Shkolla e Baletit në Tiranë ka tashmë mjedise të rikonstruktuara me kushte moderne.

Në ceremoninë e përurimit të mjediseve të reja mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe pedagogë e nxënës që kanë frekuentuar shkollën ndër vite, të cilët me punën e tyre kanë ngritur lart emrin e shkollës shqiptare të baletit.

Veliaj deklaroi se  rikonstrukturimi i Shkollës së Baletit është një tjetër premtim i mbajtur ku brenda dy viteve ka përfunduar rikonstruksioni i Shkollës së Liceut Artistik dhe i Shkollës së Baletit, që janë fidanishte për artistët e rinj.
 
“Kjo ka qenë një javë fantastike për Tiranën në fakt. Kemi hapur disa shkolla të reja. Unë besoj se shkollat ku kemi gjasat më të mëdha që të kemi produkt të mirëfilltë ‘Made in Albania’ janë dy: Shkolla e Liceut dhe Shkolla e Baletit. Ndaj edhe më vjen mirë që në të dyja këto shkolla që janë shkolla kombëtare kemi më në fund një arritje të jashtëzakonshme. Pra në gjysmën e parë të mandatit, në dy vitet e para zgjidhen dy shkolla kombëtare që mirëpresin të rinj nga e gjithë Shqipëria”, u shpreh ai.
 
Kreu i Bashkisë u shpreh se në ambientin përreth shkollës nuk do të lejohet tregtia, ndërsa ftoi të gjithë shitësit që të shfrytëzojnë hapësirat e ngritura nga Bashkia e Tiranës për këtë qëllim.

“50 metra nga këtu është tregu ku mund të shiten rroba, mund të shitet sallatë, por për sa kohë që bashkia e ka një hapësirë ku kjo mund të bëhet me dinjitet, jo në rrugë, jo në shkollë, jo te vendi ku vijnë ata ku nesër do u themi, ‘O sa mirë me qenë shqiptar’. Për sa kohë që është ky opsion, atëherë le të përdorim atë vend për të shitur dhe këtë vend për të mësuar, për të praktikuar, për të bërë gjëra të bukura, për të bërë art”, tha ai, duke shtuar se koha ka treguar se gjërat e bukura kërkojnë edhe vendime të vështira.
 
Vendimet e vështira ndonjëherë prodhojnë histeri, por për sa kohë që ky qytet, pavarësisht se është i mbingarkuar me 1 milionë njerëz, por edhe me 1 milion probleme, secili ka hapësirën e vet ku mund të jetojë jetën me dinjitet, pa prishur, pa cenuar dinjitetin e dikujt tjetër, që gjithashtu do të realizojë aspiratën e jetës së tij
”, tha Veliaj, ndërsa kërkoi nga përfaqësuesit e komunitetit dhe anëtarët e këshillit bashkiak që të tregohen të kujdesshëm për mbrojtjen e hapësirave publike që i shërbejnë të gjithëve.
 
Veliaj u bëri thirrje pedagogëve dhe të artistëve të cilët tashmë kanë dalë në pension, që të bashkëpunojnë dhe të kontribuojnë sërish për brezin e ri.
 
Në fund të koncertit festiv, kryetari i Bashkisë Veliaj shpërndau medalje mirënjohje për disa nga emrat më të njohur të kësaj shkolle që kanë lënë gjurmë në artin shqiptar.

Në Shkollën e Baletit është bërë rikonstruksioni i fasadës, hidroizolimi i tarracës, rikonstruksioni total i nyjeve sanitare, rrjetit hidraulik dhe i dhomave të zhveshjeve. Gjithashtu, është shtruar parketi i ri i përshtatshëm për sallat e kërcimit, si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes.

[gallery]23874[/gallery]
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com