Përplasja në Kolegj/ Ina Rama: Antoneta Sevdari nuk duhej shkarkuar nga detyra

Përplasja në Kolegj/ Ina Rama: Antoneta Sevdari nuk duhej shkarkuar nga detyra

Më 18 korrik të 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, me trupë gjykuese të përbërë nga Firdes Shuli, Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia, vendosi të konfirmonte në detyrë prokuroren në Prokurorinë e Tiranës, Antoneta Sevdari, më pas anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Më 29 gusht të 2018, Komisioni Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shqyrtimin e vendimit të KPK, ndryshimin ose lënien në fuqi të tij, ndërsa ngriti disa pretendime sa i takon ligjshmërisë së pasurisë së Sevdarit. Kolegji i Apelimit, më datë 28 shkurt të 2019, vendosi të shkarkonte përfundimisht nga detyra zonjën Antoneta Sevdarin, e cila gjatë kohës së gjykimit të çështjes, u zgjodh anëtare e KLP. Sipas Kolegjit, zonja Sevdari ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për një pjesë të pasurive si dhe ka cenuar besimin e publikut drejtësia. Shqiptarja.com zbulon se trupi gjykues i Kolegjit të Apelimit nuk ka qenë i unifikuar për të shkarkuar Antoneta Sevdarin nga detyra. Vendimi për shkarkimin e saj është marrë 4 me 1. Kryesuesi i trupit gjykues Luan Daci, relatori Sokol Çomo dhe anëtarët Ardian Hajdari e Rezarta Schuetz kanë votuar pro shkarkimit, ndërsa anëtarja Ina Rama ka votuar kundër shkarkimit.  

Ina Rama kundër

Përmes një arsyetimi të gjatë prej 28 faqesh, ish-kryeprokurorja Ina Rama, ka konkluduar se Antoneta Sevdari duhej të vazhdonte detyrën dhe se qëndrimi i Kolegjit është i padrejtë. “Unë, gjyqtare Ina Rama, kam votuar kundër vendimit të marrë nga shumica e trupit gjykues në çështjen që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 42, datë 18.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nëpërmjet të cilit është vendosur ndryshimi i vendimit të sipërcituar të Komisionit dhe shkarkimi nga detyra i subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari. Konkludoj se qëndrimi i mbajtur nga Kolegji për cenimin e besimit të publikut për shkaqet e mësipërme, është i padrejtë jo vetëm për shkak të mosrespektimit të normave procedurale që garantojnë procesin e rregullt, por edhe në thelbin e tij. Për të gjitha arsyet e mësipërme, duke mos gjetur të mbështetura shkaqet e ankimit të paraqitura nga Komisioneri Publik, kam gjykuar se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili ka konfirmuar në detyrë subjektin e rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari, prokurore në prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është i drejtë dhe, si tillë, duhej të lihej në fuqi”, thuhet në arsyetimin e zonjës Rama.

( Lexo këtu ) argumentin e plotë të Ina Ramës kundër vendimit për shkarkimin e Antoneta Sevdarit

Çështja e parë

Trupi gjykues ka arritur në konkluzionin se znj. Antoneta Sevdari gjendet në kushtet e pamjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme, sa i takon deklarimit të 3 000 000 lekëve, si burimi i krijimit të pasurisë tokë dhe shtëpi, të ndodhura në Yzberisht. Sevdari ka pohuar se këto të ardhura janë siguruar nga bashkëshorti i saj në emigracion. Për këtë çështje, ndryshe nga Kolegji dhe Komisioneri Publik, zonja Ina Rama thekson se koha e krijimit të këtyre të ardhurave daton gati dy dekada para se të miratohej e të hynte në fuqi paketa kushtetuese e reformës në drejtësi, e cila përcakton rregulla të reja e specifike në drejtim të provueshmërisë së burimit të krijimit të të ardhurave të siguruara nga subjektet e rivlerësimit. “Fakti që në kohën e krijimit të tyre, bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit, z. A. S., nuk e gëzonte statusin e bashkëshortit të znj. Antoneta Sevdari, ai nuk kishte ndonjë detyrim ligjor të tregohej i kujdesshëm deri në nivelin e ruajtjes së dokumentacionit që provon ligjshmërinë e të ardhurave të tij në atë kohë...Për shkak të një realiteti historik të zhvillimit të shoqërisë shqiptare në vitet e tranzicionit, shqetësimi parësor i qytetarëve të ndershëm e nevojtarë të vendit tonë në ato vite, nuk ishte ruajtja e kurimi i anës dokumentare të çdo lloj aktiviteti që u prodhonte të ardhura, se sa nevoja reale e nxjerrjes e realizimit të këtyre të ardhurave në funksion të qëllimit për të siguruar jetesën dhe përmirësimin e kushteve ekonomike të tyre e të familjarëve të tyre.... Koha e largët në të cilën janë krijuar këto të ardhura, e bën të vështirë edhe vetë ruajtjen e dokumentacionit që mund të sillte edhe më tepër informacion në këtë drejtim, edhe për shkak të një logjike normale ligjore që duket se nuk merr përsipër të ruajë apo arkivojë dokumente të kësaj natyre për një periudhë kaq të gjatë kohe, madje as nga vetë institucionet shtetërore...”, arsyeton Ina Rama.

Çështja e dytë

Komisioneri Publik dhe Kolegji i Apelimit kanë arritur në përfundimin se bashkëshorti i zonjës Sevdari nuk ka paguar tatime për 20 mijë USD të fituara nga puna në Mbretërinë e Arabisë Saudite si inxhinier. Për këtë çështje, Ina Rama ka arsyetuar se “Janë disa fakte që rezultojnë të provuara nga provat e paraqitura prej subjektit. Së pari, shuma prej 20.000 USD është transferuar në llogarinë bankare të subjektit të rivlerësimit nëpërmjet një transferte bankare në bankën ProCredit, në datat 28.04.2006 dhe 13.07.2006... Këto transferta janë kryer gjatë kohës që bashkëshorti i subjektit ndodhej në shtetin e Arabisë Saudite, siç provohet nga vulat hyrëse e dalëse në pasaportën e tij, sipas të cilave ai ka hyrë në këtë shtet në datën 27.02.2006 dhe ka dalë në datën 24.07.2006. I njëjti fakt konfirmohet edhe nga të dhënat e nxjerra nga sistemi TIMS, për z. A. S. S. Në drejtim të pretendimit të ngritur në ankim nga Komisioneri Publik, se Komisioni nuk ka hetuar mjaftueshëm në drejtim të faktit nëse bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit ka paguar ose jo detyrimet tatimore për këto të ardhura, sipas ligjit nr. 8438/1998, çmoj se Komisioni me të drejtë ka arritur në konkluzionin se detyrimi për pagimin e tatimit në këtë rast është mbajtur në burim në shtetin e Arabisë Saudite”.  

Çështja e tretë

Ina Rama ka kundërshtuar edhe qëndrimin e shumicës, sipas të cilës Antoneta Sevdari ka cenuar besimin e publikut tek drejtësia. “Së pari, në drejtim të këtij konkluzioni duhet të veçoj faktin se kushtet e parashikuara në nenin 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016, në drejtim të sjelljes së subjektit që ka cenuar besimin e publikut, nuk janë pretenduar se kanë ekzistuar as nga Komisioneri Publik në ankimin e paraqitur prej tij. Në këtë këndvështrim, në vlerësimin tim, Kolegji ka tejkaluar kufijtë e shqyrtimit të çështjes, duke marrë përsipër të kryejë rolin e një organi rivlerësimi dhe jo të një gjykate që kontrollon veprimtarinë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në këto rrethana, Kolegji ka tejkaluar, në vlerësimin tim, shkaqet e ankimit në dëm të interesave të subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari, duke cenuar të drejtën e saj për një proces të rregullt”, ka theksuar Ina Rama.

Letra e Sevdarit: Investigonit vendimin që më shkarkoi

Ish-anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prokurorja me 16 vite karrierë, Antoneta Sevdari, ngriti dyshime të forta se vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit reflektonte ndikimin e krimit dhe politikës. Sevdari iu drejtua me anë të një letre ndërkombëtarëve dhe gjithë aktorëve politikë në vend, ku kërkoi të investigohej ky vendim që sipas saj është i padrejtë. Prokurorja tha se e ka bërë detyrën e saj duke i shërbyer qytetarëve, por ngriti dyshimet e saj përse mund të jetë marrë vendimi i shkarkimit. “Gjatë këtyre ditëve jam përpjekur të kuptoj një vendim të pakuptueshëm. Në analizën time të fakteve dhe ngjarjeve kam arritur në konkluzionin se shkarkimi im, u bë për një nga këto dy arsye: Ose si rezultat i profesionalizmit të dobët në gjykim nga anëtarët e trupës së Kolegjit të Apelimit, që votuan për shkarkimin; Ose (dhe ky rast është edhe më  flagrant,  sa i përket të ardhmes së drejtësisë shqiptare) ai ishte një shkarkim i urdhëruar, në shërbim të interesave me të cilat unë në punën time si prokurore jam përballur. Unë Ju ftoj të investigoni dhe të merrni të gjitha masat e mundshme në mënyrë që populli shqiptar të mos zhgënjehet edhe këtë herë”, shkroi Sevdari.  

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drita: 01/05/2019 11:20

    Znj.Sevdari eshte nje prej prokuroreve me te afta dhe te ndershem te ketij vendi.askush si ka dhene drejtesise dhe ketij vendi sa kjo zonje.m3ndimi i znj.rama duhet te kishte qene mendimi unanim i kolegjit dhe Antoneta te kalonte vettingun.antaret e kolegjit jane treguar te padrejte me znj.Sevdari a thua se nuk i njeh i madh e i vogel ceshtjet qe kjo zonje ka pas ne hetim personat qe ka denuar dhe te mirat qe i ka sjelle shtetit

    Përgjigju
  • KLP vetingu: 01/05/2019 10:15

    Eshte e thjeshte fare nuk e perdornin dot ne KLP... ishte vota vendimtare ne votimet e KLP....u pa tek votimi per dy prokuroret e internuar qe u rikthyen me vendim te KLP.... ose me ne ose kunder nesh eshte parrulla nuk mund te jesh i pavarur te mbrosh ligjin e te drejten .... te gjitha te tjerat jane pallavra kot ,.... sa per profesionalizmin e ndershmerine kjo zonja mbahet si etalon , si pike reference ne prokurorine Tirane si nder te vetmet qe skorruptohej kurre.Dhe ne fakt prandaj e hoqen.

    Përgjigju
  • WTF: 01/05/2019 10:04

    Shoqja e klases se Argites kerkon te shpetoje fshataret e drejtesise me procedure sic beri me Lulin. Kjo qe e mbylli Gerdecin si aksident teknollogjik a e kalon dot vetingun valle? Gjykata e Strasburgut e refuzoi me shkak kete plehre qe solli PD per te shpetuar Lulin nga burgu. Me cudisin komentet e meposhtme dhe memoria e shkurter qe kane dise njerez!

    Përgjigju
  • Vojsa: 01/05/2019 09:40

    Antaret e partise ne kolegj eksperiencen me te madhe e kishin jurist ne bashkine vau dejes ., tjetri jurist plepash .... u mor vesh qe ishte shkarkim politik me urdher .... po keta antaret e kolegjit e kane 1/5 e pastersise dhe ndershmerise se kesaj prokurores.... koha po vjen dhe per keta

    Përgjigju
  • Tani: 01/05/2019 09:18

    Sevdari perceptohet si nje nder prokuroret me te ndershme te sistemim. Edhe gjate dy fazave te vetingut rezulton e tille. Ajo eshte shkarkuar se bashkeshorti nuk justifikonte 5 000 000n ne emogracion. Jane me mijera shqiptare qe nuk kane dokumente per parate nr emigracion qe nga vitet 90.

    Përgjigju
  • Qytetar: 01/05/2019 08:50

    Qe te dyja jane profesioniste te vertetea. Vendimi per Antoneten ju kthefte atije ku ju dhemb me shume padrejtesia.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë