Kur i pyesje 12 anëtarët e familjes Kastrati, se çfarë besimi fetar, kanë, të gjithë thonin, myslimanë. Por kjo përgjigje mori edhe më shumë kuptim, kur e gjithë familja, nisi edhe të praktikojë rregullat e besimit. Ky rrugëtim ishte gradual, dhe pranimi në shoqëri, ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm.
“Jemi 10 fëmijë, të gjithë jemi praktikantë, përfshirë edhe prindërit. Kemi qenë myslimane, po praktikantë tani jemi të gjithë. Shoqëria pastaj dhe familja kështu erdhi gradualisht edhe jetoj si një praktikante dhe shumë krenare”, thotë Lindita Kastrati.
25-vjeçarja Lindita Kastrati e cila banon në Tiranë me familjen e saj, sot është agjëruese. Këtë ditë të parë të muajit të shenjtë për besimtarët myslimanë në mbarë botën, thotë se e ka pritur me mall.
“Ky është një muaj që ne mezi e presim. Unë kam mbi 15 vite, domethënë unë e llogaris që kam gjithë jetën në Islam edhe është një mirësi shumë e madhe”, shprehet Lindita.
Mersina Sinani, është një tjetër besimtare, që ka nisur agjërimin. Ndryshe nga Lindita, në familjen e 19-vjeçares janë vetëm dy agjërues, ajo dhe nëna.
“Familja është besimtare, por jo dhe aq shumë, të jenë praktikantë. Vetëm unë e mami. Bëhemi versioni më i mirë i vetes tonë duke pasur edhe besimin afër”, thotë e reja.
19-vjeçarja Mersina Sinani, studente në Tiranë, ka nisur të agjërojë vetëm një një vit më parë.
“Nisi vetë. Ke një paqe shpirtërore të cilën nuk e gjejnë askund tjetër. As te njerëzit, se njerëzit shkojnë e vijnë. E kupton? Edhe s'është se gjendet dikush pranë teje më afër se që të gjendet Allahu”, shprehet Mersina Sinani.
Muaji i Ramazanit për besimtarët është një kohë reflektimi, vetëkontrolli, pastrimi shpirtëror dhe lutjeje. Agjërimi, një nga pesë shtyllat e Islamit, është detyrim për çdo besimtar të rritur që nuk ka probleme shëndetësore. Nga agimi deri në perëndim, nuk konsumohet ushqim apo pije dhe shmangen marrëdhëniet intime. Ramazani përkujton zbritjen e parë të Kuranit nga profeti Muhamed. Brenda këtij muaji është dhe nata e Kadrit, që konsiderohet nata më e vlefshme e vitit. Muaji mbyllet me Fitër Bajramin
Komente









