Akuzave të VIA se kompania Mabco po pengon punimet në aeroport, përfaqësuesit e kompanisë së Behgjet Pacollit iu përgjigjën nga Tirana përmes një konference për shtyp, nga e cila deklaruan se i kanë përfunduar të gjitha detyrimet kontraktuale. Ornela Çuçi, përfaqësuese e kompanisë Mabco tha se kërkojnë që aeroporti i Vlorës të përfundojë në mënyrë të ligjshme, duke akuzuar ortakun Valon Ademi se po bllokon punën me mbështetjen e instancave shtetërore.
“Aeroporti i Vlorës është një investim strategjik kombëtar dhe rajonal dhe, në këtë kuadër, nuk është më thjesht një konflikt mes dy bizneseve. Është çështje e sigurisë juridike të investimeve strategjike dhe një çështje e funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Aeroporti nuk është një objekt i zakonshëm ndërtimi, por një projekt strategjik për turizmin dhe një çështje imazhi sa i përket investimeve të huaja. Çdo bllokim, çdo pengesë administrative ose çdo hezitim institucional, apo pengim nga ana e institucioneve, nuk prek vetëm kompaninë Mabco, por edhe besimin tek shteti shqiptar.
Mabco nuk është këtu për të ndaluar Aeroportin e Vlorës. Mabco kërkon që aeroporti të përfundojë në mënyrë të ligjshme, të certifikuar dhe, mbi të gjitha, në mënyrë të sigurt. Duke parë që ky investim është drejt përfundimit, A2 Group, e mbështetur edhe nga instanca shtetërore, po pengon punën për dorëzimin e kësaj vepre qytetarëve shqiptarë. Mabco është pronare e 98% të kuotave të Vlora International Airport. Mabco ka investuar 92 milionë euro në projekt”, tha Çuçi.
Drejtori i kantierit, Klodian Sava, deklaroi se kompania ka përfunduar 99% të punimeve që i takojnë sipas kontratës, por problematikat me furnizimin me energji elektrike, internetin dhe sistemet teknologjike po pengojnë testimin dhe vënien në funksion të aeroportit.
“Kemi përfunduar 99% të punimeve që rrjedhin nga kontrata. Godinat pothuajse janë drejt përfundimit. Deri sot që po flasim ndërtimet që kanë qenë detyrim jonë janë realizuar me gjeneratorë sepse s’kemi pas furnizim me energji elektrike, ne nuk po flasim për kosto, sepse Mabco i ka marrë përsipër kostot. Të gjitha sistemet, elektrike, server, kondicinomi, nuk mund të testohen nëse s’kemi lidhje me energji elektrike. Nuk kemi edhe lidhjen me internetin, flasim për një objekt të sigurisë së lartë. Nuk është Mabco penguese, Mabco i ka përfunduar proceset dhe detyrimet e saj kontraktuale. Është VIA që po vijon me këto pengesa. Nuk jemi me vonesë apo pengues në hapjen e aeroportit, por është VIA që duhet të marrë seriozisht problematikave dhe tu japë drejtim çështjeve që lidhen me infrastrukturën dhe me sigurimin e sistemeve softwereve, pajisje aeroportuale jo vetëm për ti blerë, por për ti vënë në funksion. Aeroporti nuk është vetëm godina, por një tërësi objektesh dhe sistemesh”, tha ai.
Çuçi u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të mos qëndrojnë në heshtje.
“Ne nuk kërkojmë konflikt, as të debatojmë, ne kërkojmë ti dorëzojmë qytetarëve një vepër me rëndësi ndërkombëtare dhe vepër të sigurt me rëndësi ndërkombëtare, sepse nuk është vepër si këto rrugët që na bien sa herë bie shiu, por është një vepër që do të rezistojë shumë gjatë Shqipërisë. Ndërkohë, ne do të donim të specifikon. Kërkojmë nga institucionet të mos qëndrojnë në heshtje, po flasim për shtatin shqiptar në të gjitha hallkat, autoritet kontraktor, ministria e infrastrukturës, njësia e zbatimit të projektit, Albcontrol, por mbi të gjitha organet e drejtësisë do duhet ta drejtojnë këtë jo si një grindje e thjeshtë mes dy partnerëve, por si një çështje të sigurisë juridike, sigurisë publike dhe të besueshmërisë të shtetit ligjor në Shqipëri”, vijoi ajo.
Lajmi kryesor:
Përplasja për aeroportin e Vlorës/ Pacolli tre ditë protestë para derës së kantierit: Të ndërhyjë shteti ose arbitrazh! VIA: ‘Mabco’ vonoi punimet në terminal, dëmi 4 mln euro











