Përpjekja e politikanëve të Kosovës, për të përçarë më shumë Perëndimin, se sa Serbinë

Përpjekja e politikanëve të Kosovës, për të përçarë më shumë Perëndimin, se sa Serbinë

E vetmja shpresë ku Sllobodan Milosheviçi kishte mbështetur strategjinë e tij për Kosovën në vitin 1999, deri në Rambuje, ishte përçarja e Perëndimit. I bindur se SHBA dhe BE do të ndaheshin për ndonjë gjë në planin e përbashkët për Kosovën, ai i qëndroi deri në fund projektit të tij.

Por mrekullia ndodhi. SHBA, Britania e Madhe dhe gjithë vendet e Bashkimit Evropian, i qëndruan një plani, një ideje , një kërkese, një standarti, dhe Serbia e Milosheviçit nuk gjeti dot asnjë të çarë për të depërtuar. Pati disa ministra të Jashtëm europianë që u lëkundën dhe ishin gati të krijonin një dualizëm, por nuk funksionoi. Ishte e pabesueshme se si e majta dhe e djathta europiane, që nuk merren vesh thuajse për asgjë, u morën vesh të ishin bashkë për Kosovën. Ish- komunistë internacionalistë si Joshka Fisher apo D’Alema, por dhe konservatorë si Shiraku, nuk u thyen. Dhe ky ishte fundi i Milosheviçit.

Në procesin e ri të negocimit të një marrëveshje Serbi- Kosovë, për të mbyllur këtë kapitull që kulmoi me lirinë e Kosovës më 1999, ky faktor është në favor të Serbisë. Politikanët e Kosovës, në pamundësi për të bërë politikën e tyre dhe për të qenë realistë në ndjekjen e këshillave të Perëndimit, janë angazhuar më shumë se çdo serb tjetër, për të krijuar dy politika të Perëndimit në Kosovë, atë të SHBA, dhe atë të Bashkimit Europian.

Në të vërtetë, kjo më shumë se sa ndarje reale, është një ndarje e shpikur nga Kosova për interesa të vogla meskine dhe për t’u dukur të justifikuar nga ko “ndarje” për gabimet e tyre të rënda.

Albin Kurti sot është në krye të atyre që po ngulmon se politika e SHBA është e gabuar dhe se kjo e BE është e pranueshme. Edhe sot i fryu këtij zjarri, duke keqpërdorur deklaratën përshëndetëse të BE për heqjen e taksave dhe mos përmendjen e masave patetike të reciprocitetit, që në finale, vetëm sa  e lënë procesin në vend numëro.

Brukseli sot është më i alarmuar se kushdo tjetër, pasi ka parë në tavolinë talljen e Albin Kurtit me heqjen e taksës dhe gjoja vendosjen e reciprocitetit, duke e rikthyer problemin në pikën zero.

E vërteta është se vemendja europiane ndaj Kosovës tani nuk është në një gjatësi vale me SHBA, por nuk është askund e shkëputr nga ajo. Nuk ka asnjë fakt që të na bëjë të mendojmë se Bashkimi Europian ka një plan ndryshe nga SHBA për bisedimet Serbi- Kosovë. Thjeshtë SHBA është më energjike, më e angazhuar dhe konkrete në veprim.

Pak i ka fryrë këtij zjarri dhe qëndrimi mosbesues i disa liderve të tjerë të Kosovës ndaj të dërguarit të BE për Kosovën, sllovakut Lajçak, sidomos deklaratat e presidentit Thaçi. Është e vërtet se Lajçak vjen nga një vend që nuk e njeh Kosovën, por diplomacia nuk bëhet me biografi, si në komunizëm. Ai përfaqëson në atë rol Bashkimin Europian, dhe Kosova nuk pret t’ia zgjidhë çështjen e saj Sllovakia, por Bashkimi Europian.

Pakënaqësia ndaj profilit të tij, po ashtu forcon idenë se disa liderë të Kosovës janë kundër BE, e disa si Kurti, kundër SHBA. Kjo në fakt është pikërisht ajo që ëndërron Serbia, që Perëndimi të mos jetë unik dhe me një zë për Kosovën, siç ishte më 1999.

Për fat të keq të Serbisë, Perëndimi është unik për Kosovën dhe ka një qëndrim. Si BE, ashtu dhe SHBA, duan fillimin e bisedimeve pa kushte Serbi- Kosovë dhe përfundimin e njohjes reciproke mes dy vendeve, që do të garantojë perspektivën perëndimore të Kosovës dhe Serbisë.

Këto përpjekjet për të shpikur dy qëndrime të Perëndimit në Kosovë, janë produkt i tinzarive politike të Prishtinës, të atyre që mendojnë se po bëjnë heroizëm duke i shpallur luftë SHBA nga një anë dhe të tjerëve që mendojnë se edhe BE, duhet të caktojë një si ambasadori Grenell për bisedime.

Dhe pastaj përfundojmë tek kjo dita zero e heqjes së taksës nga Kurti, që nuk paraqitet si ditë e heqjes së taksës, por si “ditë e vendosjes së masave të  reciprocitetit”. Në fakt, ai pat premtuar se nuk do të ketë një ditë, kur taksa të jetë hequr dhe reciprociteti, të mos jetë arritur.

Ajo ditë që Kurti premtoi se nuk do të vijë kurrë, është sot. Por ndoshta e ka zgjedhur me vetëdije 1 prillin, që mos t’ia marrim për të madhe.

Dhe e gjitha kjo është një fyerje e inteligjencës, që mund ta pranojnë vetëm militantët trushpëlarë të VV. Por akoma më keq, kjo është një fyerje për ata perëndimorë, që realisht presin që liderët e Kosovës të jenë seriozë, së paku në raportet me Perëndimin, dhe jo të harxhojnë më shumë energji për të përçarë Perëndimin, se sa Serbinë./ tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja