Pete Hegseth, nga Fox News në Pentagon: Ushtria më e fuqishme në botë e drejtuar nga një adhurues i Kryqëzatave

Pete Hegseth, nga Fox News në Pentagon: Ushtria më e fuqishme në botë e drejtuar nga një adhurues i Kryqëzatave

Pete Hegseth

Nga prezantues televiziv në komandant të mbi një milion e treqind mijë ushtarëve. Kjo është parabola e Pete Hegseth, 44 vjeç, veteran i dekoruar i luftës në Afganistan dhe Irak dhe më pas yll i Fox News.

Karriera e tij ka marrë një kthesë të papritur me vendimin e Donald Trump për ta emëruar në krye të Departamentit të Mbrojtjes, një nga pozicionet më të rëndësishme krahas atij të Sekretarit të Shtetit.

Zgjedhja e Trump dallohet nga tradita, por prezantuesi dhe autori i librit “Kryqëzata Amerikane”, ku në vitin 2020 bëri thirrje për përjashtimin e të gjithë myslimanëve nga rolet drejtuese, ka fituar ndër vite simpatinë e Trump.

Ai ishte një nga të parët që mbështeti vendimin e Trump për të biseduar me liderin koreano-verior Kim Jong-un, një nga të parët që përqafoi agjendën “America First” që parashikonte kthimin në shtëpi të ushtarëve amerikanë të dislokuar në botë dhe një nga mbështetësit më të fortë të faljes për veteranët e akuzuar për krime lufte.

Ndërsa në Senat Trump ka regjistruar disfatën e tij të parë, me zgjedhjen si udhëheqës të shumicës të moderuarit John Thune, i cili mundi kandidatin e preferuar të Trump dhe Elon Musk, Rick Scott, linja e “skifterëve” do të vazhdojë. Edhe falë emërimit të ish-demokrates Tulsi Gabbard në krye të Inteligjencës Kombëtare dhe Matt Gaetz në Departamentin e Drejtësisë.

Hegseth ka premtuar largimin e gjeneralëve besnikë ndaj politikave të përfshirjes, të cilët nuk janë besnikë ndaj Trump. I pari që do të largohet është Charles Quinton Brown, i pari afro-amerikan që u emërua shef i Shtabit të Përbashkët të Shteteve të Bashkuara.

«Së pari - tha ai në një podcast - çdo gjeneral, admiral, apo kushdo tjetër që është përfshirë në çfarëdo lloj gjëje “woke” duhet të largohet». Gjithashtu, ai dëshiron të margjinalizojë gratë në ushtri: «Ato nuk duhet të marrin pjesë në luftime - ka thënë më parë - prania e tyre nuk e bën operacionin më efektiv, përkundrazi, e ndërlikon».

Hegseth ka quajtur Pentagonin e drejtuar nga Lloyd Austin si një vend të “menaxhuar nga millennials pro-palestinezë”; deklaratë që ka shqetësuar botën arabe, edhe sepse promovimi i këtij islamofobi krenar vjen në të njëjtën kohë me emërimin e Mike Huckabee si ambasador i SHBA-ve në Izrael, një i krishterë evangjelist kundër zgjidhjes me “dy popuj, dy shtete” dhe mbështetës i aneksimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, të cilin ai e quan Judea dhe Samaria, si dhe emërimin e Steven Witkoff, një investitor i pasurive të patundshme pa përvojë ndërkombëtare, por mik golfi i Trump, si i dërguari i ri për Lindjen e Mesme.

Tatuazhet janë një tjetër pjesë e rëndësishme e historisë së tij. Në vitin 2021, Hegseth, anëtar i Gardës Kombëtare të Minesotës, u thirr për të mbrojtur Uashingtonin gjatë inaugurimit të presidencës së Joe Biden, por përfundimisht u la mënjanë për shkak të një tatuazhi në gjoks që paraqet një Kryq të madh të Jeruzalemit, simbol i lidhur me nacionalizmin e krishterë dhe i përdorur nga pjesëmarrësit në sulmin e 6 janarit.

«Më quajtën ekstremist për një tatuazh», protestoi ai në rrjetet sociale. Në biceps ka të shkruar “Deus Vult”, latinisht për “Zoti e do”, shprehje e përdorur gjatë Kryqëzatave në Mesjetë.

Në parakrah ka një kryq me shpatë dhe një pasazh nga Dhjata e Re që thotë: “Mos mendoni se kam ardhur për të sjellë paqe në tokë; nuk kam ardhur për të sjellë paqe, por një shpatë”. Në trupin e tij ka gjithashtu të gdhendur shprehjen “We the People” me shifra romake “1775”, vitin e fillimit të Luftës së Pavarësisë amerikane, dhe “Join or Die”, “bashkohu ose vdis”, me imazhin e një gjarpri të ndarë në copa, që lidhet me kolonët amerikanë.

Hegseth pohon gjithashtu se ushtria duhet të ketë më shumë njerëz si John McClane, superpolici i “Die Hard” i interpretuar nga Bruce Willis./ La Repubblica

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore