DURRËS - Nikoll Radaçi - i cili dje përplasi për vdekje me makinë 2 të mitur dhe plagosi rëndë 1 tjetër - rezulton si shofer që është ndëshkuar disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Vetëm në vitin 2022, 57-vjeçarit i është pezulluar 2 herë leja e drejtimit të makinës, ndërsa është sanksionuar edhe më parë për parakalim të gabuar dhe për tejkalim të shpejtësisë.

Gjithashtu, blutë konfirmojnë zyrtarisht se 57-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur teksa ngiste makinën dhe për pasojë ka humbur kontrollin, duke marrë përpara të miturit, 2 prej të cilëve humbën jetën në vend. 

Nikoll Radiçi akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. 

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË: 

Durrës/Informacion përfundimtar për aksidentin rrugor shumë të rëndë të ndodhur më datë 03.05.2026, rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, lagjja nr. 15, në qytetin e Durrësit.

Oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës. 

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.   

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç. 

Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë. 

Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.    

Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.   

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.   

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. 

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:20 në lagjen numër 15 të qytetit bregdetar, e njohur edhe si ish-Këneta, ku tre fëmijë po luanin në trotuar, kur automjeti “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë i mori përpara. Si pasojë e përplasjes, humbën jetën në vend Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç. Klersi Nikolli i kishte prindërit në Itali, sepse babai i tij, Petriti, po kurohej nga një sëmundje e rëndë.

Ndërsa, 8-vjeçari i cili mbeti i plagosur pritet të transferohet në pavion. Burime nga Spitali i Traumës thonë se i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të vijojë të mbahet nën kujdesin e mjekëve, për trajtimin e plagëve të marra si pasojë e aksidentit.

Të plagosur mbetën edhe një 25-vjeçare dhe një 30-vjeçar, përkatësisht Megi Loci dhe Enea Kardhiqi, të cilët ndodheshin pranë fëmijëve në momentin e aksidentit.

Sipas pamjeve të siguruara nga Report Tv, mjeti duket se ka humbur kontrollin dhe ka përplasur fëmijët, duke i marrë përpara. Njërit prej të miturve makina i ka kaluar sipër, ndërsa më pas mjeti tip Benz ML është përplasur me një automjet tjetër të parkuar në zonë.

Pas aksidentit, shoferi shihet në pamje duke dalë nga makina dhe duke bërtitur “o Zot çfarë bëra”. Më pas ai zhduket nga pamja e kamerave të sigurisë, pasi siç bëjnë me dije burime për Report Tv, Radaçi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe patrulla e policisë e ka arrestuar disa qindra metra larg vendit të ngjarjes.

Ndërkohë në dëshminë e tij të dhënë në Polici, shoferi Nikoll Radaçi ka shprehur pendesë dhe ka deklaruar se nuk e meritonte të jetonte. Po ashtu ai ka pranuar para bluve se kishte konsumuar alkool para aksidentit dhe testi i alkolit e nxorri 0.7 % sasinë e alkolit të konsumuar.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:49
Aksidenti tragjik në Durrës, banori: I kemi kërkuar policisë të marrë masa prej kohësh, natën zhvillohen gara me makina

1777883907_banoretdurres.jpg

Një prej banorëve të zonës në Durrës, ku dje 2 fëmijë u përplasën për vdekje nga një makinë, thotë se policia e Shtetit është sinjalizuar prej kohësh për situatën problematike të qarkullimit rrugor, por nuk është marrë asnjë masë.

"Dhe vjet më përpara në këtë kohë kanë ndodhur aksidente por vetëm me dëme materiale, nuk është se ka pasur dëme njerëzore dhe kur ka qenë policia këtu, i kemi thënë që merrni masa. Jo vetëm unë, por çdokush që ka qenë atehëre. Mirë te kjo, po edhe te rruga më sipër, aty bëjnë gara çdo natë, është tepër vështirë të kalosh. Ke frikë",- thotë banori.

Ora 10:13
Sot u jepet lamtumira dy fëmijëve që vdiqën në aksident, banorët e Durrësit në lot: Dhimbje e madhe, s’kemi shtet

 

Në zonën e ish-kënetës në Durrës ka pllakosur zija. Dy fëmijëve të mitur Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, që u përplasën për vdekje nga një makinë me shpejtësi skëterre, u jepet sot lamtumira. Banorët e zonës në lot thonë se dhimbja është e madhe ndërsa përgjegjësinë e drejtojnë nga shteti që ka lejuar një të dehur të qarkullojë në makinë dhe të marrë jetën e fëmijëve.

“E tmerrshme. S’kemi shtet të ndalojë këtë pijanecë. Të marrësh jetë fëmijësh se do të pish t’i për qejf. S’kemi fjalë. Dhimbje e madhe”, thanë banorët e zonës.

Ora 08:54
U lëndua nga aksidenti tragjik që vrau dy të miturit në Durrës, 8-vjeçari te 'Trauma' jashtë rrezikut për jetën

1776697422_spitaliitraumes.jpg

8-vjeçari, i cili mbeti i aksidentuar një ditë më parë në Durrës, pritet të transferohet në pavijon.

Burime nga Spitali i Traumës thonë se i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të vijojë të mbahet nën kujdesin e mjekëve, për trajtimin e plagëve të marra si pasojë e aksidentit.