Peshkëpia: Të bojkotohet
këshilli fantazmë i shqipes

Peshkëpia: Të bojkotohet<br />këshilli fantazmë i shqipes
Në debatin e zhvilluar dje për gjuhën pas zbulimit të mbledhjes fantazmë të këshillit Ndërkademik, që ka shpallur deklaratën e ndryshimeve drastike të gjuhës letrare duke futur fjalë bazë të gegënishtes në vend të toskërishtes si në vend të nënës-nans, në vend të babait-babs, etj, kanë reaguar edhe gjuhëtarë e njohur. Të revoltuar dhe të fyer që ata nuk marrin pjesë në tubimet shkencore për ndryshimet ose zhvillimet e gjuhës shqipe, kanë shprehur argumentet e tyre profesionale se pse duhen ndaluar mbledhjet e komisioneve hermetike mbi gjuhën. Duke prekur traditën, si dhe duke iu rikthyer historisë si u krijua gjuha letrare kombëtare dhe drejtshkrimi i saj, gjuhëtarët pohojnë se janë lënë mënjanë me qëllim nga institutet dhe akademitë e politizuara si këtu dhe ne Kosovë. Ata bëjnë thirrje për zgjim të ndërgjegjes gjuhësore kombëtare. Në intervistën për "Shqiptarja.com", Dr. Valier Peshkëpia, pedagog në UET dhe i specializuar veçanërisht për Shqipen Letrare dhe zhvillimet linguistike të saj, ka bërë thirrje që të bojkotohet vendimi i këtij këshilli dhe të dilet me tubime masive shkencore mbarëkombëtare, ku të përfshihen njerëz që kanë dhënë kontribute dhe vepra për ligjërimin e ndryshimeve në gjuhë. Peshkëpia e quan qëllimkeq propagandën se gegërishtja është lënë në harresë. Ai kujton se profesor Androkli Kostallari, që kryesoi Drejtshkrimin e Shqipes në 72-in, është lakuar për futjen e ideologjisë në normativën e shqipes. Ai mendon se pavarësisht kësaj, Kostallari ka qenë një ndër ata që ka organizuar mijëra ekspedita në Veri dhe në Jug për të mbledhur fjalë të rralla e visare të kombit. Peshkëpia ndërkohë i bën thirrje kryetarit të këtij komisioni, Jani Thomait të mos ngurojë, por të dalë mbi presionet e këtij grupi të vogël politik gjuhëtarësh dhe të ndalojë ndryshimet në gjuhë.

Komisia Letrare e Shkodrës
pro standardit që në 1916

Dr. Valier Peshkëpia thotë se është qëllimkeq mendimi që gegërishtja të futet në themelin e gjuhës letrare. Ai kujton se Komisia Letrare e Shkodrës në vitet ‘16 ka bërë tre vjet punë për broshurën "Rregullat mbi ortografinë e shqipes". Aty nisi përpjekja graduale që në të ardhmen të behej afrimi i dy dialekteve. Zgjati tre vjet, sepse secili prej anëtarëve të Komisisë kishte pikëpamje të ndryshme. Disa qenë për variantin verior, disa për elbasanishten e ndonjë edhe për variantin jugor. Por ata ishin të gjithë të një mendimi, që duhet punuar për njësimin e drejtshkrimit si kusht i parë drejt njësimit të gjuhës. Kjo tregon se gjatë gjithë historisë së gjuhësisë shqiptare, gjuhëtarët gegë janë përpjekur në mënyrë të ndërgjegjshme për njësimin e gjuhës shqipe. Para standardit të 72-it gjuhëtarët shkodranë kanë bërë përpjekje për të njësuar gjuhën ku shquhen Z. Jubani e P. Vasa. Peshkëpia kujton se rol me rëndësi në këto përpjekje, ka qenë Ndre Mjeda, por edhe L. Gurakuqi

Profesor Peshkëpia, është bërë një mbledhje treditore dhe e mbyllur për ndryshimet në gjuhë shqipe. Si jeni ndjerë që nuk ishit në dijeni?
Nga gazeta juaj e mora vesh. Unë asnjëherë nuk i përmbahen idesë se vendimmarrjet mund të bëhen me komisione të mbyllura e dyer të mbyllura, etj. Çdo vendim për ndryshimet në gjuhën letrare dhe në drejtshkrim apo në gjuhën standarde duhet të bëhet në formën e konferencave të mëdha shkencore dhe tubimeve të mëdha, sepse gjuha shqipe nuk është vetëm pronë e disa profesorëve apo disa njerëzve që mendojnë se kanë nevojë që ajo të përmirësohet. Është standardi me të cilën flasin miliona shqiptarë dhe në Shqipëri dhe në Kosovë në Malin e zi e në Maqedoni. Unë do të theksoja se çdo përpjekje e tyre për të bërë një ndryshim drastik do të jetë e gabuar. Sepse me standarden janë shkruar vepra të mëdha, të Çabejit, Kadaresë, Agollit, Rugovës, Qoses, Xhuvanit, të shumë e shumë shkrimtarëve tanë të talentuar në Shqipëri dhe kudo, që janë formësuar dhe kanë zgjeruar tipare të lëvrimit të shqipes në vite. Me këtë gjuhë janë edukuar nxënësit. Kërkohet respekt në kulturën e gjuhëve. Ndryshimi nuk bëhet me komisione të vogla pa tërhequr mendimet e opinionet e dhjetave njerëzve akademikë profesionistë, dhe mësuesve dhe pedagogëve kudo që janë dhe kudo që punohet me këtë gjuhë.

A ka pasur qëndrime ideologjike në themelimin e gjuhës letrare?
-Jo vetëm vepra e tij, por edhe të tjerëve me pak përjashtime ideologjike është një punë shkencore. Unë do të kujtoja Idriz Ajetin dhe një varg autorësh kosovarë që kanë marrë pjesë në '91-'92 në Shqipëri në një podium të gjerë të botës akademike. Diskutohej dhe kishte debate dhe pas shumë debatesh të gjera, para se të bëhen ngjarje të mëdha shkencore, u kërkohej kolegëve dhe universiteteve, si dhe profesorëve të njohur dhe me emër të mos rrinë indiferent. Gjuha letrare nuk është pronë e disa njerëzve. Janë bërë veprime të tilla edhe vite më parë, por ato kanë dështuar për shkak të diskutimeve më të gjera, me konsekuente shkencore dhe nuk janë vënë në zbatim edhe në këtë kohë.

Por vendimmarrjet e tanishme çfarë dëmi sjellin?
-Unë ftoj profesorët e vjetër të mos lënë të merren vendime të tilla, të mos tërhiqen në ruajtjen e vlerave të gjuhës letrare. Unë kam respekt të veçantë për Jani Thomain, është një akademik i talentuar, i cili e di mjaft mirë shqipen standarde dhe themelet e saj, e njeh shumë mirë gjithë dinamikën e saj. I them të mos tërhiqet ndaj presioneve të një komisioni të orientuar politik, me argumentin e tij se ai mund të jap një kontribut të vyer të shkëputur për t'i hapur dhe demokratizuar çështjet e gjuhës dhe të zhvillimit të saj edhe në perspektivën e ndryshimeve që dikton koha.
Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
sg/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin