Të paktën 17 persona kanë vdekur në trazirat më të rënda në Iran prej vitesh, pas vrasjes nga policia të 22-vjeçares Mahsa Amini. Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka thënë se vdekja e vajzës në paraburgim duhet të hetohet.
Duke folur në një vizitë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Raisi akuzoi Perëndimin për hipokrizi, ndërsa përsëriti konkluzionin e mjekut se e reja kishte pësuar arrest kardiak.
Presidenti i kujtoi perëndimit vrasjet nga policia në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, duke i akuzuar për standarde të dyfishta.
“Çdo ditë në vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ne shohim burra dhe gra që vdesin në përplasjet me policinë, por nuk ka pasur kaq ndjeshmëri”, tha Ebrahim Raisi.
Sulmi i tij kundër Perëndimit erdhi disa orë pasi SHBA njoftoi se do të vendoseshin sanksione ndaj policisë morale iraniane për abuzim të grave dhe shkelje të të drejtave të protestuesve.
Deklaratat e autoriteteve iraniane për vdekje natyrale kundërshtohen nga protestuesit dhe familjarët e 22-vjecares, të cilët rikujtuan raportet se oficerët e goditën vajzën me shkop dhe më pas ia përplasën kokën në një makinë.
Protestat me thirrje kundër qeverisë dhe policisë janë shtrirë në 80 qytete e qyteza. Trazirat më vdekjeprurëse janë përqendruar në veriperëndim të Iranit të populluar nga kurdët, ku jetonte 22-vjeçarja, e cila u dhunua deri në vdekje se nuk kishte vendosur mirë hixhabin.
Protestat e organizuara nga shteti janë mbajtur në disa qytete iraniane, për të sfiduar protestat kundër establishmentit që janë zhvilluar tash e disa ditë, pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare. Media shtetërore, IRNA tha se disa persona protestuan më 23 shtator “për të censuruar sharjen e Kuranit të Shenjtë, vënien në flakë të xhamive, por edhe shkeljeve të kodit të veshjes islamike”.
Protestuesit dënuan protestat anti-qeveritare, duke i quajtur pjesëmarrësit në to “ushtarë të izraelit”, raportoi televizioni shtetëror. Në protestat shtetërore po ashtu u dëgjuan brohoritjet “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, që janë slogane që rëndom përdoren nga udhëheqësit klerikë në ngjarjet e sponsorizuara nga shteti. Protestat e sponsorizuara nga shteti vijnë në mes të paralajmërimeve të fuqishme nga autoritetet, pasi ushtria u tha iranianëve që të përballen me “armiqtë” që qëndrojnë pas trazirave.
Në ditët e fundit, në dhjetëra qytete iraniane janë organizuar protesta lidhur me vdekjen e Mahsa Amini, e cila u arrestua nga policia e moralit nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit. Policia tha se ajo vdiq nga një sulm i papritur në zemër, por aktivistët hedhin poshtë këto pretendime, duke argumentuar se ajo ishte rrahur gjatë arrestimit.
Protestat nisën në vendlindjen e Aminit, në provincën Kurdistan, por më pas u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytetin iranian, Teheran. Vdekja e Aminit ka bërë që të bëhet thirrje për t’i dhënë fund ligjit për mbajtjen e detyrueshme të hixhabit dhe për shkatërrimin e departamentit të policisë së moralit.
Disa protestues madje kanë bërë thirrje që Republikës Islamike t’i vije fundi. Ushtria e Iranit tha më 23 shtator se “do të shkatërrojë komplotet e ndryshme të armiqve në mënyrë që të ketë siguri dhe paqe për njerëzit që padrejtësisht po sulmohen”.
“Ne nuk do të lejojmë që armiqtë tanë ta përdorin këtë situatë”, u tha në deklaratën e ushtrisë, sipas agjencisë gjysmë-shtetërore të lajmeve, ISNA.
Ndërkaq, më 22 shtator, kreu i gjyqësorit në Iran, Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, u bëri thirrje forcave të sigurisë që të përgjigjen me forcë ndaj protestave. Që nga nisja e protestave, mediat iraniane kanë raportuar se janë arrestuar 288 persona. Ndërkaq, sipas shifrave zyrtare, 17 persona kanë vdekur deri më tani si pasojë e përleshjeve me policinë, përfshirë edhe pesë zyrtarë policorë. Por, Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran, me seli në Nju Jork, ka thënë se numri i viktimave është 36 dhe ky numër pritet të rritet.