TIRANË- Vitin e ardhshëm akademik, të gjithë maturantët që do të konkurrojnë për degën Mjekësi e Përgjithshme, përveç tre testimeve të maturës, do i nënshtrohen edhe një tjetër provimi të automatizuar, siç bëhen provimet e licensave apo me portalet e mësuesve, që do të thotë nxënësit do të testohen për njohuritë që kanë marrë në tre vite.
Provimi do të bëhet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe do të jetë pilot. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri me dije se ky provim është zgjedhur të bëhet provë për degën e Mjekësisë së Përgjithshëm duke qenë se është një ndër degët më të kërkuara. Provimit do t’i nënshtrohen të gjithë ata maturantë me mesatare mbi 8, ndërsa Kushi u shpreh se qëllimi i këtij testi piloti është që më pas të vihet në zbatim edhe për degë të tjera.
“Tani ju, besoj e keni dëgjuar, nuk është gjë e re, sepse ne në fakt e kemi lançuar që herët, lidhet me provimin e automatizuar të Programit Mjekësi e Përgjithshme, që do të thotë të gjithë ata maturantë që duan të zgjedhin programin Mjekësi e Përgjithshme, pra duan të vazhdojnë studimet për Mjekësi e Përgjithshme, përveç detyrimeve që ka aktualisht sistemi për provimet e maturës mesataret ajo formula që tashmë është aktive, kanë detyrim të japin edhe një provim tjetër i cili është një provim që zhvillohet në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është provim i automatizuar siç behet provimi i portalit.
Siç bëhen provimet e licensave, në mënyrë që të shmanget edhe gabimi të shmanget edhe fiktiviteti, të shkurtohet koha dhe në fund të fundit ai sistemi meritë-preferencë që synon i gjithë sistemi i maturës shtetërore të realizohet 100%. Dua të theksoj që në vitin e kaluar ngritëm një grup pune që analizoi shumë elemente të procesit të Maturës Shtetërore dhe grupi i punës në komunikim edhe me mësues edhe me maturantë edhe me ekspertë të arsimit arriti në përfundimin që 3 janë ndryshimet që ne duhet të bëjmë:
I pari është pikërisht ky provimi i automatizuar që ketë vit do të jetë pilot vetëm për programin Mjekësi e Përgjithshme ku dhe kërkesat janë më të mëdha dhe ku më të mirët shkojnë atje dhe më pas ne kemi qëllim që ta shtrijmë edhe për provimet e tjera. E dyta, pra ajo pika tek rregullorja ku thuhet që nuk lejohet rivlerësim i testit do të shfuqizohet dhe aty ku ka. Uroj që të mos ketë asnjëherë, por gjithsesi qoftë gabim teknik qoftë gabim njerëzor çfarëdolloj gabimi qoftë ne nuk mund ta vendosim që s'ka rivlerësim të testit. Rivlerësim do të ketë. Dhe e treta është rankimi i gjimnazeve. Ka filluar tashmë puna në ASCAP për të bërë renditjen e gjimnazeve sipas një formule, sipas disa treguesve për të cilët po punon ASCAP-i dhe që dhe këtë në fund fare do t’jua bëjmë prezent që çdo shkollë ta dijë ku ndodhet në raport me shkollat e tjera.
Kjo është një sfidë e madhe për ne sepse kërkon tani që të punojmë kaq shumë për fondin e pyetjeve për të marrë masat, sepse do të jetë një numër i madh, këtë të drejtë do ta kenë të gjithë ata maturantë që kanë mesatare mbi 8 apo 8.5, siç e ka përcaktuar kriterin Universiteti i Mjekësisë dhe që kanë zgjedhur të konkurrojnë për mjekësi”, tha Kushi.
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Aurora Balliu shpjegoi sesi do të funksionojë testi.
“Mënyra se si ky test gjenerohet nuk lë hapësirë për asnjë lloj keqinterpretimi. Testohen në të njëjtën kohë 100 aplikantë të cilët kanë të njëjtin test, sepse testin e gjeneron në mënyrë automatike sistemi. Do të jetë një test i ndarë në tre nivele ashtu sikurse edhe testi i maturës është, ashtu sikurse edhe testet që ju bëni në shkollë janë të ndarë në tre nivele.
Mendojmë që do të kemi 50 pyetje me 100 pikë njësoj si sistemin e licencave do të jenë pyetje të hartuara sipas niveleve, do të jenë pyetje që sistemi i merr gjithashtu sipas niveleve. Përgjigjen ministrja jua tha, ju e merrni përmes një deklarate në kohë reale, sapo e përfundoni provimin dhe që sapo përfundoni provimin ju kuptoni se në cilin pozicion të rankimit jeni”, tha ajo.