Kështu tha Peza, deputet i Peqinit në promovimin e librit të tij gjatë kësaj jave në UET. Ky libër merr spunton nga momentet kryesore të 230 ditëve që shënjuan daljen e Alfred Pezës nga gazetaria dhe futjen në politikë. Shënimet nisin që nga dita e parë, fjalimet, intervistat e para si politikan, si kandidat për deputet dhe si përfaqësues i banorëve të rrethit të Peqinit.
Parathënia e librit është shkruar nga Ben Blushi, i cili është shprehur se Peza përshkruan në librin e tij makinën politike shqiptare deri në ingranazhet e veta më të imëta. “Dhunë, mashtrim, vjedhje votash, dyshim, mohim dhe rivalitet për të shtuar varfërinë. Kjo është makina politike që ka ecur deri sot nëpër rrugët e Shqipërisë. Fredi u ngjit në këtë makinë para disa muajsh, pasi kishte punuar gjithë jetën në ofiçinën e ndërgjegjes. Ai kishte qenë pjesë e shtypit dhe nga larg kishte shkruar pa fund për dëmet që makina politike shqiptare i kishte bërë arave, fushave, maleve, ujërave dhe deteve të vendit të vet.
Ai kishte numëruar viktimat e saj në distance…”, ka shkruar Blushi. Libri i Pezës është një “ditar” mbi 3-4 muajt e fundit, që me fillimin e fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit. Një “fotografi” e plotë, siç e ka cilësuar Peza, në të gjitha përmasat dhe detajet e çastit të futjes së tij në politikë. “Ditari i 23 qershorit” nis me fjalën e mbajtur të Pezës në konferencën për shtyp të prezantimit të tij si kandidat për deputet, për të vazhduar me intervistat në disa gazeta dhe për ta mbyllur me abc-në e një politikani.
Eksperiencat e 20 vjetëve gazetari nuk ia kishin ushqyer asnjëherë ëndrrën gazetarit Peza të bëhej politikan. Si gazetar që merrej intesivisht me lajmet e politikës ai rrinte gjithmonë me tehun e kritikës mprehur për të gjithë politikanët dhe ndoshta prej kësaj duhej t’i futeshin dridhmat që të bëhej edhe vet një politikan. I janë dashur vite eksperiencash e sfidash, me themelime gazetash e televizionesh, që pastaj të marrë përsipër përgjegjësinë e politikanit.
Dhe kur vendosi nuk u gabua. Zgjedhësit e Peqinit preferuan pikërisht këtë figurë publike, këtë personazh aktiv për të qenë përfaqësuesi i tyre. Po rruga e ngjitjes nuk ka qenë e lehtë. Ajo që të befason në tekstin e këtij libri është një retrospektivë e ngjarjeve të jetës së autorit, kur kanë nisur nga 2005-2009 përplasjet publike me Edi Ramën.
Peza shkruan: “Ishte koha kur pak para zgjedhjeve të 2009-ës, pata përplasjen e dytë dhe më të madhe publike me Edi Ramën, e cila bëri shumë zhurmë e bujë, aq sa jehona e saj më ndjek herë pas here dhe tani pas kaq shumë vitesh. E bëra publike një zënkë të ashpër telefonike mes nesh, në emisionin Top Story të Sokol Ballës, në Top Channel, pasi e konsiderova si një çështje tepër thelbësore për parimet e mia profesionale.
Bëhej fjalë për raportin e një drejtuesi mediash me gazetarët dhe drejtuesit politikë. Jam i vetmi gazetar që u përball prej disa muajsh, duke u përfshirë në një betejë pa kompromis, me një nga njerëzit më të pushtetshëm të këtij vendi, atëherë kur ai ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit dhe lideri i partisë më të madhe politike në vend. Prej 7-8 muajsh e ndërpremë komunikimin e drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Deputetët dhe drejtuesit e PS-së dhe të bashkisë së Tiranës u ndaluan të vinin në studiot e Ora News dhe në emisionet e mia.
Ky rast u bë objekt analizash, komentesh në media dhe në forume të ndryshme....e amplifikonin dhe kundërshtarët e Ramës në PS dhe brenda së majtës, por mbi të gjitha armiqtë e tij në mazhorancën e qeverisë Berisha. Ajo që m’u duk si betejë për jetë a vdekje mes dy njerëzve me angazhime publike, u shndërrua në pikën më të madhe të kthesës në marrëdhëniet tona personale. Sepse patëm mundësi ta njihnim më mirë thelbin e njëri tjetrit.
Duke kuptuar ndoshta se ajo që ishte si humnerë shumë e thellë brenda nesh nuk ishte gjë tjetër veç një mundësi për të ndërtuar një urë të fortë dhe të përhershme komunikimi .....akujt tanë u shkrinë njëherë e përgjithmonë.
Ata që e njohin nga afër e dinë e dinë se Edi Rama si politikan, ka vuajtur fillimisht nga mania për t’i bërë mediat që ta shihnin atë, në drejtimin bashkisë së Tiranës dhe në krye të PS me sytë e tij. Në disa raste ia ka arritur. Por mediat që kam drejtuar nuk ishin ky rast. As unë, sepse e kam respektuar gjithmonë integritetin e Edi Ramës dhe gjithë politikanëve, liderëve politikë dhe drejtuesve të institucioneve.
Kërkoja as më pak e as më shumë në marrëdhëniet me ta thjesht dhe vetëm respekt për atë që bëja dhe përfaqësoja. Ky rast më ka ndihmoi dhe mua ta shihja realitein në sy. Por jam i bindur se shërbeu si një mundësi që median ta shpëtoja nga Edi Rama. Dhe Edi Ramën ta shpëtoja në varësinë e tij nga media.
Siç ai vet e ka pranuar më pas në librin e tij “Kurban”, kur shkruan në faqen 235 se më “më ka ndihmuar në daljen prej atij qerthulli të lodhshëm e lodhës për të tjerët, një sherr i beftë me Alfred Pezën, që më keqkuptoi, por më ndihmoi të kuptoj se e kisha acaruar vetë klimën rreth meje”.
Dhe rrëfimi vijon kështu në librin e Alfred Pezës duke përfunduar me një happy and: “U takuam dhe biseduam si gazetari me politikanin, si drejtuesi i një media me liderin politik, si njeriu me njeriun...”, shkruan Peza.
Shkrimi u publikua sot (17.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)