Report Tv ka zbardhur dëshminë e efektivit të policisë Lisien Myrtaj, i cili u arrestua pas përplasjes me armë zjarri me djalin e kryeplakut të Kaninës, Juxhin (Aliaj) Todi. Ishte ky i fundit që e thirri të fliste me të dhe kur u afrua, e shau dhe nxori armën për ta qëlluar, tregoi efektivi. Në dëshmi, shpjegon se diçka nuk shkoi siç duhet pasi Juxhinit iu bllokua arma kur u shkrep ndërsa Myrtaj iu kundërpërgjigj menjëherë duke e qëlluar në pjesën e poshtme.

“Isha poshtë pallatit kur mu afrua Juxhini me makinë tip ML. Me përplasje verbale, i kemi mbyllur muhabetet që kemi pasur. Më tha, hajde pak tek makina dhe më nxori armën, makina ishte parkuar në një cep pallati për t’iu fshehur kamerave. Kur u afrova, më nxori pistoletën që e mbushi dhe filloi duke më sharë.

Në momentin që pistoleta u shkrep, u bllokua apo shkrehu nuk kuptova mirë dhe nxora armën për vetëmbrojtje duke qëlluar nga pjesa e poshtme brenda rregullave si uniformë policie.

Pasi u largua me vrap, Juxhini, i cili po tentonte të qëllonte dhe unë qëllova disa herë. Nuk u largova nga vendi i ngjarjes, prita patrullat e policisë që të merrnin dëshminë duke ua shpjeguar ngjarjen dhe nga ikën”, tha Myrtaj.

Si ndodhi ngjarja

Pasditen e djeshme në qytetin e Vlorës në lagjen ’10 Korriku’, Juxhino Todi, (me mbiemër të ndërruar) djali i kryeplakut të Kaninës, Astrit Aliajt i ka shpëtuar plumbave gjatë një konflikti me armë, pas sherrit për një vajzë me Lisien Myrtajn, me detyrë efektiv policie pranë repartit ‘Delta’.

Makina në pronësi të kryeplakut Astrit Aliaj, përdoret nga djali i tij. Lisien Myrtaj, ndoqi me vrap 24-vjeçarin Juxhin Todi, dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të makinë tip ‘ML’. 24 vjeçari ka mundur t’u shmanget plumbave dhe ka ikur me vrap.

Policia thotë se ka gjetur 7 gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat thuhet se janë qitur nga arma e zjarrit pistoletë, e efektivit. Vijojnë kërkimet për Juxhin Todin, ndërsa Myrtaj akuzohet për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.