Shkolla e re në Kombinat do të mbajë emrin e shkrimtarit, poetit, përkthyesit dhe fizikani Betim Muço. Shkolla e re në Njësinë numër 6, përveç emrit të Betim Muços do të mbajë në ambientet e saj edhe bustin e tij, si një shenjë mirënjohje për gjithçka ai bëri në fushën e shkencës, por edhe si shkrimtar e përkthyes.
Në ceremoninë e vendosjes së bustit, mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Betim Muços dhe kontributin e tij me vlerë për shoqërinë shqiptare. Ndërsa solli në vëmendje historinë e miliarderëve botërorë të cilët zgjodhën të bëhen të pavdekshëm nëpërmjet filantropisë, Veliaj tha se Betim Muço e ka bërë këtë me dije dhe me veprën e tij.
Në qoftë se ka një arsye pse sot nuk e konsideroj një ditë pikëllimi, por një ditë gëzimi për veprën e Betimit, është se me sa duket ai e gjeti këtë përgjigje dhe fakti që sot kishim dy zonja, zonjusha të nderuara, mësuese që i lexonin jetëshkrimin respektivisht për arritjet në fizikë, sizmologji, shkencë apo në letërsi, në shkrime, do të thotë që ai arriti ta kthente këtë përgjigje dhe përgjigja ishte ‘lër një vepër për të cilën ia vlen të kujtohesh, për të cilën ia vlen të emërtohet një institucion, ia vlen të përpiqet një skulptor’. Ndoshta ky është çelësi i pavdekësisë, se edhe kur të mos jem unë kryetar bashkie, Betimi do jetë këtu, edhe kur të merremi me punë të tjera, ndoshta të largohemi nga kjo jetë, Betimi do jetë këtu dhe ndoshta do jetojë më gjatë se disa nga ne, se la një vepër që e bëri të pavdekshëm.
Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës
Prandaj, sipas kryebashkiakut edhe kjo ceremoni mund të shërbejë më shumë si një moment reflektimi për gjurmët që lëmë në jetë pasi sipas tij nuk duhet patjetër të jesh kryetar bashkie apo njeri me pushtet që të lësh gjurmë. Më tej, Veliaj shprehu një mirënjohje të veçantë për bashkëshorten e Betimit Muços, Martën, e cila po çon përpara misionin e tij, por edhe duke dhënë ndihmën e saj për edukimin dhe promovimin e nxënësve më të mirë të shkollës “Betim Muço”.
Bashkëshortja e Betim Muços ndërsa falënderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar vlerësimit të figurës së Betim Muços, vlerësoi edhe punët e mira që janë bërë për ndryshimin e Tiranës.
Një falenderim i veçantë shkon për z. Erion Veliaj, kryetarin e bashkisë, ai që ideoi vënien e emrit të shkollës. Unë jam shumë - shumë mirënjohëse që e kemi sot këtu midis nesh me gjithë punët e shumta që ka Bashkia e Tiranës. Uroj që figura e Betimit dhe të gjitha ato që ka sjellë ai, arritjet e tij të jenë frymëzuese për nxënësit e shkollës që të arrijnë suksese të mëtejshme. Ne do të vazhdojmë këtë aktivitet edhe duke dhënë familja disa çmime për nxënësit më të mirë në letërsi, disa çmime për nxënësit më të mirë në fizikë, në mënyrë që të motivojmë nxënësit dhe që të mbajnë lart këtë që na ka lënë Betimi, trashëgiminë e Betimit.
Marta Muço, gruaja e Betim Muços
Ajo falënderoi edhe skulptorin i cili punoi me shumë dashuri, elegancë dhe shumë talent për të na e sjellë skulpturën e Betimi Muços e cila u vendos në shkollën që mban emrin e tij.Gjatë kësaj ceremonie u shpërndanë edhe bursa për nxënësit më të mirë të shkollës “Betim Muço” në fizikë dhe letërsi.
Bashkia e Tiranës në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë me anë të veprave të tij të shumta në fushën e letërsisë, në atë shkencore dhe të përkthimit i dha shkollës së re në Kombinat emrin “Betim Muço”. Shkolla e re 9-vjeçare “Betim Muço” në Kombinat hapi dyert për nxënësit e saj për herë të parë shtatorin e kaluar në vitin 2017, me 27 klasa dhe 6 laboratorë dhe është një nga shkollat me infrastrukturën më moderne dhe bashkëkohore në Tiranë. Sot shkolla “Betim Muço” ka afërsisht 1000 nxënës. Gjithashtu, shkolla ka një palestër dhe 3 terrene sportive të jashtme, të cilat përveç shkollës, shërbejnë edhe si një hapësirë komunitare.