TIRANE- Kryetari i PSV dhe njeriu që ka udhëhequr lëvizjen 'Nano' për rrëzimin e ish-kryeministrit Meta 10 vite më parë shprehet se Nano nuk duhet të sillet në këtë mënyrë, duke kërcënuar për t'u kandiduar president se s'bën.  Në një intervistë të botuar sot në gazetën Shqiptarja.com, Koçi thotë se “Nano duhej kandiduar më 2007, tani s'ka vend as për parti as për Presidencë” Gjatë intervistës ai komenton dhe situatën politike dhe shanset e të majtës më 2013.

INTERVISTA E PLOTE
Vihet re një stërzgjatje të negociatave për Presidentin. Si e vlerësoni takimin Rama-Berisha...?
Në politikë vazhdojmë të mbetemi vendi më ballkanik i Ballkanit. Deri tani kemi një ngecje të suksesshme në vend përsa i përket zgjedhjes konsensuale të Presidentit. Takimi Rama-Berisha s'solli asgjë të re veç një shkëmbim i drejtëpërdrejtë pikëpamjesh për procesin e emrin e hedhur njëanshmërisht në treg nga PD. Berisha është duke shfrytëzuar në favor të tij dhe në dëm të Shqipërisë ndryshimet kushtetuese të 21 Prillit 2008

Ambasadorët, kryesisht ai i SHBA kanë qënë shumë aktivë në takimet me liderët politikë. Do kenë ndikim për Presidentin..?
Ata janë e vetmja shpresë për zgjidhje konsensuale të çështjes së Presidentit. Por ata s'mund të zëvendësojnë klasën politike. Ata nuk caktojnë emra dhe as procedura. Uroj që ata të mos e hanë kokrrën e ullirit që u ka përgatitur Berisha me "tërheqjen" nga kandidati politik dhe paraqitjen e një kandidati "jopolitik". Opozita po bën mirë që po insiston tek vendimi paraprak bipartizan për zgjedhje në parim konsensuale dhe pastaj në mbërritjen te emri. Ajo s'duhet të harrojë prioritetin që ka për vendin reforma në Kushtetutë në procedurën parlamentare e në Kod.

Duket sikur çelësat e zgjedhjes së kreut të shtetit i ka Meta, madje Berisha i referohet shumë marrëveshjes PD-LSI...?
Sigurisht që Meta ka në dorë më shumë për të ndikuar dhe kondicionuar një zgjidhje më të shpejtë dhe konsensuale. Ai s'ka pse të lejojë që atij t'ia përmendin marrëveshjen PD-LSI për presidentin kur ai vetë s'ia përmend PD të njëjtën marrëveshje, në pjesën për reformën zgjedhore. Sido që të shkojnë punët LSI do garantojë një president që e ka pëlqimin e saj.

Ish-kryetari i PS Nano dhe aspirant për president ka deklaruar se nëse Rama nuk e kandidon, do krijojë një lëvizje për bashkimin e të majtës. Si e konsideroni një deklaratë të tillë?
E gjykoj një lëvizje joproduktive dhe me profil antipresidencial mesazhin "kërcënues", "për ta bashkuar të majtën" në rast se nuk e propozojnë për President. Nano s'ka pse humbet profesionalizmin politik duke u sjellë në mënyra antinano. Atij do t'i mjaftonte komunikimi konfidencial me PS për të eksploruar mundësi kandidimi. Takimet e tij në çdo derë partie për t'u pranuar si kandidat e ulën shumë piacën politike që ai përfaqëson. Ndërsa sjellja e fundit i rrëzon shumë nga vlerat e vërteta të Nanos si drejtues i suksesshëm i PS dhe qeverisjes në shumë vite.

Duke njohur Nanon nga afër, mendoni se ka durimin e duhur për të krijuar e udhëhequr një parti të re që të garojë më 2013?
Koha s'punon për një projekt të tillë, pavarësisht problemeve të rënda që po kalon vendi dhe e majta politike. Nëse Nano mendon se vendi ka nevojë për një këtë projekt atëherë ai s'duhej ta pranonte kandidimin për President dhe sikur ta lusnin Rama e Berisha.

Sa punë i prish PS dalja në skenë e Nanos me një parti të re politike që do të jetë e majtë?
Për të prishur punë është kollaj. Për të rregulluar është e vështirë. Nëse Nano katandis gjithë investimin e deridjeshëm politik në favor të vendit dhe shtetit në një projekt që prish atëherë, aq më keq për të. Nano duhet të kuptojë se s'është detyra e shqiptarëve që ata ta çojnë se s'bën në Presidencë. Është detyra e politikanëve patriotë që të ofrojnë projektin në të mirë të së ardhmes europiane dhe të bashkëqytetarëve tanë.

Ju keni qënë drejtues i "katharss 1", madje dhe i sakrifikuari i i kësaj lëvizjeje të Nanos më 2001. Si e parashikoni rezultatin e një "katharsis 2" të paralajmëruar nga Nano?
Nano kur nuk bëri dot katarsisin numër 1, s'ka asnjë shans për katarsis numër 2. Këtë e them në mënyrën më dashamirëse. Mbas 2005, Nano ka bërë shumë gabime që i kanë kushtuar jo vetëm atij, por edhe PS. Natyrisht kur them këtë s'dua të harroj se ndaj tij janë sjellë shumë keq dhe në mënyrë të papranueshme. Mendoj se PS duhej ta kandidonte më 2007. Ai ishte shansi për të dhe për PS. Raundi i tanishëm nuk ofron asnjë shans. Dhe ai s'duhet të lejojë që të tallet Berisha me ambicien e tij presidenciale.

Mendoni se një kandidat nga partitë aleate do afronte koalicionin për ta përgatitur për zgjedhjet e 2013?
Nëse kandidatët do zgjidheshin nga politika atëherë mund të kishim në tryezë emra nga aleatët e Ramës e të Berishës. Por politika s'kërkon të zgjedhë president një burrë shteti, por mundësisht një burrec që të ngrihet në këmbë kur e telefonon kryeministri. Berisha kërkon një president që i shërben kapjes dhe jo bërjes së shtetit.

(Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)