Përse është minë me sahat posti i ministrit të Brendshëm në Shqipëri

Përse është minë me sahat posti i ministrit të Brendshëm në Shqipëri

Taulant Balla dhe Bledi Çuçi

Gjashtë ministra të Brendshëm në 9 vjet e 10 muaj. Përse qeveria e Edi Ramës vuan nga sindroma e ministrit të Brendshëm dhe përse ky post mbetet minë me sahat. Titullari i kësaj ministrie ose është shkarkuar, ose është dorëhequr, ose është arrestuar. 10 arsye përse kryeministri Rama, por edhe paraardhësit e tij nuk gjejnë qetësi me drejtuesit e dikasterit blu.

Kryeministri Edi Rama emëroi të shtunën Taulant Ballën si ministrin e 6-të të Brendshëm në 9 vjet e 10 muaj qeverisje që nga shtatori i vitit 2013. Me llogari, i bie që deri tani, mesatarisht një ministër i Brendshëm në qeverinë socialiste ka qendruar në detyrë 1 vit e 5 muaj. Kështu, Saimir Tahiri qendroi në detyrë 3 vjet e 6 muaj. Fatmir Xhafaj qendroi në detyrë, herën e parë, 1 muaj e 29 ditë dhe herën e dytë 1 vit, 1 muaj e 15 ditë. Dritan Demiraj qendroi në detyrë 3 muaj e 21 ditë. Sandër Lleshaj qendroi në detyrë 2 vjet, 1 muaj e 14 ditë dhe Bledi Çuçi qendroi 2 vjet, 6 muaj e 22 ditë. Pothuajse të gjithë janë larguar pas një ngjarje të rëndë madhore. Saimir Tahiri dha dorëheqjen pas skandalit me disa kushërinj të tij dhe u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që aktualisht pjesën e mbetur të dënimit po e konsumon në banesën e tij për shkak të rrethanave familjare. 

Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen pas skandalit me vëllain e tij të kërkuar në Itali. Dritan Demiraj u largua vetëm prej marrëveshjes së paracaktuar që kryeministri Rama kishte me kreun e opozitës Lulzim Basha në një qeverisje me disa ministra në një periudhë të shkurtër kalimtare. Sandër Lleshaj dha dorëheqjen pas vrasjes së një të riu nga një polic i papërgjegjshëm dhe Bledi Çuçi u shkarkua pas rrahjes barbare të dy personave në Borizanë nga 8 pjesëtarë të fisit Rraja, pas denoncimit të tij në polici se minat në guroren ku ata ishin pronarë u dëmtoi shtëpinë. Por kjo lloj sindrome nuk ka përfshirë vetëm qeverinë e Ramës. Në tetë vitet e qeverisjes së Berishës si kryeministër ai e drejtoi ekzekutivin me 4 ministrat e brendshëm Sokol Olldashi, Bujar Nishani, Lulzim Basha, Bujar Nishani, Flamur Noka, me një mesatare afër 2 vjet qendrimi në detyrë. 

Edhe më i rëndë është ky sindrom me qeverisjen e parë socialiste. Nga viti 1997 deri në 2005, pra, në 8 vjet, socialistët qeverisën me 8 ministra të Brendshëm: Neritan Ceka, Perikli Teta, Petro Koçi, Spartak Poçi, Ilir Gjoni, Stefan Çipa, Luan Rama dhe Igli Toska. Ndërkohë në qeverisjen e parë të PD, nga viti 1992 deri në 1997, pra në 5 vjet, kryeministri Aleksandër Meksi drejtoi ekzekutivin me 3 ministra të Brendshëm: Bashkim Kopliku, Agron Musaraj dhe Halit Shamata. Pra, mesatarisht 1 ministër ka qendruar në detyrë 2 vjet. Ndërkohë që nga viti 1991 e deri më sot, duke përfshirë të githa qeveritë, Shqipëria ka patur në 32 vjet, 26 ministra të Brendshëm me një mesatare të qendrimit në detyrë 1 vit e 2 muaj. Po përse edhe pse kanë kaluar 32 vjet nga rrëzimi i komunizmit ministrin e Brendshëm në Shqipëri e ndjek mallkimi me një largim jo normal nga detyra duke patur sindromën e Kadri Hazbiut? Largohet jo se mbaron një mandat të caktuar, por largohet i detyruar, ose me dorëheqje, ose me shkarkim, ose me arrestim, pra një turp?

Së pari, kjo tregon se rendi në Shqipëri edhe pas 32 vjetësh përpjekje për ndërtimin e një sistemi demokratik dhe ligjor vijon të mos jetë në standarte normale edhe pse qeveritarë dhe drejtues të policisë rreken ti mbushin mendjen publikut se jemi gjithnjë e më mirë. Siguria publike lë shumë për të dëshiruar dhe ngjarja e fundit në Fushë-Krujë janë antireklama më e rëndë që vendi ynë ka probleme thelbësore me standartet me rendin dhe ligjin. Ndërkohë, në kohën që jetojmë kur teknologjia na e paraqet një ngjarje me pamje filmike, ngjarje si ajo në Fushë-Krujë ndikon dhe ka impakt akoma më të fortë te publiku. Si Bledi Çuçi dhe Sandër Lleshi janë larguar nga detyra pas publikimit të videove të ngjarjeve në Fushë-Krujë por edhe të vrasjes së të riut në Tiranë nga një polic.

Së dyti, në Shqipëri vijon të jetë problem po aq kryesor mungesa e rendit brenda rendit. Vërtetë rrahja barbare nga ana e pjesëtarëve të fisit Rraja ndaj dy burrave të fisit Maja ishte një ngjarje shokues, tejet e rëndë dhe ka lënë pa fjalë këdo që e pa. Por më e rëndë akoma në këtë histori është spiunimi i policit te fisi Rraja e denoncimit të dy burrave Maja për çështjen e minave të guroreve dhe dëmtimin e banesave të tyre. Dhe imagjinoni që kjo u bë publike. Por sa e sa raste ka në Shqipëri që një polic që merr denoncimin, më parë se ta regjistrojë në regjistrat e komisariatit lajmëron të denoncuarin dhe i jep atij gjeneralitetet e denoncuesit duke u shndërruar nga sigurues në shkatërrues të rendit publik, sundimin e bandave kriminale dhe humbjen e besimit te shteti. Kjo është thembra e Akilit në policinë tonë të shtetit. E vërteta është se mes radhëve të policisë ka policë të zotë, të aftë dhe që me aftësinë dhe ndershmërinë e tyre e kanë ngritur emrin e policisë në këto 33 vite. Por duhet ta themi po aq hapur se në polici ka edhe punonjës të poshtër që janë të lidhur me bandat kriminale, i furnizojnë ato me informacione dhe paguhen prej tyre. Me plot gojën këta lloj policësh e meritojnë ti quash bazhibozukë dhe që na kujtojnë ushtarët e perandorisë osmane që në vend të detyrave të luftës plaçkisnin dhe vrisnin popullsinë.

Së treti, në Shqipëri ende ekzistojnë enklava dhe zona të pakontrolluara nga policia. Zona e Krujës, veçanërisht e Borizanës dhe Fushë-Krujës prej dekadash mbetet më problematike në vend. Aty kanë ndodhur shumë ngjarje që kanë sfiduar shtetin dhe rasti i fundit ishte i tillë që fisi Rraja tregoi publikisht se ka qenë përherë mbi shtetin, nuk e ka përfillur shtetin dhe ndjeheshin të sigurtë si triumfues mbi ligjin dhe shtetin. Dhe ministrat e brendshëm nuk e kanë ngacmuar fare këtë plagë të rendit në të gjitha këto vite.

Së katërti, në Shqipëri ende vijon mentaliteti i fuqisë fizike dhe i të fortit përpara ligjit. Ngjarja e Fushë-Krujës tregoi se i forti i fshatit, i forti i lagjes dhe i forti i rrugës është mbi ligjin, mbi policinë dhe mbi shtetin. Vërtetë me arrestimin e tyre ky takëm ka marrë një lloj goditje. Por imagjinoni momentin e parë ku u shfaq videoja sa zemër kanë marrë të fortët e fshatit, të fortët e lagjes dhe të fortët e rrugës? Ata kanë menduar se fuqia fizike dhe fuqia bandideske dhe jo ligji vijojnë të triumfojnë në Shqipëri dhe kjo vazhdon të ketë pasoja. Dhe mes pasojave më të rënda është ndjenja e pasigurisë dhe largimi nga vendi pikërisht për këtë arsye. Dhe ministrat e brendshëm nuk janë marrë fare me këtë fenomen.

Së pesti, në Shqipëri vijon të sundojë politika për disa vota më shumë. Rrahman Rraja vërtetë bëri një akt normal duke dhënë dorëheqjen. Por a ishte normale që PS për shkak të ndikimit në zonë duhet ta vendoste në listë për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit 2021? Ky është një gabim personal i Edi Ramës që vërtetë ai i siguroi një rezervuar votash në qarkun e Durrësit, por njëkohësisht i dha edhe një kosto të rëndë Shqipërisë për rendin publik që do ndikojë shumë për vite e vite. Socialistët dhe jo vetëm duhet të heqin dorë nga përfshirja në garat elektorale personazhe të fortë vetëm pse ata kanë ndikim në zonë. Rasti Rraja konfirmon se vërtetë të fortët të japin vota, por një ditë ata do dalin nga kontrolli dhe produkti do jenë ngjarje si kjo e Fushë-Krujës.

Së gjashti, në strukturat e policisë vijonë të ketë problem organizimi dhe kontrolli. Polici i komisariatit të Fushë-Krujës vërtetë spiunoi te të denoncuarit, por duhet ta themi se kuptohet qartë se kontrolli vertikal ka munguar. Shefi i postës së Policisë, shefi i komisariatit, drejtori e deri në Drejtorinë e Policisë së Shtetit nuk u gjendën befas të papërgatitur nga kjo ngjarje. Jemi të bindur se ata kanë qenë të inforrmuar se si funksionon ky grup familjar dhe besohet se kjo ngjarje nuk është e vetmja. Kjo mund të jetë e vetmja e filmuar.

Së shtati, drejtësia shqiptare tregoi edhe njëherë se me ngjarje të këtij lloji ka dështuar. Ne vërtetë sot i turremi policisë dhe e kemi të lehtë ta godasim atë. Por ajo që duhet të ishte garante e kësaj situate është drejtësia. Jam i bindur se në momentin kur godisnin në kokat e dy burrave me shkopinj baseball-i pjesëtarët e fisit Rraja më shumë ndjeheshin të sigurtë se me ta nuk do të merrej prokuroria dhe gjykata se sa policia. Kryeprokurori i Antimafias Italiane Pier Luigi Vigna e ka lapidare thënien e tij në një intervistë që i kam marrë në vitin 2004: Deri sa këtu në Shqipëri nuk vriten prokurorë dhe gjykatës, por vetëm policë, do të thotë se drejtësia është palë me krimin. Kur të vritet prokurori dhe gjykatësi i parë për shkak të detyrës, vetëm atëherë duhet të thoni se nisi beteja me krimin.

Së teti, ndikim jo të vogël në këtë histori ka edhe media. Mungesa e lajmeve, kronikave, speciale në zonën e Fushë-Krujës e kanë shndëruar atë zonë në një oaz krimi dhe një zonë pa media. Mjaftoi kjo ngjarje dhe gazetarët u dyndën atje duke nxjerrë në publik problemet e mungesës së hapur të shtetit. Por si ka mundësi që media nuk e ka bërë këtë qoftë një herë të vetme me reporte apo investigime? Zhanri i investigimit nuk mund të trajtohet vetëm brenda unazës së Tiranës. Kjo mungesë e ka bërë këtë zonë sikur të ishte diku në Hënë dhe jo vetëm pak kilometra larg Tiranës.

Së nënti, bizneset me probleme të theksuara me ligjin dhe biznesmenë me pistoletë në sqetull dhe me shkopinj baseball-i në bagazhet e makinës tregojnë natyrën për një pjesë të sipërmarrjes në Shqipëri. Rrjedhimisht edhe të ekonomisë sonë. Videoja na bëri të pyesim nëse jemi në epokën e familjeve mafioze në SHBA-në e viteve ‘30-të. Në fakt, jo. Videoja tregoi se jemi në fillimet e qytetërimit. Fjalori i një biznesi me fjalët fis, burra, pistoletë, shkop baseball-i, gjak, godite, vrite, qëlloje, nuk mund të jetë kurrë biznes. Një biznes që ka këtë stil dhe këtë sjellje nuk mund të pajiset kurrë me licencë për aktivitet.

Së dhjeti, duhet të themi se Shqipëria ende ka probleme të theksuara me kontrollin e territorit. Investimet për dronë dhe satelitë ende nuk ia kemi parë hajrin dhe si e tillë zona si kjo gurore që funksionon pa pyetur për ligje dhe shtet është absurde të mendosh se ka ende në vitin 2023.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • rolandi: 10/07/2023 12:58

    se njembedhjti policia nuk i lufton hajdutet e pulave dhe xhepistat

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë