Zëvendës ministri i Bujqësisë, Fatmir Guri thotë se ka nisur evidentimi i dëmeve, lidhur me zonat e përmbytura në vend.
Në një intervistë për emisionin "Sot Live në Shqipëri" në Report Tv, Guri u shpreh se ekspertët ndodhen në terren, teksa shtoi se ndër më të prekurat, janë Shkodra, Lezha, Kurbini, Durrësi, Berati, Vlora dhe Fieri.
“Evidentimi ka nisur që në ditët e para kur u shfaqën këto problematika. Ekspertët që ka në terren Ministria e Bujqësisë, kanë qenë në dispozicion të bashkive dhe autoriteteve lokale, për të kryer së bashku procesin e evidentimit të problematikave dhë dëmeve, si pasojë e reshjeve që ranë ditët e fundit në vendin tonë. Sigurisht që ne jemi në fillim të procesit dhe akoma nuk mund të japim të dhëna të cilat kanë të bëjnë me situatën finale. Ne dimë që nga informacionet që kemi, nga njerëzit në terren, zonat që kanë qenë më të prekura, kanë qenë zonat e Shkodrës, Lezhës, Kurbinit, Durrësit, Beratit, Vlorës, Fierit. Pra, kryesisht në zonat që kemi pasur edhe dalje të lumenjve përtej argjinaturave, për shak të nivelit të lartë të reshjeve", theksoi ai.
Sipas zv.ministrit, pati një situatë anormale nga reshjet.
"Duhet të jeni të ndërgjegjshëm që niveli i shirave që ranë për një kohë të shkurtër, gruponin nivelin disa mujor të reshjeve që në vite normale bien në këto zona. Edhe funksioni i sistemit të kullimit, që ka qenë në funksionim në këto zona, nuk ka kryer plotësisht eleminimin e efekteve që vijnë nga kjo situatë anormale atmosferike.", tha Guri.
Guri nënvizoi se gjysma e buxhetit që ministria ka në dispozicion, i dedikohet pjesës së kullimit.
Ruajtja e kanaleve kryesore dhe argjinaturave, është detyrë që ministria e mbështet me fonde të konsiderueshme. Gjysmën e buxhetit që kemi në dispozicion ia dedikojmë për pjesën e ujit dhe të kullimit. Pjesa e ruajtjes e sistemit të kullimit është detyrim i vazhdueshën. Edhe pastrimi i kanaleve kryhet në mënyrë të vazhdueshme. Punonjësit tanë janë në terren.", u shpreh zv.ministri i Bujqësisë.
Ndër të tjera, Guri tha se do të ketë investime në vitin 2026.
"Investimet ruajnë dhe bëhen në bazë të një kapacitet të reshjeve. Në kushtet kur këto kapacitete tejkalohen disa herë, në një periudhë 3 ditore, kemi pasur 50% të reshjeve të të gjithë janarit, situata nuk është e lidhur vetëm me sistemin e kullimit por edhe me situate anormale, nga reshjet anormale. Është herët akoma të diskutojmë për nivelin e dëmeve. Procesi ka filluar që ne të analizojmë nivelin e dëmeve. Kur ky proces të jetë përfunduar, do shohim sa është masa dhe vlera e këtij procesi.
Ne do të konsiderojmë prioritare, siç kemi konsideruar edhe më përpara, investimet në ujitje dhe kullim, si investime prioritare. Akoma më shumë, elementët që u evidentuan si sfidues, do jenë elementët prioritarë që do mbështeten me investime në vitin 2026.", përfundoi Guri.
Komente










