Ishte vjeshta e vitit 2024, kur jeta e Verës ndryshoi. Filloi të ndjente disa shqetësime fizike që nuk i kishte përjetuar më parë. Pas disa vizitave te mjekët dhe ekzaminimeve të shumta, ajo u diagnostikua me kancer gjiri dhe prej një viti tashmë, ajo po lufton me këtë sëmundje.
‘Unë e zbulova me anë të vizitave dhe ishte në fazë të hershme dhe më pas bëra të gjitha analizat’, tha ajo.
56-vjeçaren, Vera Loshi, nga fshati Ishull-Lezhë e gjejmë duke marrë mjekimet e radhës në Spitalin Rajonal të Lezhës. E fortë dhe me shumë kurajë, Vera tregon se sëmundja u kap në fazë të hershme dhe trajtimi po ecën mjaft mirë.
‘Kam bërë kimioterapi, rreze dhe gjilpëra njëherë në 3 javë dhe tani ndihem mirë’, tha ajo.
Nëna e dy fëmijëve tregon se forcën për ta përballuar sëmundjen e gjeti te besimi në Zot dhe mbështetja e bluzave të bardha, të cilët i qëndruan pranë në çdo hap të kësaj beteje të vështirë.
‘Kisha një forcë të madhe dhe thash do t'ja dilja. Unë besoj në zot ai është që na ndihmon dhe mjekët më kanë dhënë një forcë shumë të madhe’, tha Vera Loshi.
Vera Loshi ka një apel të fortë për të gjitha gratë dhe vajzat: Mos të kenë frikë! Me tej, 56-vjecarja rrëfen për Report TV se ishte ajo që i dha forcë edhe familjes.
‘Familja e priti keq, por unë u dhash forcë atyre, u thash do t'ja dal dhe po ja dalë’, tha ajo.
Numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit në qarkun e Lezhës është rritur gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të shërbimit onkologjik, vetëm në nëntëmujorin e parë janë regjistruar 30 raste të reja, kryesisht në grupmoshën 45 deri në 60 vjeç.
Komente








