Përplasja mes Tiranës dhe Beogradit për deklaratat e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç mbi Lumin Ibër vijoi edhe të martën në rrjetet sociale.
Pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se Serbia nuk mund të pretendojë se pasojat e mundshme të devijimit të Lumit Ibër ndalen në kufirin e saj dhe hodhi poshtë pretendimet për "Shqipërinë e Madhe", ministri serb për Integrimin Evropian, Nemanja Staroviç, akuzoi kreun e qeverisë shqiptare se po anashkalon Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, duke këmbëngulur se Kosova mbetet pjesë e Serbisë.
" Toni është sa më joshës që mund të jetë, megjithatë ai nuk mund të fshehë shmangien e përshtatshme të elementit më thelbësor: Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila mbetet plotësisht në fuqi. Pikërisht aty shembet kjo shtëpi prej letrash, thuajse poetike. Kosova ndodhet brenda kufijve të njohur nga OKB-ja të Serbisë. Këta kufij janë — dhe duhet të mbeten — të paprekshëm, pavarësisht nëse flasim për Serbinë, Ukrainën, Kinën apo Qipron (përfshirë, natyrisht, edhe Shqipërinë). Të flasësh për marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërkohë që refuzon të respektosh integritetin territorial të fqinjit tënd, nuk është gjë tjetër veçse hipokrizi e mbështjellë me fjalë boshe. E njëjta gjë vlen edhe për retorikën madhështore mbi vlerat evropiane dhe të drejtat e komunitetit serb, duke lënë me kujdes pa përmendur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cili ende nuk është themeluar. Ky është thelbi i çështjes — jo lumi Ibër apo planet për menaxhimin e ujërave", shkroi Starović.
Sipas ministrit serb, të flasësh për marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërkohë që nuk respektohet, sipas tij, integriteti territorial i Serbisë, është "hipokrizi e mbështjellë me fjalë boshe". Ai përmendi gjithashtu Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se këto janë çështjet që duhet të jenë në qendër të debatit dhe jo Lumi Ibër.
Përgjigjja nuk vonoi nga ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka.e cila akuzoi ministrin serb për një interpretim selektiv të Rezolutës 1244, duke theksuar se ajo nuk riktheu sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
"Rezoluta 1244 nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën. Ajo vendosi administrimin ndërkombëtar, largoi Forcat e Sigurisë Serbe, krijoi një proces të veçantë politik për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe, ç'është më thelbësore, nuk e paracaktoi rezultatin e atij procesi", shkroi Dhuka.
Ministrja kujtoi gjithashtu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.
"E drejta ndërkombëtare nuk bëhet më e leverdishme duke u cituar me zgjedhje, dhe historia nuk kthehet pas thjesht sepse Beogradi vazhdon të presë që ajo ta bëjë këtë", vijoi ajo.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të Beogradit për integritetin territorial, Dhuka tha se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Serbisë dhe se krahasimi i Kosovës me Ukrainën nuk qëndron.
"Sa i përket integritetit territorial, të gjithë mund të biem lehtësisht dhe plotësisht dakord se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Pikërisht për këtë arsye, përmendja e Ukrainës ndërsa diskutohet Kosova, nuk është thjesht një zgjedhje e papërshtatshme. Është madje një argument kundër vetvetes. Kosova nuk u aneksua. Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë, dhe as ndonjë agjendë për ndonjë gjë “Më të Madhe”, përveç një Evrope të Madhe, me Shqipërinë, Kosovën dhe, po, edhe Serbinë, së bashku brenda saj. Le t’i lëmë fantazmat e “Shqipërisë së Madhe” dhe “Serbisë së Madhe” e të shijojmë daljen e tyre të merituar në pension.", theksoi ministrja.
Dhuka u ndal edhe te Marrëveshja e Brukselit, duke thënë se Asociacioni duhet të trajtohet në kuadër të dialogut, por njësoj edhe detyrimet e Serbisë.
Në fund, ajo e riktheu debatin te çështja që e nisi: Ibri.
"Prandaj, ndoshta mund t’ia lëmë kështjellat prej rëre plazhit, dhe seminaret e historisë një dite tjetër. Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike. Dhe nëse vërtet duam ta ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë evropiane, ekziston një themel ndërtimi dukshëm më i fortë se rëra: realiteti", tha Dhuka.
Debati mes Tiranës dhe Beogradit nisi pasi Presidenti serb Aleksandër Vuçiç paralajmëroi se do të devijojë lumin, i cili është furnizuesi kryesor me ujë i liqenit të Ujmanit në Kosovë. Bashkimi Evropian reagoi duke thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.
-
Me facebook e kundershton serbine qeveria?
Përgjigju










Komente
Komento