TIRANË- Pyetjes së shumë diskutuar se përse nuk e shkarkon zv.kryeministren Belinda Balluku pas pezullimit të GJKKO-së nga detyra, kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i përgjigjej në distancë ndërsa opozita e kërkoi për interpelancë në Kuvend.

Përmes një video në rrjetet sociale, kryeministri Rama thotë se nuk e mori vendimin për shkarkimin e Ballukut, pasi një precedent i tillë do të krijohej problem për çdo qeveri të së nesërmes. Shefi i qeverisë thotë se një gjë e tillë do të bëhej rrugë nga çdo prokuror e gjykatës, duke theksuar se miu i zhbalancimit të pushteteve do kthehej në ujk kundër qeverisë.

Sipas Ramës, ‘ujku’ do përbuzte Kuvendin e do përqeshte votën popullore duke menduar se një ministër pezullohet nga detyra pa dorëheqje, pa vendim kryeministri e pa vendim të formës së prerë.

"Heqja e ministrit nuk do e zgjidhte këtë problem, por do krijonte problem për të nesërmen, jo për mua, por për çdo qeveri. Miu i zhbalancimit të pushteteve që do kalonte në mustaqe me idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa dorëheqje, pa vendim të kryeministrit, por mjafton një masë sigurie, do kthehej në ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzte Kuvendin, do përqeshte votën popullore. Ja pse kam shkuar në Kushtetuese dhe ja pse kjo betejë për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri nuk ka asnjë lidhje me emrin e vetë ministrit”, tha Rama.

Kryeminsitri vijon të shpjegojë efektet që sjell në qeverisje pezullimi i Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre e infrastrukturës, duke sjellë në vëmendje disa prej punëve që kanë mbetur peng i firmës së saj. Rama thotë se arsyeja kryesore pse e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese është që ajo të mos kthehet në një precedent të rrezikshëm në të ardhmen.

“U bë sebep një mik për të bërë këtë komunikim, kur më shkruan e kuptoj shqetësimin tënd lidhur me precedentin e rrezikshëm që krijon pezullimi i ministrit se nesër bëhet rrugë dhe prokurorët e gjykatësit të heqin kë të duan nga qeveria, ajo linjë ajrore me Kandanë mu duk pak e tepërt. Mbase nuk është pak e tepërt, por shembuj që sjell i sjell për të thënë sa i tepërt është pezullimi i një ministri. Ndryshe nga çdo funksionar publik që mund të pezullohet, ministri jo vetëm nuk firmos dot vetë asgjë por bën që askush tjetër të mos marrë vendim dhe të firmosë gjësendi ne emër të dikasterit. Kushtetua ia jep ministrit autoritet ekskluziv. Pezullimi është bllokim i zinxhirit të vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon.

Për gjërat janë bllokuar është edhe marrëveshja me Kandanë për fluturimet ajrore, po mundohemi mos  e zgjidhim me ministrinë e jashtme. Ja ta zëmë se e zgjidhëm, po me 35 vendime të tjera të qeverisë si do ja bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në infrastrukturë, godina publike, që kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar. Si do ja bëjmë? Këto janë punë të bllokuara që do shtohen çdo ditë, prandaj kam shkuar në Kushtetuese. Nuk ndërhyj në punë e gjykatësit në fjalë dhe as merrem me pse dhe si ata po merren me një doje për një anëtar kabineti. Unë flas për cenimin e balancës mes pushteteve, për ndërhyrjen brutale në përbërjen qeverisë, për marrjen e kompetencave. Flas se si prekja e gjithë këtyre bllokon punët në sektorin përkatës", tha Rama. 

Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.