Nënkontraktorët e aeroportit të Vlorës, të firmës MABCO, të cilët presin një përgjigje për mbylljen e punimeve në kantier, edhe gjatë ditës së sotme kanë qëndruar sërish përpara hyrjes së kantierit të ndërtimit. Kjo është dita e pestë radhazi që ata kërkojnë të hyjnë në kantier për të marrë mjetet dhe materialet e tyre të punës.

Nënkontraktorët shprehen se janë ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare, ndërsa deri më tani nuk kanë marrë asnjë informacion lidhur me situatën. Ndërkohë, në zonë vijojnë të jenë të pranishëm efektivë të policisë.

Përplasja ndërmjet Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit ka nisur në vjeshtën e 2025 për administrimin e VIA-s. Palët kishin firmosur një kontratë noteriale, sipas së cilës pjesa e “2A Group” do të rritej nga 2 në 49 për qind, por kjo kontratë nuk u regjistrua në QKB. “2A Group” iu drejtua gjykatës, e cila fillimisht bllokoi veprimtarinë e “Mabco” në asamble.

Një tjetër pikë është kontrata e kredisë prej 100 milionë eurosh që “Mabco” ka marrë nga fondi “Delphos”. Për këtë arsye, Ademi hapi një tjetër proces gjyqësor, duke kërkuar pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut, Pacolli. Gjykata e Apelit i njohu “2A Group” të drejtën e administrimit, me argumentin se vendimi parandalon tjetërsimin e aksioneve.

Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A., për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:21
Përplasjet për Aeroportin e Vlorës/ Pacolli: Mbi 50 inxhinierë kinezë mbahen të izoluar në kantier, sot me zor u dërguam ushqim dhe ilaçe

Behgjet Pacolli ka postuar një status në rrjete sociale ku pretendon se mbi 50 inxhinierë kinezë po mbahen në izoluar brenda në kantier, në kampin e ngritur nga kompania ‘MABCO’ për qëndrimin e tyre.

Për shkak se hyrja e kantierit është e bllokuar me roje private të kompanisë ‘2A Group’ e Valon Ademit, Pacolli shkruan se dalja për ta është e vështirë pasi u është thënë se në rast se largohen, nuk do të mund të kthehen përsëri brenda.

Pacolli ka publikuar dhe foto ku tregon për situatën në aeroport teksa përfaqësues të kompanisë së tij sot me zor kanë mundur të fusin ushqime dhe ilaçe për këta inxhinierë të izoluar, thotë ai në postim.

Postimi i Behgjet Pacollit

Inzhinjeret nderkombetarë në gjëndje paraburgimi në kampin e Mabcos!

Edhe sot vazhdon e njëjta skenë e papranueshme në hyrje të Aeroportit të Vlorës. Punëtorët shqiptarë, inxhinierët dhe nënkontraktorët që kanë ndërtuar këtë aeroport, nuk po lejohen të hyjnë në vendin e tyre të punës. Hyrja vazhdon të mbahet e bllokuar nga roje private, nën praninë e Policisë së Shtetit.

E megjithëkëtë, pjesa më e rëndë ndodh brenda territorit të aeroportit. Mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar brenda kampit të MABCO-s, në kushte krejtësisht të papranueshme. Ata nuk lejohen të dalin normalisht për të ushtruar punën e tyre dhe janë vënë përballë një situate absurde: të largohen pa të drejtë kthimi. Këta njerëz nuk kanë ardhur në Shqipëri për t’u trajtuar si të dyshuar apo si të burgosur. Kanë ardhur për të punuar në një projekt strategjik.

Sot ata kërkuan ushqim dhe medikamente. Dhe vetëm me shumë vështirësi arritëm t’u dërgojmë ndihmë bazike. E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve shtetërore. Jemi duke folë për shkelje serioze të të drejtave themelore njerëzore, të standardeve ndërkombëtare të punës dhe të çdo norme minimale të trajtimit dinjitoz të njerëzve. Asnjë konflikt kontraktual nuk mund të justifikojë izolimin e njerëzve dhe bllokimin fizik të stafit teknik në një kantier strategjik.

I bëj thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund kësaj situate të turpshme, që po dëmton jo vetëm projektin, por edhe imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve dhe investitorëve ndërkombëtarë.