Me ide dhe regji të Gjon Kolndrekajt, skenar të Pal Kolndrekajt dhe prodhim të CrossinMedia, në bashkëpunim me Rai Documentari, vepra sjell një rrëfim që lidh Shqipërinë me Italinë dhe Shkodrën me Genazzanon.

Ajo u prezantua në edicionin e 83 të festivalit të filmit në Venezia dhe sjell përpara publikut edhe momente të dhimbshme të historisë shqiptare: luftërat, pushtimet, largimin e njerëzve nga atdheu dhe vitet e diktaturës komuniste.

“Çdo papë ka patur imazhin e tij, si Gjon Pali i Dytë ashtu dhe Francesku. Ndërsa papa Leoni i 14 ka Nënë e Këshillit të Mirë. E pamë që në nisje të misionit të tij. Prandaj për mua ishte kënaqësi t’i prezantoja botës Shqipërinë në këtë dimension. Sepse nuk e dijnë historinë tonë si popull”, tha Gjon Kolndrekaj.

"Këtë mbrëmje ndodhemi përballë një imazhi që, për miliona njerëz, nuk është thjesht një imazh. Është një fytyrë. Një fytyrë e lidhur sigurisht me besimin, por mund të themi edhe me vuajtjen, përndjekjen, heshtjen dhe shpresën e një populli. Është Nëna e Këshillit të Mirë. Kur një imazh bëhet pjesë e jetës së një populli, kjo ikonë nuk mund të kuptohet vetëm si një vepër arti. Sigurisht, ajo ka edhe vlerën e saj artistike, por bëhet një prani, një kujtesë, diçka përpara së cilës një popull e njeh dhe e gjen veten. Zoja e Këshillit të Mirë vendoset brenda një historie më të gjerë, siç është thënë tashmë. Është historia e një populli që ka njohur ndarjet, ndryshimet kulturore, përkatësitë e ndryshme fetare dhe që, gjatë shekullit të njëzetë, përjetoi formën më të ashpër të përndjekjes. Prandaj, të flasësh për Zojën e Këshillit të Mirë do të thotë të flasësh për një identitet përmes kujtesës”, tha Imzot Francesco Moraglia - Patriark i Venecias

Një kapitull i veçantë i kushtohet periudhës së ateizmit shtetëror, kur besimi fetar u godit dhe institucionet fetare u mbyllën. Megjithatë, tradita dhe kujtesa vazhduan të ruheshin.

"Vetëm dy fjalë për sa i përket marrëdhënies midis popullit shqiptar dhe Zojës së Këshillit të Mirë. Nuk bëhet fjalë vetëm për një përkushtim fetar. Kjo marrëdhënie tregon diçka më shumë,: tregon një histori, tregon një traditë dhe, mbi të gjitha, tregon një identitet. Zoja e Këshillit të Mirë, për shqiptarët, është pjesë e identitetit të tyre, sidomos e identitetit kulturor dhe fetar, që e ka shoqëruar këtë popull gjatë gjithë historisë së tij, duke filluar nga pushtimet, nga luftërat, nga përndjekjet, por edhe në rikthimin dhe kthimin te feja, në përpjekjen për të rimarrë atë që humbi gjatë 50 viteve të ateizmit dhe komunizmit, një periudhë ateizmi në të cilën përndjekja kishte ndaluar çdo formë të besimit fetar”, tha Giovanni Peragine - arqipeshkëv i Shkodrës.

“Mendoj se ju e dini që Shqipëria ka vuajtur komunizmin, një nga përndjekjet më të tmerrshme që Evropa, ndoshta edhe bota, ka parë ndonjëherë. Por, pavarësisht kësaj, ata që e njohin mirë Shqipërinë dhe shqiptarët e dinë se shqiptarët nuk kanë reshtur kurrë së besuari dhe së mbajturi në zemër Virgjëreshën Mari. Nëse gjatë komunizmit mbaje në shtëpi një imazh të shenjtë ose një kryq, arrestoheshe dhe madje mund të pushkatoheshe. Shqiptarët e ruajtën gjithçka, edhe fshehurazi, edhe imazhin e Zonjës së Bekuar, sepse pikërisht ky imazh ishte mesazh shprese e besimi”, shtoi  Dom Artur Jaku - rektor i bazilikës “Nëna e Këshillit të Mirë”

“Përtej Murit – Nëna e Këshillit të Mirë” vjen si një rrëfim mbi atë që koha nuk mundi ta fshijë. Një histori shqiptare që nis në Shkodër, kalon përmes Italisë dhe tashmë shkon drejt një audience ndërkombëtare”, tha historiani Pjerin Mirdita.