Një sherr në zonën e ish-bllokut në Tiranë mes djemve biznesmenësh, deputetësh e ish-deputetësh, përfundoi me dy të plagosur. Report Tv mëosn detaje ekskluzive nga ngjarja e mesnatës së 16 korrikut ku në pranga ra Rois Babasi, djali i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ndriçim Babasi. 25-vjeçari ishte në shoqërinë e M.D, djali i deputetit socialit T.D, të cilët janë konfliktuar me F.H, djalin e një biznesmeni, I.H.

Djemtë e oligarkëve kanë qenë në ambientet e një lokali në ish-bllok dhe janë përplasur me njëri-tjetrin  si pasojë e një konflikti më të hershëm mes tyre për motive të dobëta, që mesa duket nuk është mbyllur me aq. Rois Babasi mbeti edhe vetë i plagosur me thikë në dorë, ku ndodhet në gjendje arresti në ambiente spitalore.

Po në masë arresti është edhe G.Bushaj, ish efektiv policie, që momentalisht punon si polic privat dhe që natën e ngjarjes, shërbente si bodigardi personal i F.H, djalit të biznesmenit. Bushaj mbeti i plagosur me armë zjarri nga shoku i Rois Babasit dhe djalit të deputetit socialist, i cili është shpallur në kërkim. Ndërsa truproja i djalit të biznesmenit akuzohet nga policia dhe prokuroria e Tiranës për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje” të Rois Babasit. Deri në këtë fazë të hetimit Rois Babasi konsiderohet person i dëmtuar, pasi nuk ka qëlluar me armë.

Foto nga vendngjarja

Sot në ambientet e spitalit Rois Babasit i është komunikuar nga gjyqtari masa e arrestit me burg për 10 ditë nga 40 që kërkoi prokurori. Por pavarësisht masës, djali i ish-deputetit duket se nuk do të shkojë në qeli, pasi do të vijojë që të mjekohet në spital në ditët në vijim, pasi ka një plagë në krah të shkaktuar nga goditja me thikë.

 “Shqiptarja.com” nëpërmjet burimeve pranë komisariatit nr.2 në Tiranë, ka arritur të shikojë me imtësi pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja, pamje të cilat japin një tablo të qartë se çfarë ka ndodhur brenda në lokal. Duke ju referuar këtyre pamjeve filmike, dallohet qartë se mes disa personave që përbëhen nga dy grupe të rinj, ka ndodhur fillimisht një konflikt fizik dhe më pas protagonistët kanë përdorur thika dhe pistoleta.

Njeriu që shfaqet në pamjet filmike me thikë në dorë dhe që qëllon drejt Rois Babasit, është bodigardi i F.H, G.Bushaj. Babasi merr një plagë në krahë dhe sapo Bushaj bën tentativën e dytë për ta sulmuar me thikë Babasin, ai është qëlluar vetëm njëherë të vetme në këmbë, nga një person tjetër që shfaqet shumë shpejt në rrezen e kamerës që ka filmuar ngjarjen.

Ky person ka shtënë vetëm një herë dhe ka plagosur Bushaj në këmbë, i cili më pas është rrëzuar dhe gjatë rrëzimit, duket që i bie dhe thika, me të cilën vetëm pak sekonda para, kishte qëlluar Roan Babasin. Pas krismës së pistoletës të gjithë personat largohen, ndërkohë në vendngjarje ka mbërritur një patrullë policie, e cila ka sekuestruar një thikë dhe një gëzhojë pistolete.

Në polici janë shoqëruar protagonistët e këtij konflikti, mes tyre Rois Babasi dhe F.H, djali i biznesmenit. Ndërsa djali i deputetit socialist, nuk është shoqëruar në polici për t’u pyetur për shkak se uniformat blu nuk mundën ta gjenin.

Pjesa më e madhe e personave që janë pyetur në polici, kanë dëshmuar se autor i plagosjes ka qenë Rois Babasi, por pas verifikimit të pamjeve filmike ka rezultuar se njeriu që ka qëlluar me armë drejt G.Bushaj është një person tjetër i shpallur në kërkim dhe personi që ka qëlluar me thikë në drejtim të Roan Babasit, është ish-polici G.Bushaj.