TIRANE - Ndër veprat që të bëjnë përshtypje dhe tundohesh t’i shfletosh është edhe “Histori pellazgësh” e At Gjeçovit. Drejtorja e re e  Bibliotekës Kombëtare e koncepton ekspozitën e çelur në institucionin saj, me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, si zbulimin e njërës nga shtyllat ku mbështetet identiteti ynë evropian. Persida Asllani rrëfen detajet e ekspozitës “Katolicizëm dhe kulturë” që do të vijojë të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit shtator. Çdo vepër, çdo dokument flet si një fakt i pakundërshtueshëm.

Persida Asllani mendon se koncepti i ekspozitës të shtyn në një bashkëbisedim më të thellë rreth këtyre dokumenteve të ekspozuara. Ajo na jep një orientim për përmbajtjen e tyre dhe thotë se “Është pikërisht këtu marrëdhënia mes katolicizmit dhe kulturës dhe ndjekja e kësaj gjurme dalëngadalë me një besim të caktuar, që është një nga shtyllat më të forta në të cilën mbështetet kultura jonë dhe identiteti ynë si komb, dhe si komb evropian”. Në intervistën e saj të parë për “Shqiptarja.com”, drejtorja e këtij institucioni Persida Asllani rrëfen edhe disa nga aktivitetet e BK-së që do të vijojnë pas vizitës papnore në Tiranë.