I përlotur dhe i emocionuar, Petrit Malaj përkujtoi Birçe Haskon si mentor, pedagog dhe njeri shumë të dashur për të. Ai shprehet se dimensioni njerëzor aq i spikatur në rolet e tij vinte për shkak se Hasko e njihte mirë jetën dhe ishte një këshillë që ua jepte gjithnjë. Ndërsa shprehu trishtimin, Malaj tha se është përpjekur t’ia kthejë sadopak dashurinë profesorit të dashur.
“Ka humbur aktorin e karaktereve, aktorin e mrekullueshëm që njerëzit e donin shumë sepse profesor Birçe Hasko ishte një nga aktorët që e njihte jetën më shumë se të gjithë. Profesioni ynë do që ta njohësh jetën. Gjithmonë na e thoshte këtë qëkur ishim studentë, duhet të qëmtoni, të mbikëqyrni mirë, duhet ta njihni mirë. Profesori e njihte mirë. Po ta vini re, në personazhet që ai ka interpretuar, gjithmonë themi shih sa realist, shih sa organik është! Ishte i atillë sepse e njihte jetën. Lexonte dhe e jetonte jetën. Kishte punuar mësues në fshat, merrej me çdo gjë dhe e zbërthente mirë. Kam ndier trishtim shumë të madh, më ka ikur një njeri që më donte dhe e doja shumë. Nuk e di sa ia kam kthyer sepse më ka dashur fort. Jam përpjekur që çdo 7 Mars t’i çoj një tufë me lule, ai e meritonte”, tha Malaj.
Lajmi kryesor:
Lamtumirë Birçe Hasko! Sot homazhet në Teatrin e Operas në nder të ‘Mjeshtrit të Madh’











