TIRANË, 4 Tetor/ATSH/.- Personalitetet më larta të vendit, përfaqësues të politikës, trupit diplomatik, qytetarë etj, i përcollën sot urimet më të mira besimtarëve myslimanë shqiptarë dhe drejtuesve të Komunitetit Mysliman për festën e Kurban Bajramit.
Kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, drejtues të partive politike etj, vizituan paradite selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku uruan kryetarin e tij, Skënder Bruçaj dhe gjithë besimtarët për këtë ditë të shënuar. Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, nga Kavajë uroi besimtarët për festën e Kurban Bajramit.Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman, tha për mediat se kjo ditë e shënuar duhet të na nxisë për më shumë falje, tolerancë e solidaritet, sidomos ndaj atyre qytetarëve që kanë nevoje per më shumë vëmendje. Ai vlerësoi harmoninë dhe bashkëjetesën mes komuniteteve fetare, duke theksuar se politika duhet të mësojë nga kjo duke qënë më tolerante e bashkëpunuese.Më herët, përmes një mesazhi, Presidenti Bujar Nishani përcolli mesazhin e urimit për të gjithë besimtarët myslimanë, duke i ftuar ata të lënë mënjanë mëritë dhe sherret dhe të afrohen e respektojnë njëri-tjetrin.
Në ditën e Festës së Kurban Bajramit, personalitetet e larta të vendit uruan edhe drejtuesit e komunitetit bektashian në Shqipëre gjatë vizitave në selinë e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë. /a.s//a.ke/