Ekonomia e vendit po shkon drejt përmirësimit, pasi të ardhurat në 4 muajit e parë të këtij viti kanë pësuar një rritje të ndjeshme.
“Treguesit fiskalë të 4 mujorit të parë të vitit 2021 tregojnë se ekonomia shqiptare po performon pozitivisht. Vijojmë të jemi të angazhuar në realizimin e planit të ardhurave dhe shpenzimeve”, shkruan ministrja e Financave Anila Denaj, teksa komenton treguesit fiskal.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga janari-prill janë mbledhur 152.2 miliardë lekë me një rritje prej më shumë se 19 miliardë lekësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur u mblodhën 133.2 miliardë lekë. Me këtë rritje realizimi i planit është me 103% duke kapërcyer edhe parashikimet e ministrisë së financave.
Këto të dhëna janë optimiste për situatën në të cilën ndodhemi pasi janë më të larta se para krizës së shkaktuar nga pandemia dhe më të larta se në vitin 2019. Konkretisht në janar-prill 2019 u mblodhën në total 149,2 miliardë lekë. Bazuar në treguesit fiskal në këtë katërmujor është përmirësuar konsumi si dhe është rikuperuar tregu i punës pasi janë rritur të ardhurat nga TVSH dhe nga tatimi mbi pagën.
Konkretisht nga TVSH-ja janë mbledhur rreth 43 miliardë lekë nga 39,229 miliardë në 2020, ndërsa nga tatimi mbi të ardhurat personale janë arkëtuar 12,905 miliardë lekë nga rreth 11 miliardë në vitin e kaluar. Nga ana tjetër shpenzimet në këto katër muaj arritën në 166.9 miliardë lekë, ose rreth 18.1 miliard lekë më shumë, se në vitin që shkoi. Vetëm për procesin e rindërtimit në këtë periudhë të parë të vitit janë shpenzuar 6,882 miliardë lekë nga 28 miliardë lekë që është totali i buxhetit të vënë në dispozicion për këtë proces.
Te fala Gazhelit.
Përgjigju