DURRËS - Qindra qytetarë të Durrësit, familjarë, miq, nxënës dhe mësues u dhanë lamtumirën e fundit pasditen e së hënës dy fëmijëve, Enea Muçaj, 12 vjeç dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, jeta e të cilëve u ndërpre tragjikisht, nga i dehuri në timon. Në zonën e ish-Kënetës, ku familjet Muçaj dhe Nikolli jetojnë prej vitesh, ka pllakosur zija.

Rrugicat e lagjes janë mbushur me njerëz që shkojnë pa pushim për ngushëllim, ndërsa banesat e dy familjeve, që ndodhen pranë njëra-tjetrës, kanë hapur dyert e mortit.

Aksidenti tragjik, ku mbeti i plagosur edhe një fëmijë tjetër 8 vjeç, jashtë rrezikut për jetën, ka tronditur jo vetëm lagjen nr.15, por të gjithë vendin.

Qytetarët shprehin solidaritet me familjet Nikolli dhe Muçaj, por edhe revoltë ndaj institucioneve, pasi sipas tyre kjo tragjedi mund të ishte parandaluar.  Ndërsa thonë se autori ishte person problematik.  

“Unë do e quaj një adoleshent i vonuar që bënte përditë të njëjtat gabime, të njëjtat gjeste dhe ja ku vjen përfundimi. Mendoj që jemi të gjithë fajtorë, që nga kryeministri i vendit, deri te njeriu më i thjeshtë"

Fëmijët tanë janë të pasigurt. Sot ishin këta, nesër mund të jetë kushdo tjetër. Këtu makinat kalojnë me shpejtësi të frikshme. Duhet të vihet rregull.”

“Edhe vitet e kaluara ka pasur aksidente me dëme materiale. I kemi kërkuar policisë të marrë masa, por nuk është bërë asgjë. Këtu ke frikë të kalosh.”

“S’kemi shtet të ndalojë këtë pijanec. Të humbin jetë fëmijësh kështu është e tmerrshme", shprehen banorët. 

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ngushëlloi familjet e viktimave dhe theksoi se kërkohen standarde më të larta sigurie.

“Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore. Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën", tha Koçiu. 

Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 14:10 të së dielës në lagjen nr.15 të Durrësit, në zonën e njohur si ish-Këneta, ku tre fëmijët po luanin me top në trotuar. Autor është gomisti 57-vjeçar Nikoll Radaçi, i cili u arrestua nga policia dhe pranoi se kishte konsumuar alkool. Ndërsa bashkëshortja dhe djali i tij janë larguar nga banesa. Në një letër publike ata i kërkojnë ndjesë familjeve të viktimave për tragjedinë e rëndë që ndodhi.

“Sot dalim përpara familjeve të viktimave me një dhimbje shumë të madhe dhe me një barrë të rëndë në zemër. Në emrin tonë dhe të familjes sonë, kërkojmë falje publike për tragjedinë që ka ndodhur.

E dimë që asnjë kërkim faljeje nuk mund të kthejë jetët e humbura. Megjithatë, ndjejmë detyrimin moral dhe njerëzor të përulemi me respekt të thellë dhe të shprehim keqardhjen tonë më të sinqertë” – shprehen ata.

Banorët thonë se rruga ku ndodhi tragjedia është problematike, për shkak të mjeteve që lëvizin me shpejtësi dhe garave qe behën gjatë natës, ndaj kërkojnë më shumë kontrolle dhe masa sigurie.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:13
Me lot në sy dhe kurora me lule, 10-vjeçari që mbeti viktimë e aksidentot tragjik në Durrës përcillet në banesën e fundit

1777899733_percjelljaefmise.jpg

Klersi Nikolli, 10-vjeçari i cili humbi jetën nga aksidenti tragjik i së dielës në Durrës, po përcillet për në banesën e fundit.

Nga pamjet e siguruara, shihet teksa familjarë dhe banorë të zonës me lot në sy dhe kurora me lule i japin lamtumirën e fundit të miturit.

Ora 14:10
'Ishte tragjedi e paralajmëruar' Banori reagon me dhimbje pas ngjarjes në Durrës: Autori sillej si adoleshent i vonuar, bënte të njëjtat gabime çdo ditë

Mes dhimbjes dhe revoltës që ka pushtuar Durrësin pas humbjes së dy të miture, një prej banorëve të zonës së ish-Kënetës, i tronditur nga ajo që ndodhi, thotë se kjo ishte një tragjedi e paralajmëruar sepse autori sillej si një adoleshent i vonuar që bënte të njëjtat gabime e gjeste çdo ditë 

“S’kam fjalë është e papërshkrueshme, Jemi shumë shumë të tronditur. S’mbajmë dot as emocionet, s’e imagjinoj dot. Kemi fëmijë vetë. Unë do e quaj një adoleshent i vonuar që bënte përditë të njëjtat gabime, të njëjtat gjeste dhe ja ku vjen përfundimi. Mendoj që jemi të gjithë fajtorë, që nga kryeministri i vendit, deri te njeriu më i thjeshtë. Media është më shumë fajtore, sepse me sa shikoj nuk promovohet kultura, dija e arsimi, por në disa media promovohet llumi, jeta e rrugës dhe ja ku ndodhi përfundimi. Apeli im është të ndërgjegjësohemi, duke nisur nga vetja. Të mos e korruptojmë atë policin me 20 mijë lekë vetë ne të parët, dhe ato mos të na e pranojnë ne, sepse ja ku ndodhin këto gjëra. Ai mund të ketë qenë shumë herë brenda dhe shumë herë ka dalë. Po të ishte brenda nuk do ndodhnin këto”,- thotë banori.

Ora 14:03
Pamjet e trishta, nis përcjellja për në banesën e fundit të 12-vjeçarit që vdiq në aksidentin në Durrës

 

Enea Muçaj, 12-vjeçari që humbi jetën nga aksidenti tragjik i së dielës në Durrës, po përcillet për në banesën e fundit.

Me lule e kurora në duar, familjarë e të afërm ndjekin të përlotur makinën e funeralit.

Në orën 15:00, do të jetë edhe varrimi i 10-vjeçarit, Klersi Nikolli, viktima tjetër e aksidentit.

Ora 13:40
Aksidenti tragjik në Durrës, Report Tv në banesën e autorit! Familja i vë kyçin dhe largohet (VIDEO)

Qindra qytetarë në Durrës i dhanë lamtumirën 2 të miturve që u përplasën për vdekje një ditë më parë në zonën e ish-kënetës. Në këtë ditë të dhimbshme për familjet e dy të miturve, familja e autorit ka zgjedhur të qëndrojë larg. Report Tv ishte edhe në banesën e autorit, së cilët i është vënë kyçi dhe bashkëshortja dhe djali i tij janë larguar nga banesa. 

Në një letër publike ata i kërkojnë ndjesë familjeve të viktimave për tragjedinë e rëndë që ndodhi.

“Sot dalim përpara familjeve të viktimave me një dhimbje shumë të madhe dhe me një barrë të rëndë në zemër. Në emrin tonë dhe të familjes sonë, kërkojmë falje publike për tragjedinë që ka ndodhur.

E dimë që asnjë kërkim faljeje nuk mund të kthejë jetët e humbura. Megjithatë, ndjejmë detyrimin moral dhe njerëzor të përulemi me respekt të thellë dhe të shprehim keqardhjen tonë më të sinqertë” – shprehen ata.

Ora 12:06
Koçiu pranë familjeve në Durrës që humbën dy fëmijët: Çdo ngushëllim është i pafuqishëm, detyra jonë të garantojmë standarde të larta sigurie

 

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ishte sot pranë familjeve në Durrës që humbën dy fëmijët nga aksidenti tragjik i një dite më parë. Ajo thotë se e vetmja gjë që mbetet është të gjenden pranë tyre, ndërsa tha se tashmë është detyrë e përbashkët të kërkohen dhe garantohen standarde më të larta sigurie.

“Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre. Është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore. Kur jeta këputet në lulëzimin e saj më të pafajshëm, çdo ngushëllim është i vogël dhe i pafuqishëm.

Prindërit mbajnë mbi supe një peshë që asnjë zemër nuk duhet ta njohë. E vetmja gjë që mbetet është të qëndrojmë pranë tyre dhe të lutemi që të gjejnë forcë për të jetuar me këtë plagë që do të mbetet gjithmonë e hapur. Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore. Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.

U prehshin në paqe engjëjt e vegjël. Drita e tyre u bëftë forcë për prindërit në këtë rrugëtim të pafundmë dhimbjeje“, shkruan Koçiu në rrjetet sociale.

Ora 10:49
Aksidenti tragjik në Durrës, banori: I kemi kërkuar policisë të marrë masa prej kohësh, natën zhvillohen gara me makina (VIDEO)

 

Një prej banorëve të zonës në Durrës, ku dje 2 fëmijë u përplasën për vdekje nga një makinë, thotë se policia e Shtetit është sinjalizuar prej kohësh për situatën problematike të qarkullimit rrugor, por nuk është marrë asnjë masë.

"Dhe vjet më përpara në këtë kohë kanë ndodhur aksidente por vetëm me dëme materiale, nuk është se ka pasur dëme njerëzore dhe kur ka qenë policia këtu, i kemi thënë që merrni masa. Jo vetëm unë, por çdokush që ka qenë atehëre. Mirë te kjo, po edhe te rruga më sipër, aty bëjnë gara çdo natë, është tepër vështirë të kalosh. Ke frikë",- thotë banori.

Ora 10:13
Sot u jepet lamtumira dy fëmijëve që vdiqën në aksident, banorët e Durrësit në lot: Dhimbje e madhe, s’kemi shtet

1777882353_varrimimiitemiturve.jpg

Në zonën e ish-kënetës në Durrës ka pllakosur zija. Dy fëmijëve të mitur Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, që u përplasën për vdekje nga një makinë me shpejtësi skëterre, u jepet sot lamtumira. Banorët e zonës në lot thonë se dhimbja është e madhe ndërsa përgjegjësinë e drejtojnë nga shteti që ka lejuar një të dehur të qarkullojë në makinë dhe të marrë jetën e fëmijëve.

“E tmerrshme. S’kemi shtet të ndalojë këtë pijanecë. Të marrësh jetë fëmijësh se do të pish t’i për qejf. S’kemi fjalë. Dhimbje e madhe”, thanë banorët e zonës.

Ora 08:54
U lëndua nga aksidenti tragjik që vrau dy të miturit në Durrës, 8-vjeçari te 'Trauma' jashtë rrezikut për jetën

 

8-vjeçari, i cili mbeti i aksidentuar një ditë më parë në Durrës, pritet të transferohet në pavijon.

Burime nga Spitali i Traumës thonë se i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të vijojë të mbahet nën kujdesin e mjekëve, për trajtimin e plagëve të marra si pasojë e aksidentit.