë, Novoselë e Fitore, Vjosa lë pas një katastrofë të vërtetë
Zemërimi i Vjosës që mori gjithçka përpara në dy anët e shtratit të lumit duket se ka rënë, por pasojat janë të rënda, për banorët, shtëpitë e tyre, rrugët, tokat bujqësore, gjënë e gjallë e gjithçka tjetër. Në fshatin Fitore banorët po përpiqen të largojnë baltën e cila ka ndotur gjithçka ndërsa uji i cili ka arritur gati dy metra, ka shkatërruar gjithçka brenda banesave, mobiliet, pajisjet elektroshtëpiake, rrobat, ndërsa lagështia ka lënë gjurmë të pakthyeshme në mure.
Banorët janë shpërndarë nëpër të afër, ndërsa thuajse çdo familje ka lënë një njeri në banesë për të ruajtur ato pak gjëra që mund të shpëtohen. “Me dhoma gjumi me kuzhina me mobilie, të gjitha u përmbytën, niveli i ujit arriti 1 metër brenda shtëpisë. Kërkojmë mbështetje nga shteti, ndonjë kredi të butë për të bërë katin e dytë pasi zgjidhje tjetër nuk ka, ky muhabet është çdo vit. I kemi marrë shpërblimet por nuk arrijmë të rregullojmë shtëpitë, çdo tre vjet që përmbyten”, shprehen banorët e fshatit Fitore në Vlorë.
[gallery]25018[/gallery]
Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com