Përplasja tek ligjet, Fino kundër
Shalsit për ligjin e pyjeve 

Përplasja tek ligjet, Fino kundër<br />Shalsit për ligjin e pyjeve 
Dy projektligje të sjella të Kuvend prej disa deputetëve socialistë për pyjet dhe kullotat, ka hasur në kritikat e deputetit Bashkim Fino, i cili i cilëson si shkelje të kompetencave të bashkive.

“Jemi konsultuar me të gjithë ekspertët e fushës. Reforma territoriale ka paracaktuar decentralizimin e fondit pyjor. Nga njëra anë kemi një ligj pyjesh në një situatë komplekse, sepse nuk dimë çfarë do të ndodhë më pas me pyjet në Shqipëri. Duam një ligj të aplikueshëm jo thjesht në letër. Nga ana tjetër jemi në emergjencë për shkak se riorganizimi territorial kërkon që bashkitë të kenë struktura për menaxhimin e pyjeve.Nga ligji i pyjeve ekstradojmë disa nene për t;i miratuar më me shpejtësi, për ta shqyrtuar ligjin e pyjeve në vijim. Duam një ligj për pyjet, dhe një për kullotat. Ndryshe nga varianti i propozuar nga qeveria”-tha Eduard Shalsi, si përfaqësues i grupit nismëtar.

Gjatë diskutimit në parim në Komisionin e Ligjeve Bashkim Fino kërkoi që kjo nismë të mos votohet. “Këto dy projektligje kanë ardhur me nxitim. A është marrë mendimi i shoqatave të bashkive? Është një diskordancë shumë e madhe, e mua më duket ofenduese, që pushteti lokal paska detyrë të ruajë dhe administrojë ne letër, dhe të raportojë me inventar për fondin kullosor tek ministria. Kaluan gjë pa inventar në ministri ato? Madje i thuhet që bashkitë për ndërhyje që do të bëjnë në pyje e kullota, duhet të marrin paraprakisht mendimin e ministrisë së linjës.Nëse ajo i ka nën administrim dhe kompetencë, pse duhet të marrë mendim tek ministria përkatëse? Unë shikoj një mospërputhje. Të presim të bëjmë ligjin bazë e ta bëjmë tamam këtë punës. Bëjmë sikur u japim njësive vendore ndonjë kompetencë, por asgjë nuk ju japim”-tha Fino.

Në përgjigje, Eduard Shalsi tha se konsultimi kishte qenë i gjerë:  “Jo shoqatës, po 61 bashkive në Shqipëri u është kërkuar mendim për ligjin. Disa prej tyre kanë bërë komente”. Edhe Dashamir Peza ishte kundër këtij kalimi me emergjencë të vetëm disa neneve. “Pse duhet të kalojmë me emergjencë disa nene, kur kemi pasur prej muajsh mundësinë ta shqyrtojmë në tërësi ligjin? Ne nuk dimë ende se cila dhe sa është kjo pasuri pyjore e kullosore që duhet të administrojmë”-tha Peza.

Nisur nga kjo, Shalsi tha se pikërisht kjo mangësi e bën të menjëhershme nevojën për ndërhyrje: “Janë 38 takime në lidhje me ligjin e pyjeve, me pushtetin vendos, institutin bujqësor Kamëz, etj. Nuk ka një inventar e një bazë nga ku mund të niset, ndaj kjo bëhet emergjente për të nisur një diskutim dhe vendimmarrje serioze”. Argumentet nuk qenë bindëse për Bashkim Finon, i cili kërkoi përsëri mosmiratimin e tyre.

Nuk do të zgjidhim ndonjë gjë edhe po e miratuam tani. Kur të vijë ligji i ri i plotë, ne prapë do të t’i ndryshojmë këto nene. Më ndjeni, por për shkak të eksperiencës që kam, e ndjej të nxituar që nuk po bëjmë asgjë”-tha Fino, i cili votoi kundër kësaj pakete ligjore në parim. Votimi nen për nen i tyre do të bëhet ditën e sotme në një mbledhje që komisioni do të ketë gjatë seancës plenare.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës