Pa rroga mësohet se kanë mbetur të punësuarit si këshilltarë në MAS.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar ministrja teknike e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina, e cila është shprehur se shkak për bllokimin e pagave është bërë burokracia e administratës.
Ajo sqaron se veprimtaria e MAS është e bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, detyrë kjo që ushtrohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Plarent Ndreca, i pezulluar nga Karabina.
"Në detyrën e Titullarit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dëshiroj të bëj publike një çështje të rëndësishme siç është kryerja e pagave të punonjësve të administratës shtetërore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Në mënyrë të qëllimshme, institucioni është i bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017.
Pavarësisht informimit të të gjithë instancave të larta shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për zhbllokimin e situatës, kjo problematikë absurde po vijon të mbetet e njëjtë.
Burokracia e administratës dhe manifestimet e ngjyrimeve politike nuk duhet të prekë pagat e punonjësve të administratës shtetërore.
Bëj një apel institucional për angazhimin e të gjithë aktorëve të ngarkuar nga ligji, për të dhënë zgjidhjen e menjëhershme të problemit të krijuar artificialisht", thuhet në reagimin e Karabinës.
Edhe pse nuk jep arsyet konkrete të bllokimit të pagave për punonjësit e MAS, ministrja teknike kërkon zgjidhjen e kësaj situate.
"Si Ministër i Arsimit dhe Sportit distancohem nga apatia e krijuar mes Departamentit të Administratës Publike dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave që nuk sjell zgjidhje.
Garantoj zbatueshmërinë e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave kushtuese të institucionit që unë drejtoj".
Ndreca: Kalimin e rrogave e firmosa dje, Karabina po godet MAS-in
Deklarata e ministres së Arsimit përgenjështrohet nga Sekretari i Përgjithshëm i MAS, Plarent Ndreca.
Ai sqaron se ka firmosur një ditë më parë, në cilësinë e nëpunësit autorizues të MAS, kalimin e pagave për punonjësit, ndërsa pretendimet e Karabinës i cilëson absurde dhe të pabaza.
"Është e paimagjinueshme që drejtuesja e institucionit godet në mënyrë absurde institucionin e saj, duke dalë në konkluzione krejtësisht të pabazuara dhe që i përkasin një realiteti që nuk ekziston në Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit.
Pagat e të gjithë sistemit arsimor janë firmosur rregullisht nga drejtoritë arsimore rajonale dhe kaluar nga sistemi i thesarit të Ministrisë së Financave.
Njëkohësisht nga unë si nëpunës autorizues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit janë firmosur që dje urdhër pagesat për pagat e aparatit të MAS.
Pavarësisht pengesave, goditjeve të paligjshme dhe të padrejta që po i bëhen administratës publike në MAS, ajo është në detyrë dhe në mbrojtje të ligjit dhe interesave të qytetarëve shqiptarë", ka thënë Ndreca.
Përplasjes Karabina-Ndreca nisën menjëherë pas marrjes mbërritjes në MAS të ministres teknike të PD.
Karabina pezulloi nga detyra numrin dy të ministrisë, por Departamenti i Administatës publike rrëzoi vendimin e saj, duke e rikthyer në detyrë Ndrecën. Ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të MAS, Karabina ka dorëzuar edhe një kallëzim penal për shkelje ligjore.
Dështimi i ministres 'teknike' në MAS, Mirela Karabina
Pas afro 38 ditësh në detyrë, pasi ka mbaruar dhe proçesi zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017, qëndrimi i ministres teknike në krye të MAS bëhet akoma dhe më absurd.
Znj. Karabina u vendos në krye të MAS e propozuar nga Partia Demokratike si një nga emrat elitar të ‘’çadrës së bulevardit’’.
Ministrja në fjalë, sipas objektivave të parashikuara nga VKM 473, do duhej të monitoronte veprimtarinë, sjelljen apo përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore të MAS gjatë proçesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017.
Në fakt ministrja, jo vetëm nuk monitoroi në mënyrë korrekte sipas përcaktimeve të VKM 473, por në të vërtetë denigroi administratën duke shkelur rëndë të drejtat e garantuara me ligj, duke ushtruar dhunë verbale dhe psikologjike ndaj stafit te saj.
Ministrja i bazoi veprimet e saj në informacione partiake dhe plotësisht të pakonfirmuara nga një proces i regullt hetimor administrativ, siç parashikohet ne Kodin e Proçedurave Administrative.
Teza politike e PD se stafi I MAS dhe mësuesit përfshihen në fushatë rezultoi një flluskë sapuni.
Ministrja teknike denoncoi sipas burimeve të “qytetarit digjital” të Sali Berishës 3 drejtues shkollash në qytete të vogla dhe 2-3 raste mësuesish në zona të thella të Shqipërisë. Ndërkohë numri i punonjësve arsimorë në sistemin parauniversitar është 30.277.
Nga 760 punonjës së Admistratës së MAS, institucione të varësisë dhe DAR/ZA, ministrja teknike denoncoi në media 10 drejtues të DAR dhe ZA për përfshirje në fushatën elektorale në favor të subjekteve të caktuara politike.
Në kundërshtim flagrant me ligjin nr 152/2013 “Për statusin e nënpunësit civil” i ndryshuar ministrja nxorri urdhëra absurd dhe te pazbatueshem për Sekretarin e Përgjithshëm , drejtorin e pergjithshem te shërbimeve mbështetëse, drejtoreshën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit së MAS.
Asnje prej ketyre nenpunesve te larte nuk ka levizur asnje dite nga detyra, si pasojë e mungesës së ligjshmerise dhe mosrespektimit të procedurave administrative nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit. Institucione si Departamenti i Administratës Publike dhe Komisioneri për Shërbimin civil kanë shndërruar në akte të pavlefshme çdo urdhër të nxjerrë nga Ministrja Karabina për nenpunesit civil te adminitratës së MAS.
Turpi i këtyre akteve të pavlefshme do t'i mbetet znj. Karabina, të cilës, pavarësisht temperaturave të larta në Tiranë, i mbeti baruti i lagur./lexo.al
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com