Petro Marko 25 vjet pa shkrimtarin
dy dokumente për dhunën e censurën 

Petro Marko 25 vjet pa shkrimtarin<br />dy dokumente për dhunën e censurën 
Dita e djeshme, në shtëpinë e vogël të Petro Markos, në krah të bulevardit “Zogu I” ishte e mbushur me kujtime. Në atë shtëpi ka mbetur vetëm Arianita, vajza e shkrimtarit. Ajo na kujton se Petro, shkrimtari i romaneve të pavdekshme shënoi 25 vjet ikje nga kjo botë.

Këto 25 vite në mungesë të shkrimtarit kanë ndodhur shumë ngjarje dhe emrin e Petro Markos e kemi dëgjuar shpesh të përmendet për 100 a më shumë arsye e histori. Kujtimet, ngjarje të rrëfyera prej të tjerëve, shënimet e tij dhe dorëshkrimet që janë botuar këto vite në versionin siç ndoshta vetë shkrimtari do të kishte dashur të dilnin, kanë zbuluar para lexuesve dimensione që nuk i njihnin nga vepra dhe jeta e këtij shkrimtari, duke e plotësuar më tej portretin e tij.

Petro Marko vuajti shumë vite të vështira, mes tyre edhe burgun, por sfida më e vështirë për të duhet të ketë qenë përballja e çdo dite me dyshimet që mund të ngriheshin në çdo vepër të tij. Sa herë përfundonte një vepër ajo do të shkonte sipas rregullit, në duart e recenzentëve e më tej në hallka më të larta, deri në duart e Ramiz Alisë dhe të vetë Enver Hoxhës. Nëse diçka e dyshimtë pikasej në të, kalvari niste nga e para dhe më e sigurta vepra zhdukej nga qarkullimi dhe kthehej në karton.
Një histori të tillë, burokrate në dukje por shumë e dhimbshme për fatin e një shkrimtari dhe të një vepre letrare, zbuluam një vit më parë në “Ekspozitën e artit të ndaluar”, hapur gjatë ditëve të Festivalit të artit të ndaluar në “Bunk’art 1” në dhjetor 2015. Në atë ekspozitë publikuam një urdhër të Ramiz Alisë për të hequr nga qarkullimi dhe për ta kthyer në karton veprën e Petro Markos  “Një emër në katër rrugë”. Arsyet ishin se figura e Enver Hoxhës në roman nuk trajtohej “siç i takonte”.

Bashkë me këtë urdhër dhe disa shkresa shoqëruese rreth kësaj ngjarje, po në këtë ekspozitë publikuam edhe një tjetër dokument më të hershëm të vitit 1967, ku nga vetë Ramiz Alia jepej urdhër për ti hequr të drejtën e profesionit si shkrimtar Petro Markos dhe për ta çuar mesues në Elbasan.   

Të dy këto dokumente, që  tregojnë fragmente të sfidave të shkrimtarit me regjimin komunist i sjellim sot për lexuesit në formë homazhi në këtë 25 vjetor të ndarjes së tij nga jeta për të dëshmuar dhunën dhe censurën e ushtruar ndaj këtij shkrimtari gjatëve viteve të regjimit komunist.
 
Dokumenti 1
(Relacion i zv.ministrit të Arsimit e Kulturës Mantho Bala)
 
RELACION
MBI ROMANIN E PETRO MARKOS
“NJË EMËR NË KATËR RRUGË”
 
Romani ka ardhur në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në shtator të vitit 1972. Në muajt tetor-nëntor 1972 është recensionuar nga Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri. Redaktor i veprës është caktuar Llazar Siliqi, i cili ka punuar mbi të nga dhjetori 1972 e deri në maj të vitit 1973. Në qershor 1973 e ka pasur redaksia, ndërsa autori e ka mbajtur për ripunim deri nga gjysma e korrikut të këtij viti dhe më 15 gusht vepra është dërguar në shtyp.

Mbasi e lexuam dhe e diskutuam romanin, arritëm në konkluzionin se ai nuk duhet të qarkullojë për këto arsye kryesore:
1. Regjimi i Zogut nuk pasqyrohet me forcën e duhur në aspektin e tij klasor. Duke u marrë më shumë me shthurjen morale dhe injorancën që karakterizonte njerëzit në shërbim të këtij regjimi, autori ka lënë thuajse krejt jashtë këndit të vështrimit veprimtarinë politike të këtij mbreti satrap.

 2. Tërë romani përshkohet nga shthurja e degjenerimit moral, nga skena e përshkrime erotike dhe banalitete që do të ndikonin negativisht te lexuesi ynë. Në mënyrë krejt të shtrembëruar paraqitet femra shqiptare. Del sikur ajo që në takimin e parë me mashkullin mendon vetëm për dashuri, bile në këtë tregim tregohet e guximshme e iniciatore, gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Duke spekuluar mbi pasqyrimin e shthurjes morale të regjimit në fuqi, autori nuk ka ruajtur sensin e masës dhe të krijon përshtypjen sikur këto ishin fenomene të përhapura gjerë në vendin tonë, ç’ka nuk është e vërtetë.

 3. Figura e shokut Enver nuk paraqitet drejt, saktë e gjerë. Bile ka episode të tilla kur veprimtaria e tij reduktohet në dhënien e 20 napolonave për të shkëputur një vajzë (Qazimen) nga i fejuari i saj, të cilin ajo nuk e donte. Dhe kjo ndodh në një kohë, kur dihet se shoku Enver përballonte probleme shumë më të rëndësishme që kishin të bënin me fatet e Atdheut dhe të revolucionit.

 4. Disa personazhe nuk i trajton drejt. Kështu mund të përmendim Rizon. Duke theksuar injorancën e tij, të lokalizuar “nga një fshat i Kurveleshit”, pavarësisht nga qëllimi që i ka vënë vetes autori, konfirmon propagandën e megali-idesë se shqiptarët janë injorantë, të egër etj. Kjo figurë negative nga Kurveleshi, e paraqitur pa ndonjë personazh pozitiv po nga kjo krahinë e Labërisë që t’i kundërvihej, nuk tingëllon mirë.

 Emiri (nga Peqini) për lexuesin tonë nuk mbetet figurë e krijuar, por historike dhe prandaj, ashtu si trajtohet, nuk duhet të zërë vend veprat tona.
 Edhe figura të tjera të fshatit Drimadhe, sado që duhen të krijuara, veçanërisht për lexuesit e asaj krahine njihen, prandaj paraqitja e tyre në mënyrë të pasaktë historikisht nuk është e drejtë.

5. Romani ka pasaktësi historike edhe sa i përket vendosjes së ngjarjeve në Drimadhe. Për lexuesin shqiptar është e qartë se këtu kemi të bëjmë me Dhërmiun. Por ta paraqesësh atë si një qendër të lëvizjes përparimtare e revolucionare në bregdet, kur dihet se s’ka qenë i tillë, do të thotë të shtrembërosh realitetin historik.

 Vënia e emrave të krijuar e për më tepër me ngjashmëri si për disa personazhe ashtu edhe për vendin, nuk mund ta justifikojnë autorin, i cili njeh mirë specifikën e lexuesit dhe të vendit tonë.

 6. Duke u nisur nga fakti se lexuesi e ka të lehtë ta kuptojë se Gjikë Bua është vetë autori, roli që i atribuohet atij si përhapës i ideve komuniste dhe i lëvizjes nacionalçlirimtare në bregdet, nuk është i saktë as për periudhën para formimit të Partisë dhe aq më pak pas saj. Në këtë vështrim ne mendojmë se me elementet autobiografike është tepruar shumë, duke kaluar në autolëvdata të pamerituara.

Recensentët e sidomos Dalan Shapllo, kanë ngritur disa probleme, por nuk i kanë shkuar deri në fund veprës. Kurse redaksia nuk ka realizuar plotësisht as vërejtjet e recensentëve dhe nuk u ndal seriozisht te kjo vepër, sidomos pas fjalimeve të shokut Enver dhe materialeve të Plenumit IV, kur ajo rishqyrtoi shumë vepra të tjera që kishte në shtypshkronjë apo në proces.

Përgjegjësia kryesore për botimin e kësaj vepre të gabuar bie mbi drejtorinë e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe personalisht mbi ish-drejtorin e saj Ali Abdihoxha dhe nëndrejtorin Alqi Kristo, të cilët janë kritikuar edhe më parë për praktika të tilla pune.

Përgjegjësi të rëndë kanë gjithashtu: redaksia me në krye shoqen Dhurata Xoxe, e cila nuk e vlerësoi drejt shqyrtimin e romanit, as edhe disa vërejtje të recensentëve; redaktori Llazar Siliqi, i cili me përvojën dhe pjekurinë e tij në këtë fushë, nuk duhet të kishte lejuar t’i kalonte një vepër e tillë, mbi të cilën ai punoi një kohë të gjatë; recensentët Dalan Shapllo e Divar Dilaveri, të cilët nuk u thelluan sa duhet në gabimet e veprës, por e quajtën atë “pozitive dhe me vlera edukative”.

 Për këto arsye u porosit Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” të bëjë një analizë të thellë, të nxjerrë shkaqet, të përcaktojë përgjegjësitë dhe masat që duhen marrë.
 Ne mendojmë që Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese, të organizojë një diskutim për romanin si edhe për dramën e të njëjtit autor, me titull “Niku i Gjin Martinit”, botuar në revistën “Nëntori”, nr. 11.

Sipas marrëveshjes që kemi me entin botues “Rilindja” të Prishtinës, një kopje e dorëshkrimit të këtij romani është dërguar në Kosovë në kohën kur ai u dërgua për botim në shtypshkronjë. Prandaj do të lidhemi me telefon me entin botues të “Rilindjes” për t’u kërkuar që të na e kthejnë kopjen e romanit, nën pretekstin e ripunimit nga ana e autorit.
 
ZV/MINISTRI:
(Mantho Bala)
  (vula, firma)
Tiranë, më 04.12.1973
 
 
Dokumenti 2
(Letër e Ramiz Alisë drejtuar Pipi Mitrojorgjit në sektorin e  shtypit në Komitetin Qendror)
 
Shoku Pipi,
Lidhur me romanin e Petro Markos, siç del edhe nga propozimet tuaja e të Ministrisë, të veprohet menjëherë:
1) Të thirret Petro Marko nga shoku Mantho Bala, ku të jetë edhe shoku Dritëro Agolli dhe Th. Lici e A. Abdihoxha dhe t’i thuhet që libri i tij nuk lejohet të qarkullojë. Të kritikohet me argumente ky libër si ideologjikisht i shtrembër dhe që dëmton edukimin e masave.
Por Mantho të përgatitet mirë dhe të bisedojë që edhe Dritëroi ta kritikojë librin.

  2) Të shtrohet në organizatën bazë të ndërmarrjes dhe të diskutohet përgjegjësia e A. Abdihoxhës dhe e të tjerëve, që lejuan botimin e librit.
     Përgjegjësia e tyre është akuza më e madhe, sepse recensentët, sido që shprehen pozitivisht, kanë bërë vërejte që romani duhet ndrequr. Sidomos Dalani ka vërejtje të rëndësishme. Pse s’u morën parasysh? Duhet të nxirren një nga një këto vërejtje.

     3) Po kështu në organizatën bazë përkatëse duhet të kritikohen Ll. Siliqi e D. Shapllo. Llazari si redaktor kishte edhe vërejtjet e recensentëve. Pse nuk nguli këmbë të paktën t’i ndreqte, pa lëre që edhe ky e pranoi romanin. Dalani megjithëse bën vërejtje, disa herë parimore, pse shfaq mendimin se romani është vepër pozitive e me vlerë, pra të botohet?
     Askush nuk tërheq vëmendjen që ky libër është autobiografik. Pse kështu?

4) Duhet të merren të gjitha masat shtetërore përkatëse:
Edhe pushimi i A. Abdihoxhës, por edhe dëmshpërblimi. Të gjithë kanë marrë para: që nga Petro, te Llazari, recensentët e redaktorët. Sipas rregullave duhet të caktohet si do të veprohet.

5) Libri të kalojë në karton, d.m.th. të prishet dhe asnjë kopje të mos lihet në qarkullim.

6) E kam thënë edhe një herë tjetër, në mbledhjen që kishim me të gjithë përfaqësuesit e shtypit, që në Kosovë në asnjë mënyrë nuk duhet të dërgojmë dorëshkrime, por mund të dërgojmë kopje të librave, pasi dalin te ne në qarkullim. Të merren masa për të tërhequr librin e P. Markos nga Kosova. Sidoqoftë në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që libri të botohet atje.

7) Këto materiale që keni në dosje t’i lexojë edhe shoku Mantho sepse KP i Tiranës duhet të jetë në dijeni dhe të ndjekë ç’bëhet në institucionet e Tiranës.
 (firma) Ramiz Alia
11.12.1973
 
Dokumenti 3
(Shënim i Hysni Kapos për Ramzi Alinë)
 
Shoku Ramiz,
Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri janë recensentët e librit që i ka ngarkuar ndërmarrja e botimeve. Recensionin e kanë bërë në nëntor 1972. Pra kjo dëshmon sa koncepte të gabuara kanë recensentet dhe akoma më keq është për Ali Abdihoxhën, Xoxen etj., që kur kanë parë recensionet ashtu si janë bërë, në to thuhet se romani duhet korrigjuar, kurse këta e shtypën.

Unë mendoj se përveç masave shtetërore dhe materiale që duhen marrë ndaj tyre, duhet të japin llogari edhe para organizatave të Partisë ku bëjnë pjesë.
Gjithë këtë material mendoj ta shohë edhe shoku Manush, pasi të gjitha këto kuadro janë nën varësinë dhe si efektivë të KP të rrethit të Tiranës, dhe Partia në rreth duhet të ketë dijeni të plotë e të ndjekë çështjet.
 (firma) Hysni Kapo
11.12.1973

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore