Përplasja me armë në një nga lokalet e zonës së ish-bllokut në Tiranë, ku mbeti i plagosur Gazmir Bushaj, bodigardi i F. H dhe Rois Babasi, djali i ish-deputetit të PD, Ndriçim Babasi, ka sjellë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të personit, që ka qëlluar me pistoletë. Për policinë dhe prokurorinë e Tiranës nuk ka asnjë dyshim se personi, që ka hapur zjarr me një pistoletë tip “Bereta” duke qëlluar me një plumb të vetëm në këmbë, Gazmir Bushaj, është Even Babasi, djali tjetër i ish-deputetit të PD.

Ndaj Even Babasit, prokuroria e Tiranës ka ngritur dyshimet për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve” dhe “Plagosjes së rëndë me dashje”. Ndërkohë nga dita kur ka ndodhur ngjarja e deri tani, Even Babasi, nuk është mundur të lokalizohet dhe arrestohet nga policia. Duke ju referuar pamjeve filmike të sekuestruara nga kamerat e lokalit ku ndodhi sheri, rezulton se Even Babasi rreth orës 00:30 të datës 16 korrik 2020, qëlloi me armë zjari në drejtim të bodigardit të djalit të biznesmenit të njohuir F. H, Gazmir Bushaj, duke e lënë të plagosur në këmbë.

Goditja me armë ka ardhur menjëherë sapo Bushaj, ka bërë përpjekjen e dytë për të goditur me thikë, vëllain e Evenit, Rois Babasin, i cili momentalisht ndodhet i shtruar në një spital privat jashtë rrezikut për jetën, pasi ka një plagë në krahë të shkaktuar nga përdorimi i thikës prej ish-policit Gazmir Bushaj. Për Roisin, dy ditë më parë gjykata e Tiranës, caktoi masën e “arrestit në burg” për një periudhë 10 ditore nga 40 ditë që kërkoi prokurori i çështjes, Leonard Filopati.

Ndërkohë i proceduar për “Plagosje të lehtë me dashje” në dëm të Rois Babasit, është ish-polici dhe tashmë bodigardi Gazmir Bushaj. Sipas raportit të prokurorisë në këtë përplasje të ndodhur në ish-bllok, janë përfshirë djemtë e oligarkëve, si djali i I. H., F. H. dhe bodigardi i tij, Gazmir Bushaj, dy djemtë e deputetit të PS T. D, J. dhe M. D., djemtë e ish-deputetit të PD, Ndriçim Babasit, Even dhe Rois Babasi, si dhe Ervis Bajraktari dhe Ritvan Toskaj.

Duke ju referuar pamjeve filmike që “Shqiptarja.com” ka mundur ti shikojë, dallohet qartë se mes personave të mësipërt që përrbëhen nga dy grupe të rinj, ka ndodhur fillimisht një konflikt fizik me njëri-tjetrin dhe më pas protagonistët kanë përdorur thika dhe pistoleta. Njeriu që shfaqet në pamjet filmike me thikë në dorë dhe që qëllon drejt Rois Babasit, është bodigardi i F. H., Gazmir Bushaj.

Babasi merr një plagë në krahë dhe sapo Bushaj bën tentativën e dytë për ta sulmuar me thikë Babasin, ai është qëlluar vetëm njëherë të vetme në këmbë, nga një person tjetër që shfaqet shumë shpejt, në rrezen e kamerës që ka filmuar ngjarjen. Ky person që është identifikuar si Even Babasi, ka shtënë vetëm një herë dhe ka plagosur Bushaj në këmbë, i cili më pas është rrëzuar në tokë dhe gjatë rrëzimit.

Nga filmimet duket që Bushaj i bie nga dora dhe thika, me të cilën vetëm pak sekonda para, kishte qëlluar Roan Babasin. Pas krismës së pistoletës të gjithë personat largohen, ndërkohë në vendngjarje, ka mbërritur një patrullë policie, e cila ka sekuestruar një thikë dhe një gëzhojë pistolete.