Përse PD-ja thirri në ndihmë Aleksandër Vuçiç në javën e fundit të fushatës?!

Përse PD-ja thirri në ndihmë Aleksandër Vuçiç në javën e fundit të fushatës?!

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Në këtë muaj të fushatës elektorale, realisht PD-ja e ka humbur debatin publik me Edi Ramën. Nuk ka mundur të jetë protagoniste apo të udhëheqë diskutimin në të paktën një nga argumentet e saj politike, apo ajo që quhet ofertë zgjedhore.

Ka humbur përballjen në formën e organizimit të show-ut elektoral, nuk ka arritur në asnjë ditë që të tërheqë vëmendjen dhe të dominojë debatin mbi përmbajtjen e ofertës politike, e natyrisht e humbi dje duelin e profilit njerëzor të liderit ku Basha e Rama garuan në dy emisione konkurente të trajtimit të butë të intervistave personale; Rama tek Manushi në emisionin “E Diell” dhe Basha me bashkëshorten tek “E Diela Shqiptare”, me Ardit Gjebrean.

Dhe pikërisht duke parë këtë shproporcion ju kthyen asaj që dinë të bëjnë më mirë; fake news-in politik apo keqinformimin dhe përdorimin e tij për arsye elektorale.

Dhe hodhën në fushë Aleksandër Vuçiçin, Presidentin e Serbisë, të cilin e sollën si aleat të PD-së në fushatë. Në një intervistë që Vuçiç dha në televizionin B92 të Beogradit, foli edhe për zgjedhjet e Shqipërisë, ku presidenti serb i dha dy karta të forta PD-së.

Njëra ishte që PD ishte vetëm dy pikë larg PS-së, që tregon se Vuçiç i beson sondazhit që ka publikuar media e familjes Berisha dhe jo mediat e tjera është të paktën 9-10 pikë para.

Por si Vuçiç mund të ndërhyjë në fushatën elektorale në Shqipëri, kur nuk e ka bërë atë në Kosovë? Edhe një më i painformuari në politikë e di se çdo endorsement që Vuçiç do të shpalosë do të ketë efektin e kundërt, Gjë që nuk e ka dhënë realisht, duke ju referuar asaj pjese që mediat e opozitës kanë publikuar në fillim me audio pastaj në video. Vetë televizioni B92 në portalin e tij, nuk ka publikuar asnjë frazë prej kësaj pjese pasi nuk ka qenë e rëndësishme.

Pasi, në fund të fundit thelbi i intervistës ka pasur objekt diçka tjetër, por nëse do të merrej si argument, do të duhej të analizohej.

Linku që B92 ka publikuar intervistën e Vuçiç nuk ka asnjë frazë për zgjedhjet në Shqipëri, e nëse e marrim kështu, e vetmja pjesë nga këto zgjedhje është reklama për PD-në, listën e Tiranës e konkretisht për Vangjel Dulen.

Megjithatë kjo nuk se është një nismë e qeverisë së Beogradit për të mbështetur Vangjel Dulen, edhe pse serbët i konsiderojnë grekët aleatë.

Nëse Serbia do të mbështesë ndonjë forcë politike në Shqipëri, ajo do të duhet ta sulmojë, që ajo të fitojë pikë. Vuçiç ka sulmuar ashpër Albin Kurtin e Vjosa Osmanin para zgjedhjeve të Kosovës, e në fund Kurti e bëri ministër Goran Rakiqin, kreun e Listës Serbe. A është Kurti, një aleat i Vuçiçit? Jo natyrisht, pasi me kushtetutë në qeverinë e Kosovës, duhet të ketë një pjesëtar të pakicës serbe që është e para në zgjedhje. Politika, është më e komplikuar se kaq.

Logjika e lojës me Vuçiçin është një rikthim në politikën e vjetër të PD-së, kohë kur Sali Berisha në vitet 90 deklamonte se është për bashkim kombëtar dhe PPSH e ka shitur Kosovën. Sali Berisha ka qenë President dhe kryeministër i Shqipërisë në kohë kyçe. Në kohë kyçe për Ballkanin. Sali Berisha kur ishte President i dha hapësirë furnizimit me naftë dhe jo vetëm të Unionit Serbi-Mali i Zi, madje me marrëveshje ndërshtetërore, duke thyer embargo e OKB-së.

Në vitin 1996, Sali Berisha i hoqi mbështetjen Ibrahim Rugovës, dhe në vitin 1998 kërkoi që delegacioni shqiptar në Rambuje të mos e firmoste marrëveshjen me SHBA dhe vendet e BE-së.

A ishte Sali Berisha një tradhtar? Disa mendojnë po, e disa mendojnë jo, por Berisha mbajti një qëndrim të kundërt me qeverinë e atëhershme të Tiranës që ju bashkëngjit komunitetit ndërkombëtar.

Megjithatë, nëse i kthehemi taktikës së PD-së në vite, fake news-n e ka pasur taktikë të saj. Në vitin 1992, kur PD-ja e kishte të sigurtë se do të fitonte zgjedhjet, nxori çështjen e të famshmit John McCgow.

I cili tha para zgjedhjeve se kishte parë të lëvizte ari shqiptar në Zvicër, por kur erdhi PD nuk u mor asnjë ditë me të. Praktikisht rezultoi një fake news bombastik.

E kjo vijoi edhe në zgjedhjet e mëvonshme, si gjatë 1996-s, gjatë 1997-s, e me radhë. E mbani mend kur në çdo zgjedhje PD-ja bërtiste fitore përpara se të niste numërimi i votave? E kur festa niste përgjithësisht në seli, e më pas situata ndryshonte kur gjerat ishin vërtetuar. Që nga referendumi i Kushtetutës së 1994-s e më tej?

Që të jemi të qartë; Vuçiçit i intereson një qeveri stabile dhe të fortë në Tiranë, apo një qeverisje të dobët dhe me probleme? Në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, ku Gjukanoviç humbi për një votë në Parlament, Vuçiç kontrollon shumicën qeveritare dhe madje po kryeson përpjekjen për të shkarkuar kryeministrin Zdravko Krivokapiç, vetëm e vetëm se ky i fundit ishte njeriu më i afërt i Metropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfilohije, që vdiq nga Covid 19-a.

Armiku më i fortë i tij në Mal të Zi është përkrahësi më i fortë i Perëndimit e i NATO-s, i cili po, është përkrahur hapur edhe nga Edi Rama e Zoran Zaev.

Por opozita shqiptare ishte një kundërshtare e fortë e Gjukanoviçit, thjesht e vetëm se Rama doli në përkrahje të Milos.

Sot qeveria e re proserbe e Podgoricës ka hartuar një ligj, që i jep shtetësi të gjithë serbëve që thjesht kanë jetuar dikur në kohën e Titos në Mal të Zi dhe rrëzon të gjithë puzzlen gjeopolitik të këtij shteti të vogël. E këtu bashkëfajtor është bërë Dritan Abazoviç, i cili është takuar dje me një emisar të Ilir Metës në Podgoricë.

Kush është tradhëtari këtu? Partitë shqiptare në Mal të Zi e cilësojnë Abazoviçin, si një njeri të Beogradit, një person që kërkon të zhbëjë ekuilibrin etnik të këtij shteti anëtar të NATO-s. Një tezë që Vuçiç dhe aleati i tij Daçiç e përsërisin çdo ditë që nga zgjedhjet e 30 korrikut të vitit të shkuar.

Atëherë kush është realisht aleat i Vuçiçit në Tiranë? Besoj s’do shumë mend e kalem../ Gazeta "Tema" 

Intervista e presidentit serb, Aleksander Vuçiç në televizionin B92, i cili  foli edhe për zgjedhjet e Shqipërisë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë