Në qytetin e Kukësit është përuruar monumenti “Sakrifica”, një vepër memoriale kushtuar gjeologëve, minatorëve, metalurgëve dhe punonjësve të energjisë elektrike, të cilët me punën, guximin dhe përkushtimin e tyre ndërtuan historinë industriale të Kukësit, Hasit dhe Tropojës.
Ceremonia e përurimit u zhvillua në prani të autoriteteve vendore, ish-drejtuesve të industrisë minerare, përfaqësuesve të biznesit dhe qytetarëve të shumtë.
Pas prerjes simbolike të shiritit, kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, e cilësoi monumentin si një amanet dhe një dëshmi të gjallë të sakrificave njerëzore të shumë brezave.
“Monumenti mbart emocion dhe kujtesë. Traditën shumë shekullore nuk mund ta prezantonim më denjësisht se me këtë monument”, tha ai.
Projekti për ndërtimin e monumentit është realizuar me mbështetjen e “Kastrati Group”. Përfaqësuesi i kompanisë, Leonard Kastrati, u shpreh se kjo mbështetje vjen në nderim të një trashëgimie pune e sakrifice që meriton të kujtohet përjetësisht.
“Ky monument është për ata që dhanë jetën në krye të detyrës dhe që mbajtën mbi supe punë të vështira. Ky projekt i jep një vlerë të veçantë për Kukësin”, tha Leonard Kastrati.
Ndërkohë, inxhinier Pajtim Bello, ish-drejtues i industrisë minerare në Kukës para viteve ’90, tha se monumenti është një amanet që vjen nga thellësia e viteve dhe mbetet dëshmi e sakrificave mbinjerëzore të shumë brezave të minatorëve dhe specialistëve të kësaj industrie.
"Këto zona janë shquar si fisi të nxjerrjeve të mineraleve dhe shkrirjes së metaleve. Është një histori e gjallë që njerëzit kanë punuar që në lashtësi dhe deri më tani”, tha Pajtim Bello.
Edhe Qazim Laçi, ish-drejtor i Minierës së Bakrit në Gjegjan, e cilësoi monumentin si një vepër madhore për historinë e Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë.
Sheshi memorial dhe vepra monumentale janë konceptuar si një ndërthurje mes arkitekturës urbane dhe artit skulpturor.
Projektimi urbanistik dhe arkitektonik i sheshit është realizuar nga arkitekti Andrit Shehu, i cili ka hartuar organizimin hapësinor, kompozimin urban dhe integrimin e elementëve memorialë në të gjithë ansamblin.
Ndërsa vepra monumentale “Sakrifica” është realizuar nga skulptori Besart Papa, autor i konceptit artistik dhe trajtimit skulpturor të monumentit, i cili simbolizon sakrificën, punën dhe historinë e minatorëve dhe punëtorëve të industrisë shqiptare.
Komente










