Pesë botime të reja studimore nga Drejtoria e Arkivave! Prezantohet edhe publikimi i revistës 'Arkivat Shqiptare'

E rikthyer pas një periudhe të gjatë mungese në funksionin e botueses periodike, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell për të tretin vit radhazi studime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit, si edhe mbi metodologjinë arkivore në hapësirën shqiptare. Vitin që vjen, DPA-ja do të publikojë edhe një udhërrëfyes arkivor, për të orientuar studiuesit në procesin e kërkimit online.

“Në pesë botimet e këtij viti, janë tre përmbledhje dokumentesh, një monografi dhe revista ‘Arkivat Shqiptare’. Për shkak të mungesës së mundësive për të lëvruar një shkencë të veçantë, siç është arkivistika, kemi vendosur të bashkojmë energjitë me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës për të zhvilluar një Konferencë periodike të Përbashkët të Arkivistikës, që është mbajtur përreth trevave shqiptare.”, tha Ardit Bido, drejtues i DPA-së.

Prej një muaji, në Sallën e Studimit Online të DPA kërkesat për dokumentet e shërbyera janë rritur me 227 %, megjithatë sipas drejtorit Bido, situata është e përballueshme.

Ndërsa përfaqësuesi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), Bekim Aliu ka folur për bashkëpunim të vijueshëm mes dy institucioneve.

“Sa i përket botimit tonë të përbashkët ‘Revistës Arkivore’, është e vërtetë që kemi trajtuar edhe aty shumë tema historike. Por, me procesin e digjitalizimit, është krijuar mundësia për përgatitjen e temave të tjera që lidhen me arkivistikën,”- u shpreh Aliu.

Katër prej botimeve të publikuara rishtas vijnë në trajtën e punimeve monografike ose të përmbledhjeve të dokumenteve rreth personaliteteve dhe zhvillimeve historike, një prej të cilëve është edhe “Jani Vreto, korrespodencë me Sotir Kolean”. Studiuesi Sokol Çunga, autor i botimit “Jani Vreto, korrespondencë me Sotir Kolean”, u shpreh se vlera e shtuar e këtij publikimi është korrespondenca e letrave të dorëshkruara nga veprimtari i Rilindjes për ish-drejtuesin e Bibliotekës Kombëtare.

“Ky nuk është botimi i parë mbi figurën dhe veprimtarinë e Jani Vretos. Është i shkruar me dorë në alfabetin e Stambollit dhe i dërguar kryesisht nga Bukureshti dhe më pas nga Athina. Kjo përmbledhje dokumentesh synon të tregojë çfarë ka ndodhur dhe arsyet përkatëse të disa ngjarjeve të rëndësishme për Shqipërinë”, tha studiuesi Çunga.

Një tjetër botim që u prezantua ishte “Lëvizja e Qershorit 1924 në dokumentet arkivore”, që përkon me përvjetorin jubilar të një ngjarjeje historike polarizuese.

“Dokumente mbi praninë e hebrenjëve në Shqipëri, 1939-1945” dhe “Arkivat Shqiptare 1506-1912” ishin po ashtu dy botime të tjera të prezantuara, ndërkohë që u botua edhe numri i rradhës së revistës “Arkivat Shqiptare”, i vetmi publikim në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, që përmbledh punimet periodike të studiuesve dhe të arkivistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të prezantuara në Konferencat Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

 

B.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papa Françesku hap Portën e Shenjtë të  Bazilikës së Shën Pjetrit dhe nis Jubileun: Krishtlindjet, porta e shpresës është hapur për botën

Papa Françesku hap Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit dhe nis Jubileun: Krishtlindjet, porta e shpresës është hapur për botën