TIRANË - Saliou Sembene është mirë dhe rezultatet e testeve mjekësore kanë konfirmuar se futbollisti i Partizanit nuk ka asnjë për t'u shqetësuar dhe 'gëzon shëndet të plotë' pas kolapsit që pësoi të shtunën në fushën e lojës.

Gjatë barazimit 2-2 mes Partizanit dhe AF Elbasanit, mbrojtësi i "Demave" i trembi të gjithë pasi në minutën e 85-të u shemb në tokë dhe për disa çaste ishte pa ndjenja. Mjekët shpejtuan për te 24-vjeçari senegalez dhe pas disa minutash ai u përmend, duke u nxjerrë jashtë fushe me barelë dhe më pas u transportua në spital.

Klubi i Partizanit njofton se Sembene iu nënshtrua analizave mjekësore pranë një spitali privat dhe rezultatet kanë qenë normale. Që mbrëmjen e djeshme ai u bashkua me ekipin në hotelin e klubit.

"Klubi Partizani dëshiron të informojë opinionin sportiv dhe publikun e gjerë mbi gjendjen shëndetësore të lojtarit Saliou Sembene. Mbrojtësi ynë iu nënshtrua ekzaminimeve të detajuara mjekësore, ku fatmirësisht rezultatet kanë qenë plotësisht normale. Lojtari gëzon shëndet të plotë. Ai ka lënë ambjentet e spitalit dhe aktualisht i është bashkuar ekipit në ambjentet e hotelit të klubit", njofton klubi i kuq.

24-vjeçari është bashkua që në prillin e 2021 me Partizanin dhe është ndër elementët e spikatur të klubit, duke luajtur në total 16 ndeshje këtë sezon.