Pak minuta pas deklaratës së Nanos dhe tërheqjes së Zaganjorit, nga zyra e Lëvizjes Nano është shpërndarë një deklaratë, e cila mbante firmën e PSV ’91.
PSV ’91: RAMA TË KANDIDOJË FATOS NANO-n
PSV'91 i bën thirrje publike Kryetarit të PS Edi Rama dhe të gjitha Partive të Kolaicionit të Majtë, që nën këtë kontekst të ri politik, ku ndodhet kriza politike e procesit zgjedhor për Presidentin e Republikës, të mbështesim të gjithë së bashku kandidaturën e Fatos Nanos, si kandidatura më e mirë dhe më përfaqesuese qoftë për popullin e majtë.
“Fatos Nano eshte historia ku te gjithe ne socialistet duhet te bashkohemi dhe te gjejme motivim e krenari per te shkuaren dhe te ardhmen tone. Populli i majte ka nevoje ta shohe te materializuar dhe te prekshem kete shans te madh te projektimit te nje ribashkimi te se majtes. Mbeshtetja e kandidatures se Fatos Nanos per President nga PS do te ishte mesazhi me i shkelqyer i bashkimit te se majtes per te fituar zgjedhjet e vitit 2013”, thotë sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Enver Reçi.
REAGON PETRO KOÇI: KLANI NANO PO IMPONON PROCESIN
Kryetari ligjor i PSV ’91, Petro Koci ka deklaruar se e ashtuquajtura deklaratë e PSV në mbështetje të Fatos Nanos përbën një akt fëminor që e katandis përpjekjen e klanit nano për tiu imponuar procesit politik të zgjedhjes së Presidentit në irracionalitet, papjekuri dhe mungesë totale institucionalizmi.
“Ky akt i bashkëpunuar me instrumenta të kapur dhe të korruptuar politikisht në Bashkinë e Tiranës bie ndesh me integritetin dhe moralitetitn e pretendimit të Fatos Nanos për të kandiduar në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Kjo manovër vogëlushësh politikë dëshmon se sa e kalbur është sot politika në përgjithësi dhe sidomos projektet për biznes personal politik”, shprehet Koçi në deklaratën shpërndarë mediave sot pasdite.
Sipas tij, humbja e arsyes edhe në rastin e gatimit të një deklarate të tillë corodisin më tej marrëdhëniet politike dhe instalojnë më tej opinionin e zgjeruar se mungesa e skrupujve dhe prostitucioni janë cilësitë sunduese të klasës politike shqiptare.
“PSV mbetet e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i zgjedhjes së presidentit është goditur rëndë më ndryshimet kushtetuese të 21 Prillit 2008 dhe falenderon komunitetin ndërkombëtar për presionin pozitiv në favor të një presidence konsensuale.
Në ceshtjen e Presidentit dhe sidomos të Reformave Institucionale opozita nuk duhet të bëhet pre e projekteve personale politike të angazhuara qoftë pro apo kundër Edi Ramës” shprehet Petro Koçi.
(aq/shqiptarja.com)