Elementi i parë bazë i pjesëmarrjes është përfshirja e krerëve të partive aleate në listat rajonale të PS, kryesisht në qarqet ku ka më shumë deputetë e aleatët kanë më shumë mbështetje elektorale. Por kjo ka probleme për shkak të vetë specifikës që mbart përzgjedhja e kandidatëve, duke parë që dhe vetë PS ka pasur debate në lidhje me listat, ende pa u bërë publike.
Elementi i dytë bazë është përfshirja në qeverisje, apo në saktë me poste ministrore apo të tjerë poste të dyta dhe të treta në qeverisje. Mësohet se pritet të vendoset një dysheme për marrjen e votave që është numri i 20 mijë votave për secilën parti që ka apo s’ka deputet, të ketë një post ministri.
Mësohet se krerët e partive aleate të Ramës kërkojnë që të dalin bllok në fushatë me PS, të jenë pjesë e shtabeve elektorale e pse jo nëse ka mundësi të caktohen dhe komisionerë të opozitës dhe nga anëtarët e partive të tyre sipas mundësisë. Gjinushi thotë se kërkesa ndaj PS është fitore e përbashkët, bashkëpunim i përbashkët dhe secili vendim me votën e vet, por aleatët i urojnë njëri–tjetrit të marrin sa më shumë vota e s’kanë frikë se do të marrin votat e njëri tjetrit.
Gjinushi sqaron se në këto zgjedhje strategjia bazë është: “Ne dalim me listat tona dhe PS me listat e saj. PSD kërkon të rimarrë atë vend që i takon si forcë e dytë e opozitës qartazi, sepse opozitën ne e kemi bërë, nuk e ka bërë as FRD, as AK”. Ndërsa kreu i PSV ’91 Petro Koçi është më konkret kur flet për kërkesat ndaj PS.
Sipas tij partitë e opozitës e kanë për detyrim kombëtar të bashkohen në një koalicion të madh për të realizuar rotacionin politik dhe çlirimin e vendit nga kapja e shtetit. “Kam bindjen se do ti kapërcejmë vështirësitë objektive në hartimin e marrëveshjes elektorale.
Në këtë proces nuk lejohen gabime dhe kapërcime të interesit kombëtar për atë personal apo partiak as nga PS dhe as nga çdo aleat. PS duhet të ofrojë një formulë tip dhe në procesin negociator arrihet marrëveshja me specifikat e mundshme me secilin aleat, në përputhje me kontributet politike, rezultatet elektorale të deritanishme e potencialin përfaqësues”, tha Koçi.
Duke nënvizuar se “PS duhet të balancojë nëpërmjet marrëveshjes parazgjedhore efektin përjashtues të Kodit. Nëse do ketë lista të përbashkëta nën siglën e PS kjo ka nevojë të realizohet dhe nën vlerësimin mbi peshën konkrete elektorale që drejtuesit e partive aleate mund të kenë në qarqe të caktuara. Mandate qyl s’mund të lejohen, si për PS ashtu edhe për partitë e tjera. Ata që do pengonin rotacionin politik për interesa të vockla do mbanin përgjegjësi historike”!
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.03.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)