ELBASAN- Gjykata ka lënë në burg, Astrit Dimon, 65-vjeçarin i cili më 23 janari përplasi për vdekje në mes të rrugës Fiori Sulën në Elbasan.

Pas përplasjes fatale, Dimo u largua nga vendngjarja drejt Qafë-Thanës, ku edhe u lokalizua nga policia 4 ditë më pas.

Pas kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, banorët e kanë cilësuar si shumë problematike rrugën pranë Unazës në Elbasan pasi është burim aksidentesh, kjo për shkak të shpejtësisë jashtë normave të lejuara që ecin shoferët e mjeteve.

Për dy orë banorët e zonës bllokuan rrugën dhe protestuan, ndërsa u shprehën se makinat ecin me shumë shpejtësi duke e kthyer kështu aksin në një burim aksidentesh ndonjëherë edhe fatale. Pas protestës, policia ka kryer kontrolle nëpër banesa për të bërë identifikimin e personave që bllokuan rrugën. Në përfundim të identifikimit dhe lokalizimit pritet shoqërimi i tyre. Mungesa e mbikalimeve e nënkalimeve në Unazën e Elbasanit shpesh është bërë shkak për aksidente të shumta të këmbësoreve të cilët janë të detyruar të kalojnë përmes rrugës nacionale për të shkuar të shtëpitë e tyre. Në disa segmente të Unazës së Elbasanit mungon dhe ndriçimi.