TIRANE- Monumenti i Ahmet Zogut është inauguar sot në mesditë në bulevardin e parë që mban emrin e tij. Zbulimi i shtatores së tij përkon me një datë historike të 24 dhjetorit, 1924 kur Ahmet Zogu riktheu legjitimetin e tij të fituar në zgjedhjet e dhjetorit 1923 pasi rrëzoi revolucionin e qershorit të Fan Nolit (qershor 1924)

“Një grusht aventurierësh i bënë grusht shteti”- deklaroi sot kryeministri Berisha duke iu referuar këtij momenti historik të rrëzimit të qeverisë së Nolit.

Si për koiçidencë edhe riatdhesimi i eshtrave të Mbretit Zog dhe ceremonia e rivarrimit të tij në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore, më 17 nëntor 2012, përkoi me një ditë historike si ajo e Çlirimit të Tiranës, 17 nëntor 1944.

Në ceremoni përveç Kryeministrit Berisha ishin të pranishëm edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, anëtarë të Familjes Mbretërore dhe autoritete të larta shtetërore marrin pjesë në ceremoni.

"Sot nderojmë një nga personalitetet më të njohura dhe më të shquara të historisë sonë kombëtare"- tha Berisha duke shtuar se Zogu konsolidoi shtetin shqiptar dhe jetoi dhe vdiq si antifashist, i cili luftoi në mërgim pavarësisht se u detyrua të largohej nga Shqipëria

“Djaloshi zemër zjarr që në moshën 17-vjeçare do vërsulej si luan nga malet e Matit drejt Vlorës së flamurit, për të mbrojtur pavarësinë e sapo shpallur për të mbështetur themeluesin e shtetit dhe pavarësisë së vendit, Ismail Qemal Vlorën. Ai qëndroi i palëkundur në anën e kombit shqiptar... Me emrin e Zogut janë të lidhur respektimi i madh i lirive të besimeve fetare, respektimi i madh i pronës, lëvizjes së lirë, mendimi të lirë. Me emrin e Zogut janë të lidhur konsolidimi i shtetit shqiptar. Njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën.Mbretëria shqiptare do të ishte viktima e parë në Evropë, e agresioni nazi-fashist. Nuk pranoi të kapitullonte por vazhdoi luftën. Ishte nga të parët që u shpalli luftë pushtuesve të Shqipërisë. Zogu jetoi dhe vdiq si një prej anti-fashistëve më të vendosur të Shqipërisë dhe Evropës””- tha më tej  Berisha duke shtuar se "Të gjithë bëjmë gabime, por shtetin ai e formoi”.


BUSTI U VONUA NJE MUAJ NE SHBA

Përurimi ishte planifikuar të ndodhte gjatë festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, muajin e kaluar, por busti mbërriti një muaj me vonesë nga SHBA, kjo pasi skulptori Kreshnik Xhiku nuk arriti ta përfundonte në kohë atë. Vonesat u shkaktuan pasi Komisioni i festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë pati disa variante për pamjen që duhet të kishte shtatorja e Mbretit të parë të shqiptarëve.
Busti i Ahmet Zogut u vendos mbrëmjen e djeshme ndërsa u zbulua esditen e sotme. Mbreti Zog në shtatore është me uniformë ushtarake dhe mban një shpatë, maja e së cilës është e vendosur në tokë.

RIVARRIMI I ESHTRAVE NE ATDHE
ME 17 NENTOR DITEN E CLIRIMIT TE SHQIPERISE

Më 15 nëntor eshtrat e Mbretit Zog u zhvendosën nga Parisi,ku preheshin që nga viti 1961 për tu riatdhesuar në Shqipëri. Më 17 nëntor eshtrat u rivarrosën në Mauzoleumin e familjes Mbretërore në Tiranë.
Ahmet Zogu i lindur më 8 Tetor 1895 në Burgajet të Matit, ishte ai që drejtoi për afër 15 vjet jetën e vendit, duke nisur karrierën e tij si politikan në shtetin e ri modern në vitin 1924 për pak kohë si ministër i Brendshëm, pastaj president kur Shqipëria u shpall Republikë Parlamentare nga 1925-1928, dhe nga 1928 deri më 1939, si Mbret i vetëshpallur i shqiptarëve, duke e drejtuar vendin nëpërmjet Mbretërisë. Pas largimit nga Shqipëria, kur sapo e pushtoi Italia fashiste, Zogu kërkonte mbështetje nëpër shtete të tjera të Europës, duke u mbrojtur edhe nga frika e hakmarrjes së popullit shqiptar, të cilin e braktisi ditën e 7 prillit 1939. Si pasojë e kësaj, Ahmet Zogu vdiq në një azil politik në Francë.

(sg/shqiptarja.com)