GJEORGJI - Peshëngritësja shqiptare Enkileda Carja ka dhuruar një tjetër paraqitje për t'u mbajtur mend në Kampionatin Evropian që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë, duke fituar dhe thyer dy rekorde për të rinjtë në disiplinat e shkëputjes dhe dygarëshit.

Sportistja kuqezi dominoi në stilin e shkëputjes ku ngriti 103 kilogramë dhe vendosi një rekord të ri evropian për të rinj. Por suksesi i saj nuk u ndal me kaq.

Në stilin e shtytjes, Carja ngriti 123 kilogramë, duke kompletuar një garë të nivelit të lartë dhe duke dëshmuar superioritetin e saj në këtë aktivitet. Falë kësaj performance ajo arriti të thyejë dy rekorde evropiane, një në shkëputje dhe një tjetër në totalin e dygarëshit me 226 kilogramë, duke regjistruar një rezultat historik për peshëngritjen shqiptare.

"Një arritje e jashtëzakonshme që dëshmon përkushtimin, forcën dhe nivelin e lartë të peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Enkileda vazhdon të na bëjë krenarë dhe të vendosë Shqipërinë në hartën e suksesit evropian", shkruan Federata Shqiptare e Peshëngritjes.

18-vjeçarja nga Elbasani u dekorua në këtë aktivitet me titullin “Ylli në Ngritje i Europës 2025” nga Federata Europiane e Peshëngritjes, një çmim që konfirmon talentin, përkushtimin dhe të ardhmen e ndritur të saj në këtë sport.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 22 Prill, 10:59

    Politikanë e qytetarë të pandehur dalin në gjyq brenda kafazit, a është e tepruar?