Është vendosur sot në Bulevardin Zogu i I shtatorja e Mbretëreshës Geraldinë. I pranishëm në ceremoninë e përurimit të shtatores ishte edhe Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vuri theksin te marrëdhëniet me Shqipërisë dhe Hungarisë. Sipas Veliajt, raporti që kanë zhvilluar njerëzit, duke filluar nga Janosh Huniadi me Skënderbeun, dhe i Mbretit tonë Zog me mbretëreshën Geraldinë, tregon se urat që lidhen mes njerëzve janë të pathyeshme

“Kemi pasur një vit shumë intensive: Fillimisht vendosëm statujën e Skënderbeut në sheshin dhe parkun kryesor të Budapestit, kurse sot përurojmë statujën e Nënës Mbretëreshë në Bulevardin kryesor të Tiranës. Nuk ka mënyrë më të mirë për të shprehur këtë lidhje midis dy shteteve. Midis Shqipërisë dhe Hungarisë ekziston një raport i veçantë. Edhe bashkitë respektive bëjnë punën e tyre: kemi një raport të shkëlqyer me bashkinë e Budapestit, por raporti mes njerëzve është më i miri. Raporti që kanë zhvilluar njerëzit, duke filluar nga Janosh Huniadi me Skënderbeun, dhe i Mbretit tonë Zog me mbretëreshën Geraldinë, tregon se urat që lidhen mes njerëzve janë të pathyeshme”, pohoi Veliaj. 

Zëvendës-ministri i Hungarisë për Punët e Jashtme dhe Tregtisë, për Politikat e Sigurisë, Péter Sztáray, i cili mbërriti në Tiranë posaçërisht për këtë përurim, tha se hungarezët e çmojnë miqësinë me shqiptarët.

“Ne jemi shumë të nderuar dhe shumë të lumtur që jemi këtu sot. Ne hungarezët e çmojmë shumë këtë miqësi që ekziston prej një kohe të gjatë me popullin shqiptar. Historia jonë, përmes shekujsh, ka treguar që jemi së bashku dhe gjithmonë kemi pasur një frymë të mirë bashkëpunimi që prej Skënderbeut dhe Janosh Huniadit e deri më sot”, nënvizoi zëvendës-ministri hungarez, Peter Sztáray.

Princi Leka Zogu tha se kjo vepër arti do të stolisë një nga arteriet qendrore të kryeqytetit.

“Zoti ambasador dhe zoti kryetar i bashkisë, falë punës dhe këmbënguljes suaj historia do t’ju mbajë mend si artizanë të vërtetë të paqes dhe të vëllazërisë mes kombeve tona. Falenderoj në mënyrë të posaçme anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që kanë përzgjedhur këtë shesh në mes të Bulevardit “Zogu I”, si vendin e ngritjes së shtatores së Mbretëreshës Geraldinë, ata kanë përmbushur një amanet që vjen nga historia dhe kanë drejtuar gishtin nga aspirata e popullit shqiptar për pajtim kombëtar”, tha Princ Leka. 

Ceremonia e përurimit të statujës së Mbretëreshës Geraldinë është një bashkëpunim i Bashkisë Tiranë me Ambasadën Hungareze. Statuja është realizuar nga skulptori Sandor Kligl dhe është një donacion i Ambasadës Hungareze për qytetin e Tiranës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:16
Vendoset shtatorja e Mbretëreshës Geraldinë në Bulevardin Zogu i I, Meta: Do kërkoj krijimin e dekoratës 'Mbretëresha Geraldinë'

Presidenti Ilir Meta bëri me dije sot se ka vendosur t'i kërkojë bashkëpunimin Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës për krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.

Në Facebook, Meta shkruan se kjo dekoratë do të jetë në vlerësim dhe nderim të përkushtimit të Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë dhe se do t'u jepet grave që promovojnë vendin tonë.

"Kjo dekoratë, në vlerësim, në respekt dhe në nderim të përkushtimit, angazhimit dhe dashurisë së Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë, vendin që ajo nuk e harroi kurrë, do t’u jepet grave dhe vajzave të cilat jo vetëm e duan Atdheun me mendje e me zemër, por e shpalosin këtë dashuri në promovimin e Shqipërisë dhe vlerat tona historike, kulturore, përkatësinë e fortë europiane dhe trashëgiminë tonë të çmuar. Kjo dekoratë e lartë do të vlerësojë njëkohësisht, për merita të jashtëzakonshme, për shërbime të shquara dhe sakrifica të mëdha, për përkushtim, angazhim dhe kontribute të vyera në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në familje e në shoqëri e institucione dhe fuqizimin e kontributit të saj thelbësor në procesin e europianizimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian", shkruan Meta.